消费---[xiāo fèi]---Konsum

Mbi 2 500 marka kineze dhe të huaja do të marrin pjesë në Ekspozitën e 1-rë Ndërkombëtare të Mallrave të Konsumit të Kinës, që do të hapet të enjten në qytetin Haikou të provincës ishullore Hainan të Kinës Jugore. Shumë pjesëmarrës të intervistuar nga Grupi Mediatik i Kinës u shprehën se kjo veprimtari do të krijojë mundësi të mëdha për hyrjen e më shumë markave ndërkombëtare në tregun kinez dhe zgjerimin e mëtejshëm të produkteve cilësore kineze në tregun botëror.

60 mijë ndër 80 mijë metra katrorë të sipërfaqes së ekspozimit do të zihen nga 650 kompani ndërkombëtare dhe mbi 1300 marka.

"Omron", prodhuesi i njohur i pajisjeve elektronike mjekësore, do të paraqesë në ekspozitë aparate për kontrollin e temperaturës së trupit dhe të tensionit të gjakut, si dhe shërbimet e telemjekësisë bazuar mbi rrjetin e bashkëpunimit me institucionet shëndetësore e farmacitë. Për pjesëmarrjen e kësaj kompanie në ekspozitë, drejtorja e qendrës së strategjisë së markës të degës së "Omron"-it në Kinë Wang Ying, i tha CMG-së:

"Jemi shumë optimistë për zhvillimin e ekonomisë kineze. Pjesëmarrja jonë në ekspozitë është shumë e dobishme për planin e globalizimit të 'Omron'-it. Shpresojmë se nëpërmjet kësaj platforme, mund të njohim më shumë konsumatorë dhe operatorë të këtij sektori me produktet e teknologjinë më të përparuar të kompanisë sonë, në mënyrë që risitë përkatëse t'i shërbejnë më mirë shëndetit të njerëzve".

Ndërsa marka italiane e bizhuterive "Cameo Italiano" do të prezantojë produkte të shumëllojshme me gdhendje guaskash. Kryeekzekutivi i markës Gino Di Luca i tha gazetarit: "Ekspozita ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne, sepse besojmë se produktet tona do të gjejnë shumë konsumatorë në Kinë".

Përveç vendeve për kompanitë ndërkombëtare, në Ekspozitën e Mallrave të Konsumit do të ketë edhe pavijone për produktet e krahinave të ndryshme të Kinës. Li Silei nga Drejtoria e Biznesit e provincës Henan u shpreh se shumë pjesëmarrës nga kjo provincë në këtë ekspozitë janë eksportues të njohur, si për shembull, "Rebecca", prodhuesja më i madhe në botë e parukeve, produktet e së cilës shiten në mbi 30 vende në Amerikën Veriore, Europë, Afrikë dhe Azi. Kompania shpreson se nëpërmjet pjesëmarrjes në ekspozitë mund të tërheqë më shumë blerës ndërkombëtarë.

Përveç markave që kanë histori të gjatë, ka edhe të reja të sapokrijuara. Li Yumei ka sjellë për ekspozitën kërpudha të zeza nga Mongolia e Brendshme, që është mijëra kilometra larg Hainan-it.

"Jemi një kompani e vogël, e krijuar në Mongolinë e Brendshme. Jemi pajisur me certifikatat e cilësisë të dhëna nga Bashkimi Europian dhe e eksportojmë një pjesë të produkteve tona në Rusi, Korenë e Jugut dhe Japoni. Kemi ardhur këtu sepse duam të gjejmë mundësi biznesi për zhvillimin e ardhshëm të kompanisë," tha Li. (Zhang Yan/Artan)