考察---[kǎo chá]---inspektim

Të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i PKK-së Xi Jinping bëri një inspektim në provincën Jilin. Atë ditë pasdite, ai shkoi së pari në qytezën Lishu të qytetit Siping, ku vizitoi zonën eksperimentale të bazës së prodhimit të standardizuar të misrit dhe kooperativën bujqësore “Luwei”, për t’u njohur me gjendjen e prodhimit të drithërave, mbrojtjen e tokës së zezë dhe mekanizimin e bujqësisë. Më pas, Xi vizitoi Muzeun Përkujtimor të Betejës së Siping-ut, ku i hodhi përsëri një vështrim historisë së revolucionit.

Qyteza Lishu ka krijuar në vitin 2017 zonën eksperimentale të bazës së prodhimit të standardizuar të misrit, që është baza më e madhe e vendit për prodhimin e standardizuar të lëndëve bazë të ushqimit të gjelbër (misër).

Në këtë bazë zbatohet një model bashkëkohor prodhimi, me teknologji të reja kultivimi në thelb, duke krijuar një sistem modern që mbulon tërë procesin e prodhimit.

Në vjeshtë fshatarët i kthejnë kallamat e misrit në fusha dhe, në pranverën e ardhshme, bëhet mbjellja e drejtpërdrejtë me makina moderne. Me teknologjinë e re të mbjelljes mund të pakësohet gërryerja e tokës e të parandalohet varfërimi i saj, si dhe të shtohet aftësia e tokës për përballimin e thatësirave.

Krahas kësaj, në bazën e prodhimit është vënë në përdorim edhe sistemi i menaxhimit që bën gjurmimin e burimeve, si edhe modeli i prodhimit “bazë prodhimi + kooperativë + ndërmarrje”. Me këtë model të ri, të ardhurat e fshatarëve mund të rriten me mbi 25 milionë juanë.

Gjatë inspektimit kreu i shtetit kinez Xi Jinping vizitoi edhe Muzeun Përkujtimor të Betejës së Siping-ut, që ndodhet në sheshin “Yinxiong” të qytetit. Në këtë muze me një sipërfaqe prej 3.1 mijë metrash katrorë janë paraqitur mbi 500 sende, fotografi dhe dokumente të asaj kohe.

Gjatë luftës çlirimtare, Siping-u ka pasur një pozicion jashtëzakonisht të rëndësishëm strategjik. Për të kujtuar këtë histori, në vitin 1958 është krijuar Muzeu Përkujtimor i Betejës së Siping-ut.
(Jiang Lei)