离婚---[lí hūn]---Divorc

Zyra e Gjendjes Civile, një vend ku çiftet kineze vënë unazën ose e heqin atë, ishte shumë e ngarkuar në vitin 2020.

Sipas kësaj zyre, në shumë rajone të Kinës, përfshirë provincat Jilin dhe Heilongjiang në verilindje të Kinës, si edhe bashkitë e Pekinit dhe Tianjin-it të Kinës Veriore dhe bashkinë e Chongqing-ut në jugperëndim të vendit, për çdo dy martesa të regjistruara, pati një divorc.

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Për të frenuar divorcet e nxituara, nga viti 2021 divorcet konsensuale do të shtyhen për një periudhë njëmujore, gjatë së cilës çiftet mund të rishikojnë vendimin e tyre.

Ligjet e martesave të Kinës u rishikuan plotësisht në vitin 2003 dhe rregullat për divorcin me marrëveshje u thjeshtuan. “Megjithëse nuk ishte problem atëherë, gjatë këtyre viteve ne zbuluam se shkalla e divorcit ka qenë në rritje, ashtu si edhe shkalla e divorcit konsensual. Shumë njerëz martohen dhe më pas divorcohen pas një periudhe të shkurtër kohe,” tha Li Jianxing, profesor i asociuar në Shkollën e Drejtësisë në Universitetin Pedagogjik të Kinës Lindore.

Qëndrimet e publikut ndryshojnë shumë. Ndërsa shumica e njerëzve në internet janë kundër rregullores, shumë prej atyre që intervistohen para kamerës, e mbështesin atë.

"Shtëpia nuk është një vend për të folur për të drejtën dhe të gabuarën, por një vend për emocione. Unë mendoj se ka disa probleme që thjesht mund t'i lësh të shkojnë dhe të qetësohen, dhe pastaj mbase nuk do të jenë problem", tha një qytetar i Shangait për CGTN-in.

Edhe një grua e martuar e përkrahu rregullin: "Na duhet një periudhë qetësimi. Kjo është shenjë e një shoqërie të qytetëruar. Unë vetë jam mjaft pro një lëvizjeje të tillë."

Por në ditën e fundit të vitit 2020, radhë të gjata u formuan jashtë portave të zyrave të gjendjes civile, me njerëz që kërkonin të divorcoheshin. Pse kaq shumë veta nxitonin të prishnin martesën?

Profesori Li shpjegoi se njerëzit mund të shqetësohen për kostot ekonomike dhe të kohës: "Sapo rregullorja të hyjë në fuqi, çiftet që kanë rënë dakord për divorc, duhet të shkojnë në zyrën e çështjeve civile dy herë brenda një muaji për të marrë një certifikatë divorci. Kjo rrit koston ekonomike dhe të kohës për të dy palët. Por ky rregull prandaj është vendosur".

Li shtoi se periudha e qetësimit nuk vlen për procedurat e divorcit. Njerëzit që përjetojnë dhunë në familje, abuzim ose rrethana të tjera serioze ende mund të kërkojnë divorc nëpërmjet proceseve gjyqësore.

Kina nuk është i vetmi vend që ka vendosur një rregull të tillë. Shumë vende të tjera kanë dispozita të ngjashme për periudhat e qetësimit para divorcit. (Vera/Artan)