工厂---[gōng chǎng]---fabrikë

Ditët e fundit, kompania e famshme e automjeteve elektrike "Tesla" shpalli se "Model 3", i prodhuar në superfabrikën e saj në Shangai, do të eksportohet për herë të parë në Evropë. Analistët janë të mendimit se kjo mishëron jo vetëm forcën shumë të madhe konkurruese të Kinës në sektorin e manifakturës, por edhe rolin e rëndësishëm të Kinës në garantimin e zinxhirit industrial dhe në stabilizimin e zinxhirit të furnizimit.

Njoftohet se fabrika e "Tesla"-s në Shangai e nisi eksportimin e automjeteve qysh nga tetori i këtij viti. Tipi i eksportuar, versioni i përditësuar i "Model 3" me gjatësi standarde udhëtimi, është i njëjtë me tipin për tregun kinez. Kontingjenti i parë i makinave "Model 3" të prodhuara në Kinë do të eksportohen në Francë, Gjermani dhe vende të tjera evropiane. Parashikohet se këto automjete do të mbërrijnë në portin e Zibruzhit të Belgjikës në fund të muajit tjetër.

Song Gang, drejtori i prodhimit dhe i operacioneve i superfabrikës së "Tesla"-s në Shangai, tha: "Falë kontrollit tonë të shkëlqyer të zinxhirit të furnizimit dhe hallkave të ndryshme të prodhimit, produktet tona kanë epërsi shumë të madhe në kosto e cilësi dhe mund të plotësojnë kërkesat shumë të rrepta evropiane për cilësinë e automjeteve."

Sivjet, me ndihmën e palëve të ndryshme, fabrika e "Tesla"-s në Shangai ka kapërcyer ndikimet negative të epidemisë së COVID-19 dhe prodhimi e shitja u rimëkëmbën shumë shpejt. Song Gang tha: "'Tesla' po mendon aktivisht për shtimin e investimeve në Kinë, që të japë kontribut për stabilizimin e investimeve të huaja në Kinë, për garantimin e tregtisë së jashtme dhe për 'dy qarkullimet'."

"Tesla"-ja ka dy fabrika në botë, përkatësisht në Kaliforni e Shangai, ndërsa një e tretë në Gjermani është në ndërtim e sipër. Fabrika në Shangai u fut në funksionim në fund të vitit 2019, vetëm dhjetë muaj pas nisjes së ndërtimit. Në fillim të këtij viti, fabrika në Kaliforni e ndërpreu prodhimin për një kohë të shkurtër, ndërsa ajo në Shangai vazhdoi funksionimin me kapacitet të plotë, duke siguruar furnizimin për tregun kinez.

Kryeekzekutivi i "Tesla"-s Elon Musk ishte shprehur më parë se automjetet e prodhuara në Kinë do të ishin vetëm për tregun kinez dhe nuk do të eksportoheshin në tregje të tjera. Por Jia Xinguang, kryeanalisti i Kompanisë së Konsultimeve për Zhvillimin e Industrisë së Automjeteve të Kinës, vuri në dukje se suksesi i Kinës në kontrollin e epidemisë e ndryshoi idenë e mëparshme të Musk-ut. "Fabrika në Shangai është i vetmi vend ku 'Tesla' mund të shtojë vëllimin e prodhimit. Kjo fabrikë në Kinë mbetet e vetmja shpresë për të. Në tremujorin e dytë të këtij viti, prodhimi në fabrikën e Shangait zuri 1/3 e vëllimit të përgjithshëm global. Kjo përqindje do të shtohet edhe në tremujorët e tretë dhe të katërt," theksoi ai.

Bai Ming, eksperti për tregun ndërkombëtar i Ministrisë së Tregtisë të Kinës, vuri në dukje se Kina ka dhënë një kontribut relativisht të madh për stabilizimin e industrisë botërore të automjeteve. Sipas tij, nga aspekti makro, zhvillimi i ekonomisë kineze u ka shtuar besimin vendeve të tjera dhe i ka ndihmuar ato që të rimëkëmben gradualisht nga recesioni ekonomik. (Wang Lei/ Artan Goga)