新经济---[xīn jīngjì]---Ekonomi të reja

15 mijë, kjo është shifra e stacioneve bazë të 5G-së që përurohen çdo ditë në Kinë. Sipas një raporti të publikuar ditët e fundit nga Qendra e Informimit të Shërbimit të Internetit e Kinës (CNNIC), deri në fund të qershorit të sivjetshëm, në Kinë janë vënë në përdorim mbi 400 mijë baza të tilla, shifër kjo që pritet të kalojë 600 mijë para fundit të këtij viti. Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës botoi një koment, duke e quajtur atë si një përfaqësues i një kontigjenti të madh infrastrukturash të reja që janë në ndërtim e sipër në mbarë vendin.

Infrastrukturat e reja nënkuptojnë infrastrukturat me teknologji të lartë në fusha si telekomunikacion, energji, transport, digjitalizim etj. Zhvillimi i infrastrukturave të reja synon të hedhë një bazë shëndoshë për përparimin e ekonomisë kineze drejt informatizmit dhe zhvillimit inteligjent, duke nxitur shndërrimin digjital, përshkallëzim inteligjent dhe risitë nëpërmjet zhvillimit të integruar të më shumë industrive, në mënyrë që të realizohet zhvillimi cilësor i ekonomisë kombëtare.

Sipas studimit të Korporatës Ndërkombëtare të të Dhënave (IDC), infrastrukturat e reja janë bërë pika kyçe për rimëkëmbjen ekonomike dhe shkallëzimin industrial të Kinës. Studimi thotë gjithashtu se në vitin 2020, investimet e përgjithshme në këtë fushë, do të arrijnë në mbi 1.63 trilionë juanë.

Sipas komentit, ekonomia kineze pavarësisht prirjes së mirë në përgjithësi, po përballet edhe me vështirësinë e sfidave strukturore, sistemike dhe periodike. Krahas ndryshimit të mjediseve të jashtme me shpërthim të pandemisë, ngritje të zërave për proteksionizëm, unilateralizëm, rigjallërim të ngadaltë ekonomik dhe paqëndrueshmëri të zinxhirëve furnizuesë globalë, etj., ekonomisë kineze i duhet të gjejë pika dhe motorë të rinj nxitës.

"Tani, po shohim se ekonomitë e reja me ekonominë digjitale si përfaqësuese po shfaqin elasticitet dhe gjallëri jashtë mase gjatë pandemisë. Në bazë të teknologjive digjitale, shumë modele të biznesit po zhvillohen shpejt, si puna online në distancë, mësimdhënie në internet, shërbime mjekësore virtuale etj. Në të njëjtën kohë, tregtia elektronike nëpërmjet shfrytëzimit të teknologjive të të dhënave dhe rrjetit inteligjent të logjistikave kanë bërë përparim të pashembullt. Krahas shtimit të kërkesave të sektorëve të ndryshëm për infrastrukturat e telekomunikacionit dhe integrim me më shumë teknologji digjitale, mund të parashikojmë se në epokën pas-pandemike, kjo prirje do të vijojë, duke e nxitur ekonominë kineze të futet në digjitalizimin e gjithanshëm me krijimin e më shumë shanseve të reja", thuhet në komentin e CMG-së.

Në vitin 2019, vlera e shtuar e sektorit të ekonomisë digjitale arriti në 35.8 trilionë juanë, sa 36.2% e PBB-së së Kinës, duke shënuar një rekord të ri historik. Vlen të përmendet se përqindja e kontributit të sektorit të shërbimeve teknologjike si transmetim të të dhënave, softuerët etj., ndaj PBB-së ka mbetur mbi 10% në vitet e fundit. Lidhur me këtë, Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO) bëri të ditur se Kina është shndërruar nga përdoruese kryesore në një prodhuese e teknologjisë dhe risitë teknologjike janë bërë një forcë e rëndësishme e rritjes së ekonomisë kineze, gjë që ka vërtetuar largpamësinë e politikave të Kinës për nxitjen e zhvillimit ekonomik nëpërmjet investimeve në risitë teknologjike.