---[jiā]---shtëpi

Në orën 11 të 29 prillit, me raketën "Marshimi i Madh 5B-Y2", Kina lëshoi me sukses modulin kryesor "Tianhe" të stacionit hapësinor. Kjo simbolizon nisjen e ndërtimit dhe lidhjes në orbitë të pjesëve të stacionit hapësinor.

Në një koment të vetin Grupi Mediatik i Kinës (CMG) vëren se, edhe pse njerëzit janë mësuar me misionet e shpeshta hapësinore të Kinës, lëshimi i suksesshëm i modulit kryesor "Tianhe" ka një rëndësi të veçantë. Në vitin 1992, Kina përcaktoi strategjinë e zhvillimit kozmik me “tre hapa”: dërgimi i astronautëve në hapësirë dhe kthimi i sigurt; përparimet në teknologjinë e stacionit hapësinor; “ndërtimi i një stacioni të vërtetë hapësinor dhe zgjidhja e problemeve të misioneve hapësinore me përmasë të madhe dhe me staf me qëndrim të përhershëm”. Lëshimi i modulit "Tianhe" është hapi i tretë, që është një hap shumë kyç.

Kjo është një arritje e vështirë, vijon më tej komentin e vet CMG-ja. Në ato vite Kina ishte përjashtuar nga “klubi” hapësinor i drejtuar nga ShBA-ja. Krahas kësaj, politikanët perëndimorë e shikonin me paragjykim zhvillimin e Kinës, duke bllokuar rreptësisht teknologjitë kozmike ndaj Kinës.

Më 2011, ShBA-ja publikoi Aktin "Wolf", që ndalon të gjitha kontaktet dhe bashkëpunimin mes NASA-s e të gjitha ndërmarrjeve përkatëse amerikane dhe institucioneve hapësinore të Kinës, për arsye të sigurisë kombëtare, gjë që është pa bazë.

Edhe pse ka përballuar mjaft pengesa, zhvillimi aeronautik i Kinës nuk i ka ndalur hapat e vet, duke siguruar një sërë arritjesh të dukshme me teknologjitë e krijuara në mënyrë të pavarur, si fluturimet në Hënë e në Mars, rrjeti i satelitëve "Beidou" dhe raketat mbartëse “Marshimi i Madh”.

Këtë herë Kina ka hedhur një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një stacioni të përhershëm në hapësirë dhe kjo ka rëndësi të madhe për tërë botën. Për arsye që stacioni i tanishëm hapësinor ndërkombëtar mund të nxirret jashtë funksionimit në vitet 2024-2028, stacioni kinez do të jetë i vetmi stacion i njerëzimit në hapësirë.

Ndryshe nga disa vende perëndimore që kanë krijuar “klube të vogla”, Kina gjithmonë zbaton parimin e shfrytëzimit paqësor, të barabartë, me përfitime të ndërsjella dhe zhvillim të përbashkët. Mbi këtë bazë Kina do të përpiqet të krijojë një platformë të hapur shkëmbimesh për komunitetin ndërkombëtar dhe për bashkëpunimin shkencor.

Stacioni hapësinor i Kinës është projekti i tillë i parë në histori që është i hapur për të gjitha vendet anëtare të OKB-së. Ai do të jetë i hapur jo vetëm për qeveritë e organizatat ndërkombëtare, por edhe për subjektet private dhe institucionet studimore. Modeli i bashkëpunimit do të jetë i shumëllojshëm. Tani ka përfunduar puna e përzgjedhjes për projektet e para të eksperimentimit shkencor në këtë stacion, ku janë përfshirë nëntë projekte nga 17 vende e 23 subjekte.

CMG-ja komenton që stacioni hapësinor kinez ka marrë parasysh në mënyrë të plotë kërkesat e vendeve në zhvillim dhe u ofron atyre mundësi për hyrje në hapësirë dhe zhvillimin e eksperimentimeve të ndryshme, duke u bërë “një shtëpi për vendet në zhvillim”. Kjo do ta ndihmojë efektivisht botën të kapercejë hendekun teknologjik dhe të gjitha vendet mund të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në eksplorimin dhe shfrytëzimin paqësor të hapësirës.

Në Traktatin e Hapësirës së Jashtme të vitit 1967 deklarohet në mënyrë solemne që eksplorimi dhe shfrytëzimi i hapësirës së jashtme është misioni i përbashkët i njerëzimit dhe duhet të sjellë përfitime për njerëzimin. Kina ka hapur bashkëpunimin në stacionin hapësinor. Kjo është një vënie e gjallë në praktikë e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare dhe e konceptit të bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. Në të ardhmen bota do të ketë një platformë të re me hapje e gjallëri në bashkëpunimin hapësinor, që do të bëhet vërtet “shtëpia e përbashkët” për tërë njerëzimin në hapësirën e jashtme, e përfundon komentin CMG-ja. (Jiang Lei)