通话---[tōng huà]---Telefonatë

Në paraditen e vigjiljes së Vitit të Ri Hënor Kinez (Festa e Pranverës), një telefonatë tërhoqi vëmendjen e botës. Gjatë bisedës telefonike, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Joe Biden uruan njëri-tjetrin si dhe shkëmbyen mendimet mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje të rëndësishme ndërkombëtare e rajonale.

Kjo është telefonata e parë midis krerëve të dy ekonomive më të mëdha të botës pas marrjes së detyrës së administratës së re amerikane. Të dy udhëheqësit janë të mendimit se "kjo telefonatë do t’i japë botës një sinjal pozitiv".

Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), dy liderët shfaqën gatishmërinë për menaxhimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

"Siç e dimë, Festa e Pranverës (Viti i Ri Hënor Kinez) është festa më e rëndësishme e kombit kinez. Një telefonatë me këtë rast, është një veprim dashamirës. Gjatë bisedës, Xi Jinping përgjithësoi rrugën që marrëdhëniet dypalëshe kanë kaluar nga vendosja deri në zhvillim, duke ritheksuar se bashkëpunimi sjell përfitime, ndërsa kundërvëniet shkaktojnë humbje të dyanshme dhe bashkëpunimi është e vetmja zgjedhje e drejtë. Ndërkohë, presidenti Biden ka vizituar katër herë Kinën dhe si një politikan që e njeh mirë gjigantin aziatik, ka theksuar disa herë rëndësinë e bashkëpunimit me palën kineze pas marrjes së detyrës. Nga këto mund të shohim se dy udhëheqësit propozuan kthimin në rrugën e duhur të marrëdhënieve që është në të mirën e interesave të ndërsjellta dhe zhvillimin e brendshëm të tyre", vihet në dukje në koment.

Analistët e CMG-së janë të mendimit se menaxhimi i mospajtimeve dhe vënia e theksit te bashkëpunimi janë pikat kyçe për t'i kthyer këto marrëdhënie në rrugë të drejtë. Për këtë, të dy liderët shprehën dëshirë të përbashkët.

Gjatë telefonatës, presidenti Xi përmendi dosmosdoshmërinë e krjimit të mekanizmave të ndryshme të dialogut në fushat diplomatike, ekonomike, financiare, ligjzbatuese dhe ushtarake, në mënyrë që dy palët të kuptojnë korrektësisht synimet e politikave të palës tjetër për të mos shkaktuar keqkuptim dhe vlerësim të gabuar. Nën rrethanat, ku marrëdhëniet kino-amerikane janë ndikuar rëndë nga politikat e gabuara të administratës së kaluar, propozimi i Kinës ka kuptim të dukshëm praktik sepse mund të qartësojë se ku ka mosmarrëveshje dhe ku dy vendet ndajnë pika të përbashkëta.

Analistët vëzhguan se Biden u shpreh në reagim të palës kineze se dy vendet duhet të mënjanojnë konfliktet dhe të zhvillojnë bashkëpunim. Ai shprehu gatshmëri për zhvillimin e dialogut të hapur dhe konstruktiv për të shtuar njohje dhe shmangur gjykimet e gabuara. "Fjalët e tij tregojnë se pala amerikane ka reaguar me arsyeshmëri", komentoi CMG-ja.

"Bashkëpunimi kino-amerikan mund të jetësojë shumë punë që janë në dobi dy palëve dhe të të gjithë botës. Kundërvëniet kino-amerikane janë një katastrofë e padyshimtë. Me këto fjalë, Xi Jinping i bëri thirrje palës amerikane të japë së bashku me Kinën kontribute historike për nxitjen e paqes dhe të zhvillimit të botës. Ky është një qëndrim konsekuent i Kinës, i cili është në përputhje me kërkesat e tanishme kundër pandemisë dhe pro rigjallërimit ekonomik", vihet në dukje në koment.

Përveç këtyre, kreu i shtetit i Kinës theksoi në bisedën me homologun amerikan se çështjet e Tajvanit, Hong-Kong-ut dhe të Xinjiang-ut janë punë të brendshme të Kinës, për të cilat, pala amerikane duhet të "veprojë me maturi". Sipas tij, Kina është e vendosur në mbrojtjen e sovranitetit, të sigurisë dhe të interesave të zhvillimit.

"Pala amerikane duhet të jetë në dijeni se respektimi i interesave thelbësore të Kinës është bazë dhe kusht paraprak i përmirësimit të marrëdhënieve. Në një fjalim të mbajtur kohët e fundit mbi politikat e jashtme të administratës së tij, Joe Biden u shpreh se ShBA-ja është kthyer në diplomaci. Shpresojmë se kthimi i diplomacisë amerikane do të thotë dorëheqje nga unilateralizmi, izolacionizmi dhe mbajtje si duhet e përgjegjësive dhe detyrave ndërkombëtare si një vend i madh botëror, duke dhënë kontribut së bashku me Kinën për zhvillimin botëror", përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Albana)