Bujqësia kontribuon në ndryshimet klimaterike dhe, nga ana tjetër, vuan efektet e saj. Në një raport të Agjencisë Evropiane të Ambientit bëhet e ditur se Bashkimi Evropian duhet të reduktojë emetimet e gazeve serrë nga bujqësia dhe të rishikojë sistemet e saj të prodhimit të ushqimit në mënyrë që të trajtojë ndryshimet klimaterike.

Zjarr në pyje(Foto:VCG)

Zjarr në pyje(Foto:VCG)

Sipas Agjencisë, megjithatë, ndryshimi i klimës është vetëm një nga presionet ndaj të cilave i nënshtrohet bujqësia. Në fakt, duke pasur parasysh kërkesën në rritje botërore dhe garën për të rrëmbyer burime, prodhimi dhe konsumi i ushqimit në BE duhet të konsiderohet në një kontekst më të gjerë. Kjo do të bënte të mundur krijimin e lidhjeve të nevojshme midis bujqësisë, energjisë dhe sigurisë ushqimore.

Një nga gabimet më serioze që mund të bëhet kur mendohet për ndryshimet klimaterike është të besosh se evropianët, që jetojnë në një rajon të botës që në fund të fundit është i mbrojtur dhe mbi të gjitha i pasur, do të jenë të imunizuar, të paktën në fillim për dëmin më të madh të shkaktuar nga ngrohja globale dhe se edhe në afat të gjatë kontinenti evropian do të kursehet nga problemet më serioze.

Thatësirat godasin Tokë(Foto:VCG)

Thatësirat godasin Tokë(Foto:VCG)

Por për personat që jetojnë me këtë iluzion, raporti i gjashtë i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimaterike (IPCC) bën të ditur se Evropa është në rrezik po aq sa pjesa tjetër e botës dhe është veçanërisht një sektor qendror për ekonominë kontinentale si bujqësia që do të vuajë pasojat shkatërruese të klimës që na pret në dekadat e ardhshme.

Në raport, IPCC identifikon katër kategoritë kryesore të rrezikut për kontinentin evropian, të cilat karakterizohen nga fakti se ato përkeqësohen ndërsa ngrohja globale përkeqësohet. Sa më shumë rriten temperaturat, aq më afër janë këto rreziqe për t'u bërë të sigurta dhe për të shkaktuar gjithnjë e më shumë dëme.

Rreziqet për shkak të të nxehtit janë: Nëse temperatura mesatare do të rritet me 3°C, dyfishi i objektivit të vendosur, numri i vdekjeve të shkaktuara nga i nxehti do të dyfishohet. Për më tepër, temperaturat e larta do të reduktojnë habitatet e përshtatshme për speciet detare dhe madje tokësore dhe do të ndryshojnë në mënyrë të pariparueshme ekosistemet e kontinentit.

Zjarr në pyje(Foto:VCG)

Zjarr në pyje(Foto:VCG)

Rreziqet e thatësirës, të cilat veçanërisht për zonën e Mesdheut do të jenë problemi kryesor që do të përballet në vitet në vijim.

Rreziqet për shkak të përmbytjeve më të shpeshta dhe më intensive, për shkak të ndryshimeve në modelet e reshjeve dhe rritjes së nivelit të detit.

Dhe në fund, rreziqet për bujqësinë. Sipas raportit, nxehtësia e kombinuar me thatësirën do të çojnë në humbje të konsiderueshme në drejtim të prodhimit bujqësor për shumicën e zonave evropiane.

Arsyeja pse një klimë e çmendur nuk është e mirë për të korrat është e lehtë të shpjegohet. Nxehtësia e tepërt dhe mungesa e ujit ngadalësojnë, ose edhe bllokojnë, rritjen e bimëve. Valët e të nxehtit që mund të intensifikohen rrezikojnë të shkatërrojnë vite të tëra punë e përparim. Edhe modelet më bujare parashikojnë se Evropa Jugore në dekadat e ardhshme do të hasë një rritje dramatike të numrit të ditëve në një vit me burime të pamjaftueshme ujore. Me një rritje të temperaturës prej 2°C, rreth 54% e popullsisë së Evropës Jugore do të përjetojë thatësirë, megjithëse jo gjithmonë në forma ekstreme.

Thatësirat godasin Tokë(Foto:VCG)

Thatësirat godasin Tokë(Foto:VCG)

Për mos të përmendur që me rritjen e temperaturave, disa kultura do të duhet të braktisen. Parashikimet thonë se kultivimi i grurit, misrit dhe panxharit të sheqerit do të ulet me 50% në Evropën Jugore. Prandaj, të korrat do të jenë gjithnjë e më të shtrenjta dhe të vështira për t'u mirëmbajtur, me një ulje të sasisë dhe cilësisë së produkteve që vijnë në treg dhe një rritje të njëkohshme të çmimit.

Sipas një raporti të vitit 2019 të “European Economic Area”, kjo do të shkaktojë gjithashtu një kolaps të vlerës së tokës, e cila mund të ulet me 80% deri në vitin 2100, duke shkaktuar një braktisje masive të fushave dhe një biznes jo më fitimprurës. Në vitin 2018, për shkak të një kombinimi të valëve të ngricave të dimrit dhe valëve të të nxehtit të verës dhe thatësirave, Italia humbi 57% të prodhimit të saj total të ullirit. Ndërsa një vit më pas, Spanja humbi 44%.

Deri tani folëm për bujqësinë në Evropën Jugore, duke injoruar atë Veriore. Por, ka një arsye. Një nga efektet anësore të rritjes së temperaturave është se rajonet që ishin shumë të ftohta disa vite më parë për të mbështetur kultura të caktuara mund të fillojnë të kthehen në bujqësore.

Për shembull, në Saksoni, ku temperatura mesatare është rritur me rreth 2°C në dekadat e fundit, kanë filluar të shfaqen pemishtet e para me pjeshkë e kajsi. Ndërsa në Angli, Danimarkë dhe Suedi ka edhe nga ata që prodhojnë verë. Problemi është se, sipas IPCC-së, humbjet në bujqësinë e Evropës Jugore nuk do të kompensohen nga përfitimet e Evropës Veriore. Prandaj, zgjidhjet, ose të paktën masat zbutëse, duhet të kërkohen diku tjetër.

Thatësirat godasin Tokë(Foto:VCG)

Thatësirat godasin Tokë(Foto:VCG)

Përveç të gjitha konsideratave të përgjithshme se si Evropa dhe pjesa tjetër e botës duhet të reduktojë sa më shumë emetimet, të kalojë në burime të rinovueshme, etj., ka strategji më specifike për të adresuar sfidat ndaj bujqësisë në dekadat e ardhshme, të cilat janë përshkruar nga Bashkimi Evropian në Strategjinë e Përshtatjes, dhe që ofrojnë ndryshime sistematike, por edhe radikale.

Vlen të përmendet se nuk ka të bëjë vetëm me strategjitë e mbijetesës përballë një emergjence, por edhe me masat për të zbutur dhe luftuar ngrohjen globale. Edhe sot, bujqësia në Evropë prodhon 10% të emetimeve totale të gazeve serrë dhe miratimi i qëndrueshëm dhe strategjitë pa ndikim janë gjithashtu një mënyrë për të parandaluar skenarët e rasteve më të këqija.

Agjencia Evropiane e Mjedisit bën të ditur se duhen miratuar politika koherente dhe të integruara për të adresuar çështjet e ndryshimeve klimaterike, energjisë dhe sigurisë ushqimore. Sipas agjencisë, duke pasur parasysh ndryshimet klimaterike dhe konkurrencën për burimet tashmë të pakta, i gjithë sistemi ushqimor duhet të transformohet në mënyrë që të bëhet më racional nga pikëpamja e burimeve.

Por, në të njëjtën kohë, duhet bërë punë e vazhdueshme për të reduktuar ndikimet mjedisore, duke përfshirë emetimet e gazeve serrë. Prandaj Agjencia e shikon të nevojshme të rritet produktiviteti dhe, në të njëjtën kohë, të zvogëlohet varësia nga plehrat kimike, mbetjet ushqimore dhe konsumi i produkteve ushqimore, të cilat, si mishi, përfshijnë një shfrytëzim intensiv të burimeve dhe prodhimin e gazeve serrë.

Në këtë kontekst, duhet të kihet parasysh gjithashtu se fermerët mund të luajnë një rol jetik në ruajtjen dhe menaxhimin e biodiversitetit në Evropë dhe se ata janë një komponent kyç i ekonomisë rurale. Prandaj, ndërhyrjet politike që synojnë trajtimin e problemit kompleks të ushqimit dhe mbrojtjes së mjedisit nuk mund të injorojnë ndikimin e bujqësisë në mjedis dhe rëndësinë e saj socio-ekonomike për shumë komunitete.

Përgatiti: Irma Paloli