火星---[huǒxīng]---Mars

Sonda e Kinës për hulumtimin në Mars “Tianwen-1” është lëshuar në hapësirë me raketën mbajtëse kineze “Marshimi i Madh-5”, duke nisur misionin e parë të Kinës në Mars. Sipas programit, misioni i “Tianwen -1” do të ketë tre objektiva: qarkullimi rreth orbitës së Marsit, ulja dhe ecja në Mars.

Përgjegjësi i Departamentit të Operacioneve në Qendrën e Operacioneve Hapësinore pranë Agjencisë Hapësinore Europiane, Paolo Ferri, u shpreh që ky është një plan ambicioz.

“Tre objektiva në një mision, kjo është shumë ambicioze. Europa nuk e ka arritur këtë dhe ne nuk kemi bërë ulje me sukses (në Mars). Vendet e tjera që duan të ulen në Mars, zakonisht i arrijnë objektivat e tyre me misione të ndryshme. Tre objektiva në një mision është një gjë ambicioze dhe inkurajuese, sepse do të përballohen të gjitha sfidat e shkuarjes në Mars: orbitimi rreth Marsit, kërkimi për një vend uljeje dhe ulja në Mars. Unë po e pres me padurim këtë mision,” thotë Ferri.

Vitet e fundit, Kina ka pasur zhvillim të shpejtë në eksplorimin e hapësirës. Paolo Ferri u shpreh që Kina ka bërë me sukses ulje në anën e pasme të Hënës dhe programi i fluturimeve në Mars do të jetë një hap i madh i Kinës në hapësirë:

“Për Kinën, ulja në Mars është një hap i ri. Kina mund të shfrytëzojë teknologjinë dhe përvojën e grumbulluar nga ulja në Hënë. Sigurisht, ulja në Mars ndryshon nga ulja në Hënë, pasi në Mars nuk ka atmosferë dhe forca e rëndesës është shumë e madhe. Ne mund të themi me siguri që ky është një hap i madh i programit kinez të eksplorimit të hapësirës”.

Marsi është planeti që ndodhet më afër me Tokën dhe ka një mjedis të ngjashëm me të. Prej kohësh, “planeti i kuq” ka qenë objektivi i parë i njerëzimit për të dalë jashtë sistemit Tokë-Hënë. Tani ShBA-ja, Europa dhe India po bëjnë huluntime në Mars. Në vitet 2003 dhe 2013, Europa filloi misionin “Mars Express”, duke nisur edhe satelitin për gjurmimin e gazit “ExoMars”. Korriku i sivjetshëm është periudha e huluntimeve në Mars. Emiratet e Bashkuara, Kina dhe ShBA-ja kanë nisur sondat e tyre për në këtë planet. Hulumtimet në Mars po bëhen një arenë e konkurrimit të vendeve të fuqishme në fushën e eksplorimit hapësinor. Paolo Ferri u shpreh që, megjithëse këto vende kanë konkurrencë në këtë drejtim, hulumtimet hapësinore nuk mund të bëhen pa bashkëpunimin ndërkombëtar. (Jiang Lei)