机遇---[jī yù]---rast

Këtë vit kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping e ka theksuar shumë herë që duhet të nxitet të formohet modeli i ri i zhvillimit me qarkullimin e brendshëm si thelb dhe me nxitjen e ndërsjellë të qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm. Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Komisionin e OKB-së për Çështjet Ekonomiko-Shoqërore të Azi-Paqësorit Ke Yousheng u shpreh në një intervistë për CMG-në se kjo është zgjedhja e Kinës e bazuar në gjendjen e tanishme brenda e jashtë vendit e në planin e 14-të 5-vjeçar. Ajo do t’i sjellë botës raste të reja zhvillimi.

Ke Yousheng-u është i mendimit që Kina po formon një model të ri zhvillimi me nxitjen e ndërsjellë të "dy qarkullimeve" për dy arsye. Së pari, ky është një ligj i brendshëm i zhvillimit ekonomik të një vendi të madh. Duke parë procesin e zhvillimit të ekonomive kryesore të botës, vëren se, kur ato arrijnë në një fazë të caktuar zhvillimi, do të kalojnë medoemos në modelin e zhvillimit me integrimin e "dy qarkullimeve", me mbizotërimin e kërkesës së brendshme. Ky rregull përshtatet edhe me gjendjen e Kinës. Lidhur me arsyen e dytë, gjendja e zhvillimit me "dy qarkullime" në fakt është reagimi në kohë i Kinës për ndryshimin e gjendjes ndërkombëtare.

“Tani gjendja ndërkombëtare ka ndryshuar shumë. Bota është futur në një periudhë të trazuar, proteksionizmi dhe unilaterizmi janë në rritje, ka lindur prirja e antiglobalizimit dhe sistemi tregtar global ka marrë goditje të rëndë. Për të nxitur formimin e modelit të ri, duhet të nisemi nga kërkesa e brendshmedhe të synojmë te kërkesa e brendshme, sepse kjo është në të mirë të shfrytëzimit të epërsive tona në treg, industri, talente, teknologji e financim dhe mund të përmbushë aktivisht kërkesat e reja të zhvillimit,” thotë Ke.

Duke folur për burimin e gjallërisë së qarkullimit të brendshëm të Kinës dhe lidhjet mes "dy qarkullimeve", Ke Yousheng u shpreh që "dy qarkullimet" janë bazuar te tregu vendas dhe ky treg e tregu ndërkombëtar mund të shfrytëzojnë epërsitë e veta dhe të nxisin njëri-tjetrin. Për nxitjen e qarkullimit të brendshëm, së pari duhet të stimulohen motorët e rinj të zhvillimit nëpërmjet shkencës e teknologjisë dhe, së dyti, duhet të nxitet gjallëria e re e zhvillimit me thellimin e reformave.

Disa mendojnë që “qarkullimi i brendshëm si thelb” do të thotë mbyllje e dyerve dhe vetizolim. Ke Yousheng u shpreh që ky është krejtësisht një keqkuptim. Modeli i ri i zhvillimit kurrë nuk do të thotë qarkullim i brendshëm me mbyllje, por dy qarkullime me hapje. Historia ka provuar shumë herë që nga hapja vjen përparimi dhe nga mbyllja regresi. Kina po realizon zhvillimin e vet duke dhënë një kontribut të madh për zhvillimin e botës.

Koncepti i Kinës për modelin e ri të zhvillimit me "dy qarkullime" ka tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare. Z. Ke thotë që, si përfaqësuesi i Kinës në OKB për çështjet ekonomiko-shoqërore, në bisedimet e përditshme me zyrtarët e vendeve të ndryshme në OKB, ata shpeshherë bëjnë pyetje mbi modelin e ri të zhvillimit të Kinës.

“Kur njihen me ‘modelin e ri të zhvillimit’, ata në përgjithësi e miratojnë dhe e mirëpresin atë, duke menduar që ky është një rregullim në kohë i Kinës i bazuar në gjendjen e zhvillimit brenda e jashtë vendit dhe se kjo është në të mirë të shtimit të bashkëpunimit në ekonomi dhe investime. Palët po presin ‘modelin e ri të zhvillimit’, po presin që ky model i ri të nxitë bashkëpunimin ekonomik në Azi-Paqësor, po presin që vendet e ndryshme të favorizohen nga ‘modeli i ri i zhvillimit’ i Kinës dhe po presin që ‘modeli i ri i zhvillimit’ ta ndihmojë botën të kalojë pandeminë, duke arritur mëkëmbjen ekonomike,” thotë përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Komisionin e OKB-së për Çështjet Ekonomiko-Shoqërore të Azi-Paqësorit Ke Yousheng. (Jiang Lei)