能源---[néng yuán]---Energji

Ndryshimi i klimës është një sfidë e përbashkët me të cilën përballet i gjithë njerëzimi. Është urgjente të shmanget varësia nga energjia fosile dhe të ndërtohet një sistem i ri i furnizimit me energji që përqendrohet në zhvillimin e energjisë së pastër e furnizimin me energji elektrike të pastër, dhe me një strukturë të optimizuar në shkallë të gjerë. Në vitet e fundit, Kina ka shfrytëzuar plotësisht përparësitë e veta në platformë e teknologji, ka promovuar plotësueshmërinë e burimeve transnacionale dhe ka krijuar në mënyrë të vazhdueshme perspektiva të reja për bashkëpunimin në fushën energjetike me vendet e tjera.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në shtator të vitit 2015 Kina propozoi në Samitin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara "të diskutohet lidhur me ndërtimin e një Interneti Global të Energjisë dhe nxitjen e energjisë së pastër e të gjelbër, për të përmbushur kërkesën globale për energji elektrike". Në mars të 2016-s u krijua në Pekin organizata e parë ndërkombëtare e energjisë e iniciuar nga Kina, Organizata e Bashkëpunimit dhe e Zhvillimit të Ndërlidhshmërisë Energjetike Globale. Wu Xuan, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, u shpreh se pas pesë vjetësh zhvillimi, Interneti Global i Energjisë ka ndryshuar nga një nismë kineze në një konsensus ndërkombëtar, duke kaluar nga konceptimi në veprim:

"Organizata e Bashkëpunimit dhe e Zhvillimit të Ndërlidhshmërisë Energjetike Globale ka 1 157 anëtarë nga 132 vende e rajone të botës dhe është kthyer në një organizatë ndërkombëtare të klasit të parë me zë, ndikim e veprim global. Gjatë pesë vjetëve të fundit ne kemi shqyrtuar më shumë se 200 baza të energjisë së pastër dhe më shumë se 100 organizata transnacionale e ndërkontinentale. Projektet inxhinierike të rrjeteve ndërkontinentale kanë krijuar një 'bibliotekë' të madhe projektesh. Në të njëjtën kohë, është bërë shumë punë dhe janë arritur përparime në promovimin e projekteve të ndërlidhjes midis Kinës e vendeve fqinje, duke përfshirë projektet ndërkontinentale, dhe është zgjidhur problemi i mungesës së fondeve dhe tregjeve për projektet madhore në vendet e pazhvilluara, ku qeveria nuk mund të garantojë promovimin e këtyre projekteve."

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Platforma e ndërtuar nga Kina lidh burimet e tregjet dhe teknologjia e rrjetit UHV e Kinës me të drejta të pronësisë intelektuale plotësisht të pavarura është bërë gjithashtu çelësi për të lehtësuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Huang Han, zëvendësdrejtor i Institutit të Kërkimeve Ekonomike dhe Teknologjike të Organizatës së Bashkëpunimit për Zhvillimin e Internetit Global të Energjisë, bëri të ditur se projektet e bashkëpunimit energjetik të përfaqësuara nga Projekti i Transmetimit të Energjisë UHV i Malit të Bukur në Brazil, që sigurojnë rritjen e koordinimit të burimeve energjetike, si edhe besueshmërinë dhe ekonomizimin e furnizimit me energji, janë një shembull për të gjithë:

"UHV-ja është një risi e madhe që e ka origjinën në Kinë, si liderja botërore në këtë fushë, dhe ka të drejta të pronësisë intelektuale plotësisht të pavarura. Ajo ka zgjidhur problemin thelbësor të transmetimit dhe konfigurimit të energjisë në distanca të gjata dhe me kapacitet të madh. Mund të thuhet se UHV-ja është pika më e lartë në fushën e transmetimit global të energjisë. Përdorimi i burimeve të energjisë së re në Kinë është zhvilluar me shpejtësi në të gjithë vendin në dhjetë vitet e fundit. Ne jo vetëm që jemi në majat udhëheqëse në teknologji, por edhe jemi në pararojë për sa u përket standardeve, pajisjeve dhe inxhinierisë. Në Brazil dy linja UHV funksionojnë shumë mirë, e po ashtu India po promovon aktivisht ndërtimin e rrjeteve të energjisë UHV," theksoi Huang Han.

Cheng Zhiqiang, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit për Zhvillimin e Internetit Global të Energjisë, tha se në të ardhmen kjo organizatë do të vazhdojë të përdorë përparësitë e saj të platformës, duke u mbështetur në teknologjinë e rrjetit UHV, pajisjet dhe epërsitë inxhinierike të Kinës, për të promovuar ndërlidhjen energjetike midis Kinës e vendeve fqinje, për të arritur sigurinë energjetike të Kinës në kushtet e hapjes dhe për të ndihmuar në realizimin e objektivave për kulmin e lëshimeve të karbonit dhe asnjanësimin e karbonit. (Vera/ Artan)