Fjala   kyçe: 脱钩---[tuō gōu]---shkëputje

Ditët e fundit, Forumi i Azisë Lindore i   Australisë dhe Universiteti i Teknologjisë i Sidneit publikuan raporte të   veçanta, ku shprehet mendimi se "shkëputja e marrëdhënieve" ekonomike me Kinën   nuk do t'i sjellë asnjë përfitim Australisë dhe se e tërë bota do të marrë   impuls nga vënia e shpejtë nën kontroll e epidemisë prej Kinës dhe nga zhvillimi   i fuqishëm i ekonomisë kineze.

Kohët e fundit, marrëdhëniet kino-australiane   kanë pasur disa zigzage. Disa medie dhe politikanë australianë bënë thirrje që   Australia të mos varet së tepërmi nga ekonomia kineze dhe të shkëputet nga ajo.   Për këtë, Instituti i Marrëdhënieve Australi-Kinë pranë Universitetit të   Teknologjisë të Sidneit publikoi një raport studimor, ku ka përdorur të dhënat   statistikore nga Ministria e Punëve dhe e Tregtisë së Jashtme e Australisë. Këto   të dhëna tregojnë se, në 10 vjetët e kaluar, vlera e përgjithshme e eksportit të   Australisë u shtua mesatarisht me 180 miliardë dollarë australianë (mbi 120   miliardë dollarë amerikanë) në vit, 60 % e të cilave kanë ardhur nga tregtia me   Kinën. Nëse Australia largohet nga tregu i Kinës, "do të pakësohen të ardhurat   dhe rastet e punësimit të australianëve", thuhet në raport. Një ndër autorët e   raportit, drejtori i Institutit të Marrëdhënieve Australi-Kinë të Universitetit   të Sidneit, prof. James Laurenceson, u shpreh se zhvillimi pozitiv i shkëmbimeve   ekonomike me Kinën do të favorizojë interesat kombëtare të   Australisë.
"Zhvillimi i ekonomisë kineze është shumë i rëndësishëm për Kinën   dhe botën. Në 10 vjetët e kaluar, ose në fakt për më shumë se 10 vjet, Kina   kontribuoi për 1/3 e rritjes ekonomike globale. Për sa i përket palës   australiane, edhe ne kemi përfituar dhe do të vazhdojmë të përfitojmë nga kjo.   Nëse humbim 1/3 e rritjes ekonomike globale të ardhur nga Kina, mbarë ekonomia   botërore do të pësojë një goditje të rëndë. Sipas të dhënave statistikore të   Kinës, ekonomia kineze po del nga ndikimet e epidemisë," theksoi   ai.
Ekonomistja e Universitetit Kombëtar Australian, zonja Jane Golley, është   e mendimit se ekonomia australiane ka gëzuar një kohë të artë zhvillimi për   shkak të lidhjeve ekonomike mes Australisë dhe Kinës. Me daljen graduale të   Kinës nga ndikimi i epidemisë, Australia duhet të vazhdojë bashkëpunimin e   ngushtë me Kinën, për të garantuar zhvillimin ekonomik në periudhën pas   epidemisë.
Ditët e fundit, Forumi i Azisë Lindore i Australisë publikoi një   artikull me titullin: "Bota do të paguante një çmim të shtrenjtë nga shkëputja   me ekonominë kineze", ku vihet në dukje se vazhdimi i zhvillimit të   marrëdhënieve ekonomiko-tregtare përputhet me interesat e përbashkët të   Australisë dhe Kinës. Për këtë, prof. James Laurenceson është i mendimit se   Australia duhet të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me Kinën, e cila po ndjek   rrugën e inovacionit, dhe Australia do të ketë përfitime nga kjo.
"Kina ka   hartuar një plan të drejtë të zhvillimit ekonomik. Për shembull, Kina e kuptoi   qartë nevojën e nxitjes së përparimit tekniko-shkencor dhe të rritjes së   produktivitetit, për të shtuar të ardhurat e banorëve. Modeli i vjetër i   zhvillimit i Kinës s'mund të vazhdonte dhe ekonomistët kinezë e kuptuan qartë   këtë gjë. Prandaj, nëse thellohet bashkëpunimi me Kinën, nga zhvillimi i saj do   të përfitojnë edhe vendet e tjera të botës, duke përfshirë edhe Australinë.   Sigurisht, edhe Kina do të favorizohet nga mjedisi ekonomik botëror. Nëse plani   i zhvillimit ekonomik i Kinës zbatohet në mënyrë të përshtatshme, edhe ekonomia   botërore do të përmirësohet," u shpreh Laurenceson (Xu   Guang)