脱钩---[tuō gōu]---shkëputje

Në fjalimin e mbajtur ditët e fundit në Bibliotekën “Nixon”, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e përbalti Kinën, duke e akuzuar për “kërcënim” ndaj ndërmarrjeve amerikane, dhe pretendoi se ndërmarrjet amerikane që bëjnë biznes me Kinën “lajkatojnë partinë në fuqi në Kinë” dhe shkaktojnë “grabitjen e ShBA-së nga Kina”. Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG) thuhet se, pikërisht ata politikanë amerikanë, të përfaqësuar nga Pompeo, që flasin për “konkurrencën e lirë”, janë dora e zezë politike që ndërhyn në vendimmarrjen normale të biznesit dhe pengon zhvillimin e lirë të ndërmarrjeve amerikane.

Pse ndërmarrjet amerikane parapëlqejnë të bëjnë biznes në Kinë? Sepse leverdia e ndërsjellë dhe përfitimet e përbashkëta kanë qenë thelbi i shkëmbimeve ekonomiko-tregtare dypalëshe gjatë mbi 40 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe ShBA-së.

CMG-ja vë në dukje më tej se vitet e fundit, kompanitë amerikane në Kinë kanë realizuar të ardhura nga shitjet me një vlerë prej 700 miliardë dollarësh amerikanë në vit, ndërsa fitimet vjetore i kanë kaluar 50 miliardë dollarët amerikanë. Njëkohësisht, mallrat kineze me cilësi të lartë, por me çmim të ulët, kanë hyrë në miliona familje amerikane. Mund të thuhet se ndërmarrjet dhe qytetarët amerikanë kanë përfituar shumë nga tregu kinez. Thëniet e Pompeos për të ashtuquajturën “grabitjen e ShBA-së nga Kina” janë fare të pabaza.

Në një artikull të ditëve të fundit të ekspertit gjerman për çështjet kineze, Frank Sieren, vihet në dukje se asnjë kompani amerikane nuk dëshiron të heqë dorë nga tregu kinez dhe 1.4 miliardë konsumatorë të mundshëm. Përqindja e kursimit ndër amerikanët arriti në 33 % në prill, duke shënuar rekord në histori, ndërkohë edhe përqindja e lartë e papunësisë këtë vit është shqetësuese. “Ndërmarrjet amerikane kanë nevojë më shumë se kurdoherë për tregun kinez,” vuri në dukje Siereni.

Njëkohësisht, një sërë masash të Kinës për stabilizimin e tregtisë së jashtme dhe investimeve të huaja përballë gjendjes epidemike, kanë forcuar besimin e ndërmarrjeve të huaja për thellimin e biznesit në Kinë. Banka Botërore publikoi më 27 korrik një raport për përvojën e suksesshme të Kinës në përmirësimin e mjedisit të biznesit, duke vënë në dukje se, në renditjen për mjedisin e biznesit, të hartuar nga ky institucion, Kina u ngjit nga vendi i 78-të në vitin 2018 në të 31-tin sivjet. Kina u përfshi për dy vjet me radhë ndër dhjetë ekonomitë me hapat më të shpejtë të reformimit në botë.

Pikërisht duke ndjekur rregullat e ekonomisë së tregut, ndërmarrjet amerikane kanë shtuar investimet në tregun kinez. Sivjet, “Exxon Mobil”, “Honeywell”, “Tesla”, “Wal-Mart” dhe kompani të tjera amerikane kanë shtuar investimet dhe bashkëpunimin me Kinën. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë, 84 % e kompanive amerikane nuk dëshirojnë të tërhiqen nga Kina, ndërsa 38 % do të ruajnë të njëjtin nivel ose do të shtojnë investimet në Kinë. Edhe shumë firma amerikane të konsulencës kanë shprehur besimin për perspektivën e zhvillimit të Kinës

Faktet tregojnë se orvatjet e politikanëve amerikanë si Pompeo për detyrimin e shkëputjes ekonomike midis Kinës dhe ShBA-së, do të dështojnë patjetër, përfundon komenti i Grupit Mediatik të Kinës (CMG).