框架---[kuàng jià]---kornizë

Të mërkurën, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u shpreh në një intervistë se politika e Kinës ndaj ShBA-së ka ruajtur vijimësinë e qëndrueshmërinë dhe se pala kineze është e përgatitur për vështirësitë e mundshme në marrëdhëniet me palën amerikane. Ai theksoi se ShBA-ja po bën një gabim serioz dhe thelbësor strategjik që e shikon Kinën si kundërshtare, duke i investuar burimet e veta strategjike në një drejtim të gabuar. Ministri shtoi se pala kineze ruan gjithmonë frymën e moskonfliktualitetit, të respektit të ndërsjellë dhe të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella, për të formuar së bashku me ShBA-në një marrëdhënie dypalëshe bashkërenduese, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, kryediplomati kinez vuri në dukje vendosmërinë e Kinës për mbrojtjen e sovranitetit, të sigurisë dhe të interesave kombëtare të zhvillimit, të cilat janë të drejta të ligjshme të një vendi sovran. Ai i sugjeroi ShBA-së që të zbatojë parimin e barazisë sovrane të propozuar në Kartën e OKB-së, të respektojë bashkëjetesën paqësore të sistemeve e të qytetërimeve të ndryshme dhe të pranojë realitetin e një bote shumëpolare.

Wang Yi shtoi se, përballë situatës më të ndërlikuar që prej vendosjes së marrëdhënieve kino-amerikane, duhet të përcaktohet korniza e qartë e këtyre marrëdhënieve.

Së pari, duhet të përcaktohet kufiri i fundit, për të shmangur konfliktet. Zhvillimi i shëndetshëm i marrëdhënieve kino-amerikane bazohet në respektin e ndërsjellë. Kina nuk dëshiron kurrë që të ndërhyjë në zgjedhjet në ShBA dhe në politikat e brendshme të saj, vuri në dukje Wang. Nga ana e saj, ShBA-ja duhet të heqë dorë nga iluzioni i ndryshimit të Kinës sipas nevojave të veta, të ndalojë ndërhyrjen e paarsyeshme në punët e brendshme të Kinës dhe të ndërpresë goditjen brutale ndaj të drejtave dhe interesave të ligjshme të Kinës.

Së dyti, palët duhet t'i mbajnë të hapura kanalet e komunikimit dhe të zhvillojnë bisedime të sinqerta. Dialogu është parakushti i zgjidhjes së problemeve. Pa dialog do të grumbullohen më shumë problemet, gjë që mund të shkaktojë daljen e situatës nga kontrolli. Dyert e dialogut të palës kineze janë të hapura. "Jemi të gatshëm të komunikojmë me palën amerikane me një qëndrim të barabartë e të hapur, duke rifilluar mekanizmat e dialogut në nivele dhe fusha të ndryshme," theksoi Wang.

Së treti, sipas tij, nuk duhet të pranohet e ashtuquajtura "shkëputje" midis dy vendeve dhe të ruhet bashkëpunimi. Interesat e Kinës dhe të ShBA-së janë të integruara thellësisht. "Shkëputja" me forcë do të shkaktonte goditje afatgjata në marrëdhënien ndërmjet dy vendeve dhe do të kërcënonte sigurinë e zinxhirit industrial global e interesat e vendeve të ndryshme. "Përballë sfidës së epidemisë, dëshirojmë që të zhvillojmë bashkëpunim me përfitime të ndërsjella me palën amerikane në fushat e parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë, të rimëkëmbjes ekonomike etj., të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të ndajmë përvojat antiepidemike me njëri-tjetrin, duke nxitur së bashku bashkëpunimin shumëpalësh global në luftën kundër epidemisë," u shpreh ministri i Jashtëm i Kinës.

Së fundi, duhet të hiqet dorë nga koncepti që "fituesi i merr të gjitha" dhe të ndahen përgjegjësitë. Në botën e sotme kanë dalë në mënyrë të pandërprerë probleme globale. Sfidat tradicionale dhe jotradicionale ndaj sigurisë janë të ndërlidhura. Pothuasje për të gjitha problemet urgjente ndërkombëtare dhe rajonale nevojitet bashkërendimi mes Kinës, ShBA-së dhe vendeve të tjera. Kina dhe ShBA-ja duhet të mbajnë përgjegjësitë e vendeve të mëdha, të zhvillojnë bashkëpunimin dhe bashkërendimin e nevojshëm në OKB dhe në mekanizmat e tjera shumëpalëshe, për të dhënë kontribut për paqen dhe stabilitetin global,vuri në dukje në intervistën e tij ministri i Jashtëm Wang Yi. (Xu Guang)