战争---[zhàn zhēng]---luftë

Kina zhvilloi të premten një miting me rastin e 70-vjetorit të hyrjes së Ushtrisë së Vullnetarëve të Popullit Kinez në Republikën Demokratike Popullore të Koresë, në Luftën e Rezistencës ndaj Agresionit të ShBA-së dhe të Ndihmës për Korenë.

Në ceremoni, të pranishmit mbajtën heshtje në nderim të dëshmorëve.

Presidenti i Kinës Xi Jinping, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, mbajti një fjalim në mitingun e mbajtur në Pallatin e Madh Popullor në Pekin.

Xi vlerësoi rëndësinë historike të kësaj lufte, duke thënë se ajo kundërshtoi agresionin e zgjerimin e imperializmit dhe mbrojti sigurinë e Kinës së Re.

Lufta gjithashtu mbrojti jetën paqësore të popullit kinez, stabilizoi situatën në Gadishullin Korean dhe ruajti paqen në Azi dhe në botë, tha Xi. Ai theksoi se fitorja e kësaj lufte do të mbahet mend në histori, si një luftë e njerëzimit për paqen, zhvillimin dhe progresin.

Kina i falënderon të gjitha vendet, popujt e organizatat ndërkombëtare paqedashëse për përkrahjen e tyre ndaj Ushtrisë së Vullnetarëve të Popullit Kinez në këtë luftë, tha Xi, duke shtuar se kombi kinez e do paqen dhe populli kinez e njeh mirë vlerën e saj.

Më tej në fjalimin e tij kreu i shtetit kinez theksoi se suksesi i Luftës së Rezistencës ndaj Agresionit të ShBA-së dhe të Ndihmës për Korenë tregon vendosmërinë e prerë të Kinës për mbrojtjen e paqes botërore.

Ai theksoi se Kina kurrë nuk do të kërkojë hegjemoni ose zgjerim dhe kundërshton vendosmërisht hegjemonizmin dhe politikën e më të fortit, duke ndjekur një politikë të mbrojtjes kombëtare me karakter mbrojtës. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se populli kinez do të sulmojë në situata serioze, si cenimi i sovranitetit kombëtar, i sigurisë e i interesave të zhvillimit dhe shkelja ose ndarja e territorit kinez.

Pas fillimit të luftës civile në Kore në qershor të vitit 1950, qeveria amerikane dërgoi ushtarë për të ndërhyrë, duke filluar luftën ndaj Koresë së Veriut. ShBA-ja nuk dëgjoi paralajmërimet e palës kineze dhe kaloi paralelin 38 gradë, duke iu afruar kufirit midis Kinës e Koresë së Veriut. Madje aeroplanët amerikanë bombarduan qytezat kufitare të Kinës Verilindore. Me kërkesën e palës koreanoveriore, pala kineze krijoi Ushtrinë e Vullnetarëve të Popullit Kinez, që në tetorin e vitit 1950 shkoi në Korenë e Veriut, duke filluar Luftën e Rezistencës ndaj Agresionit të ShBA-së dhe të Ndihmës ndaj Koresë.

Kjo luftë, që zgjati dy vjet e 9 muaj, krijoi në historinë e luftërave botërore shembullin e fitores së më të dobtit ndaj më të fortit. (Wang Lei/ Çang Çuo/ Artan Goga)