驳斥---[bó chì]---hedh poshtë

Një i dërguar kinez hodhi poshtë të mërkurën akuzat kundër Kinës nga përfaqësuesja e përhershme e ShBA-së në Kombet e Bashkuara, Kelly Craft, në Komitetin e Tretë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Shtetet e Bashkuara edhe një herë bënë akuza të pabazuara kundër Kinës dhe abuzuan me platformën e OKB-së për të përhapur thashetheme dhe për të provokuar konfrontim për qëllimet e politikës së vet të brendshme, tha Dai Bing, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB. "Kina i kundërshton dhe i hedh poshtë me vendosmëri këto akuza," theksoi ai.

Dai Bing shtoi se është e gabuar, e kotë dhe e papërgjegjshme të përbaltet dhe fajësohet Kina për pandeminë e COVID-19. "Kina e ka vënë nën kontroll sëmundjen, ndërsa në Shtetet e Bashkuara numri i rasteve të konfirmuara i ka kaluar 7 milionët, dhe në ditët e fundit disa dhjetëra njerëz në Shtëpinë e Bardhë kanë dalë pozitivë për koronavirusin. Kina e vendos jetën e njerëzve në radhë të parë. Me numrin e të vdekurve që ka arritur mbi 210 000, qeveria amerikane i detyrohet popullit të vet një shpjegim për numrin më të lartë të rasteve dhe vdekjeve të konfirmuara në botë," shtoi Dai.

Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës vuri në dukje më tej se Rajoni Autonom i Xingjiang-ut gëzon qëndrueshmëri e përparim shoqëror dhe banorët e të gjitha kombësive atje jetojnë së bashku në harmoni. Në Xingjiang ka 24 400 xhami, 10 herë më shumë se në Shtetet e Bashkuara. Nga viti 2010 deri në 2018-n, popullsia ujgure në këtë rajon u rrit më shumë se 25 për qind, duke arritur nga 10.17 milionë në 12.71 milionë, 10 herë më shumë se banorët e kombësisë hane. "I ashtuquajturi 'sterilizim i detyruar' është një gënjeshtër e pastër," tha ai.

Kur trazirat e dhunshme u zhvilluan në Hong-Kong vitin e kaluar, ndërtesa e parlamentit u shkatërrua, parlamentarët u goditën me thikë, njerëzit u plagosën dhe bizneset u paralizuan. Jeta e njerëzve të zakonshëm hyri në një kaos të thellë, vuri në dukje Dai. Njerëzit në Hong-Kong ishin shumë të trishtuar. Asnjë vend sovran nuk do të rrinte duarkryq në rrethana të tilla. Me zbatimin e ligjit të sigurisë kombëtare, 80 për qind e banorëve të tij besojnë se Hong-Kongu është shumë më i sigurt, shtoi ai.

Bota e sotme përballet me sfida të shumta, dhe vendet e ndryshme presin që fuqitë e mëdha të mbajnë përgjegjësi të veçanta. Shtetet e Bashkuara, megjithatë, e vendosin veten e tyre në plan të parë, duke u tërhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në një kohë delikate, duke frikësuar e sanksionuar vendet e tjera dhe duke minuar bashkëpunimin shumëpalësh, theksoi Dai.

Shtetet e Bashkuara i nisin luftërat pa u menduar mirë dhe vendosin sanksione të njëanshme sipas dëshirës, duke shkaktuar qindra mijë viktima civile, tha në vijim përfaqësuesi kinezi, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara po ngrihen kundër bashkësisë ndërkombëtare dhe shpesh janë të izoluara në Këshillin e Sigurimit.

Populli kinez është ai që e njeh më mirë gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë. Niveli i miratimit për qeverinë kineze është mbi 90 për qind dhe asnjë forcë nuk mund të ndalojë zhvillimin dhe përparimin e Kinës, tha ai. "Ne i nxisim Shtetet e Bashkuara të braktisin mendësinë e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimet ideologjike, të njohin përparimin historik lidhur me të drejtat e njeriut të arritur prej popullit kinez dhe të ndalojnë përhapjen e gënjeshtrave dhe 'virusit politik'," theksoi zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Dai Bing. (Vera/Artan)