Fjala kyçe:疫苗---[yì miáo]---Vaksinë 

 

Kryeshkencëtarja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë Soumya Swaminathan u shpreh të enjten se vaksina kundër COVID-19 pritet të dalë para fundit të këtij viti, por shtoi se vendet e ndryshme të botës duhet të arrijnë konsensus për grupet që mund të vaksinohen të parët.

Sipas saj, deri tani të paktën 200 vaksina janë në studim e sipër. Afro 10 prej tyre janë futur në fazën klinike të provës te njerëzit dhe tre janë duke hyrë në fazën e tretë klinike, duke përfshirë edhe ato nga Kina. "Kina ka disa vaksina kandidate, të cilat kanë qenë shpresëdhënëse në fazën e parë dhe atë të dytë të provave klinike. Para fundit të këtij viti mund të ketë një ose dy vaksina të suksesshme. Shpresojmë se në vitin 2021, mund të jemi në gjendje të prodhojmë 2 miliardë doza për mbarë botën", tha znj. Swaminathan.

Ajo theksoi gjithashtu se pandemia e COVID-19 është një ndër sfidat më serioze globale dhe nuk duhet të ulet vigjilenca:

"Jam e mendimit se, megjithëse kemi mundësi të bëjmë ndërhyrje njerëzore, virusi, siç themi ne shpesh, është shumë i zgjuar e i rrezikshëm dhe nuk duhet të nënvlerësohet. Prandaj duhet të ndjekim me vëmendje ndryshimin e tij".

Znj. Swaminathan vuri në dukje se OBSh-ja po propozon krijimin e një kornize për të përcaktuar se cilët duhet të vaksinohen të parët. Ata mund të përfshijnë, për shembull, një pjesë punonjësish në frontin e parë, shoferët e personelin mjekësor të ambulancave dhe punonjës të tjerë shëndetësorë, policët, punonjësit në dyqanet e shitjes me pakicë, pastruesit etj., të cilët janë më të ekspozuar ndaj virusit. Por, sipas saj, palët e ndryshme duhet të arrijnë një konsensus në këtë drejtim.

Kryeshkencëtarja e OBSh-së shtoi se ata që mund të përfitojnë nga vaksina përfshijnë edhe të moshuarit, të sëmurët nga diabeti, tensioni i lartë të gjakut dhe demencia. Sipas saj, ata që gjenden në burgje e në shtëpitë e të moshuarve, punëtorët e fabrikave ose banorët e lagjeve të varfra ku ka rënë epidemia, duhet të jenë gjithashtu ndër të parët për sa i përket vaksinimit. Për realizimin e këtij objektivi, vendet e ndryshme duhet të japin mbështetje dhe financim ndaj Mekanizmit Global të Qasjes në Vaksinat kundër COVID-19.

Znj. Swaminathan bëri të ditur gjithashtu se, për fat të mirë, koronavirusi i ri duket sikur po pëson shumë më pak ndryshim në krahasim me viruset e gripit. Sidomos pjesët kyçe të tij, që shkaktojnë pasoja serioze dhe reagimin imunitar, ende nuk kanë shfaqur ndryshim.