产品---[chǎn pǐn]---produkt

Pas përpjekjeve mbi 20-vjeçare, Sistemi i Lundrimit Satelitor Global "Beidou-3" filloi funksionimin ditët e fundit, duke i ofruar botës shërbime publike.

Sistemi "Beidou" emërohet sipas shtatë yjeve të Arushës së Madhe. Sipas legjendës së lashtë kineze, këto shtatë yje përfaqësojnë dritën dhe drejtimin, duke u treguar udhëtarëve drejtimin e duhur natën dhe duke qenë kështu si "far qiellor".

Fari është një produkt publik tipik sipas ekonomistëve. Produkti publik ka dy karakteristika bazë: së pari, një grup njerëzish përfitojnë prej tij, por pa ndikuar te grupe të tjera, të cilat edhe mund të favorizohen nga ky produkt; së dyti, askush nuk mund të monopolizojë përfitimet e produktit publik. Pas ndërtimit të farit, të gjitha anijet që kalojnë në zonën detare të ndriçuar prej tij, mund të përfitojnë. Shtimi i anijeve në këtë zonë nuk ndikon në dritën e farit. Sistemi "Beidou" i studiuar nga Kina është një produkt publik që i ofron shërbime publike tërë botës dhe është "fari" i lundrimit në kohën e informacionit.

Për shembull, në rajonin e Azi-Paqësorit, për të cilin sistemi "Beidou" ofroi më herët shërbime, në Mianmar me 70% të popullsisë që merret me bujqësi, "Beidou" ofron të dhëna për planifikimin e tokës bujqësore dhe pyjore. Në Kamboxhia, të dhënat e sistemit "Beidou" përdoren për dërgimin e taksave, ndërsa në Tajlandë dhe Laos ato luajnë rol të rëndësishëm për administrimin e saktë të bujqësisë, mbikëqyrjen e dëmtimeve prej kandrrave etj. Në Singapor dhe Brunei, sistemi kinez i navigimit satelitor përkrah zhvillimin e qytetit të zgjuar dhe turizmit të zgjuar. Zv.drejtori i Zyrës së Teknologjisë së Përparuar dhe Hapësirës pranë Departamentit të Shtetit të ShBA-së David Turner vlerësoi në fund të vitit të kaluar se pjesëmarrja e "Beidou"-t në Sistemet e Navigimit Satelior Global (GNSS) ka forcuar aftësinë e navigimit satelitor global, duke u ofruar klientëve shërbime më cilësore. Media franceze e quajti sistemin "Beidou" si "Rruga e Mëndafshit në hapësirë".

"Beidou" është një platformë e hapur, që zhvillon bashkëpunim dhe bashkërendim të pandërprerë me GPS të ShBA-së, "Glonass" të Rusisë dhe "Galileo" të BE-së. Për shembull, "Beidou" ka realizuar ndërpërdorimin e informacioneve civile me GPS-in, të përdorur më gjerësisht në kohën e tanishme. Klientët mund të përdorin në të njëjtën kohë informacionet civile të "Beidou"-t dhe të GPS-it. Teknologjia e re e "Beidou"-t mund t'u bëjë ballë efektivisht ndërhyrjes në sinjal në mjedise të tilla si ndërtesat, pyjet etj., dhe mund të realizojë bashkërendimin e sinjaleve me sistemet e tjera satelitore, duke garantuar shërbimet e pandërprera të navigimit.

Sistemi "Beidou" ka edhe funksionin e dërgimit të mesazheve të shkurtra në kohë urgjente. Gjatë tërmetit të madh në Wenchuan të provincës Sichuan në vitin 2008, të gjitha sinjalet e komunikimit tokësor u ndërprenë. Nga epiqendra e tërmetit nuk u dërgua asnjë lajm për 20 orë. Pas arritjes së ekipit të parë të ndihmës aty, u dërguan mesazhe të çmuara nëpërmjet sistemit "Beidou" për situatën e tërmetit atje, të cilat u bënë bazë e rëndësishme e ndihmës lidhur me tërmetin. Në zonat e pabanuara, në det, në rajonet polare etj., sistemi "Beidou" mund të përdoret për dërgimin e mesazheve të shkurtra për ndihmë dhe drejtimin e punës emergjente.

"Beidou" mund t'i ofrojë botës sonë më shumë shërbime publike. (Xu Guang)