协定---[xié dìng]---Marrëveshje

Më 30 dhjetor, kreu i shtetit i Kinës Xi Jinping, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen deklaruan së bashku në një videokonferencë përfundimin e negociatave mbi marrëveshjen e investimeve Kinë-BE.

Pas 35 raunde bisedimesh që zgjatën për shtatë vjet, të dy palët më në fund i mbyllën negociatat para fundit të këtij viti siç ishte planifikuar. "Pavarësisht zigzageve dhe përparimeve më të ngadalta sesa parashikohej, siç thotë një fjalë e urtë perëndimore: 'Puna e mirë shikohet në fund'. Prandaj, arritja e marrëveshjes është një rezultat që sjell përfitime për të dy palët dhe është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta," komenton Grupi Mediatik i Kinës.

Bota po pret të shohë se deri në ç'masë do ta hapë tregun Kina ndaj investimeve europiane në sektorët e financave, energjetikës, automjeteve elektrike dhe të energjisë së re. Në një intervistë për medien gjermane, kryetari i Dhomës së Biznesit të BE-së në Kinë Joerg Wuttke u shpreh i bindur se marrëveshja e investimeve do t'i sjellë Europës përfitime, sepse "do të favorizojë krijimin e më shumë vendeve të punës në Europë". Në tetorin e vitit 2020, papunësia në 27 vendet anëtare të BE-së dhe në Eurozonë ishte përkatësisht 7.6 % dhe 8.4%. Kështu që firmosja e një marrëveshjeje me tregun kinez prej 1.4 miliard banorësh ka domethënie të jashtëzakonshme.

Sipas komentit të CMG-së, zgjerimi i hapjes së ndërsjellë mes Kinës dhe BE-së do të sjellë përfitime si për kompanitë europiane, ashtu dhe për kompanitë kineze. Për shembull, ndërmarrjet kineze, për të hyrë në tregun europian, do të ngrenë standardet në prodhimin e gjelbër dhe transparencën lidhur me fitimin e tenderave, në përputhje me kërkesat e tregut europian. Ndërkohë, kriteret industriale dhe rregulloret e mbikëqyrjes të BE-së janë të nivelit të përparuar botëror, duke nxitur ndërmarrjet kineze të shpejtojnë përmirësimin dhe transformimin e tyre, për të ngritur aftësinë konkurruese. Rezultatet e Kinës pas anëtarësimit në OBT janë prova më e mirë.

Jo vetëm kaq, por nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është edhe një lajm i mirë për ata që mbështesin multilateralizmin dhe një zhgënjim për ata që tentojnë ta kthejnë botën në Luftën e Ftohtë. Noah Barkin-i, ekspert për çështjet e marrëdhënieve Kinë-BE në Grupin "Rhodium", vuri në dukje se, këtë herë, "Bashkimi Europian lëshoi një sinjal shumë të qartë që do të ndjekë një rrugë të pavarur në politikat ndaj Kinës". Ndërsa në një koment të gazetës britanike "The Guardian" thuhet se marrëveshja do të shtojë ndërvarësinë e dy ekonomive të mëdha. Forcimi i bashkëpunimit në fushën e investimeve do të thotë se ekonomitë e fuqishme tradicionale mund të ecin së bashku me ato të reja për të nxitur zhvillimin e globalizimit ekonomik, gjë që është në të mirë të ndërtimit të ekonomisë së hapur botërore.

Investimet në Kinë zënë vetëm 4 % të vëllimit të përgjithshëm të investimeve jashtë të BE-së, kurse investimet kineze përbëjnë vetëm 2% të investimeve të huaja të thithura nga BE-ja. Kjo tregon se të dy palët kanë mundësi të mëdha në investime. Disa media parashikojnë që, pas arritjes së marrëveshjes së investimeve, Kina dhe BE-ja do të fillojnë bisedimet për tregtinë e lirë. Pak kohë më parë, Kina u bë anëtare e RCEP-it, zona më e madhe e tregtisë së lirë në botë, që ka 2.27 miliardë banorë dhe përbën një të tretën e vëllimit ekonomik global. "Nëse Kina dhe Europa ruajnë frymën e multilateralizimit me hapje e përfshirje dhe marrëveshja e tregtisë së lirë Kinë-BE, pasi të arrihet, do të integrohet me RCEP-in, mundësitë e tregtisë së lirë dhe të paqes e lulëzimit do të jenë të pafundme", përfundon komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)