Pluhuri nga shkretëtirat në mbarë botën ka një sërë efektesh në ekosistemet e të gjithë planetit që shkojnë deri në modifikimin e klimës së Tokës. Për t'i vlerësuar ato, studiuesit e atmosferës rishikojnë rrugën e stuhive të pluhurit, nga nisja, në zonat më të thata të planetit, deri në mbërritjen, praktikisht kudo.

Shkretëtira e Saharasë (Foto: Blogspot)

Shkretëtira e Saharasë (Foto: Blogspot)

“Disa rajone të veçanta të Tokës, si Saheli dhe disa shtrirje të shkretëtirës së Tunizisë dhe Libisë, veprojnë si burim i stuhive të mëdha të pluhurit të Saharasë”, -thotë biologu dhe studiuesi Stefano Guerzoni, president i fondacionit “IMC”.

Sipas tij, rëra që nis nga Sahara, mesatarisht rreth 200 milionë tonë në vit, shkon drejt Atlantikut (170 milionë tonë) dhe arrin në Karaibe (5 milionë), ose përshkon Mesdheun (25 milionë). Shtigjet e stuhisë që fillojnë në Afrikën Jugore, veçanërisht nga Namibia ose Australia, janë më të shkurtra dhe shuhen në oqeane.

Më shumë se udhëtimi, megjithatë, udhëtarët dhe ndalesat janë interesante. Rëra që ngrihet nga shkretëtira, në fakt nuk është e përbërë vetëm nga kuarci, si ajo e plazheve. Krahas dhe brenda kokrrizave ka minerale të tjera, por edhe çdo gjë tjetër që është mjaft e vogël për t'u rritur, si pjalmi ose viruset.

Për më tepër, kur era prek sipërfaqen e detit, ngrihen pika uji dhe grimca kripe, të cilat shoqërojnë rërën. Grimcat më të mëdha bien përsëri pas disa kilometrash. Nëse e bëjnë këtë në det, shkaktojnë një sërë ngjarjesh interesante.

Disa zona detare janë mjaft të varfra në lëndë ushqyese, veçanërisht hekur, vazhdon Guerzoni, dhe kjo kufizon rritjen e organizmave detarë, si algat mikroskopike. Në vend të kësaj, hekuri përmbahet me bollëk në rërë. Sipas disa sondazheve, deri në 5 për qind.

Pikërisht për shkak të efektit fertilizues të hekurit, kur stuhia e pluhurit bie përsëri në det, zhvillohet papritur lulëzimi i algave, shpërthime reale të jetës që mbulojnë qindra kilometra katrorë oqean. Këto rritje të papritura janë demonstruar si për Detin e Karaibeve (ku stimulohen nga rëra e Saharasë) ashtu edhe për Oqeanin Paqësor verior, prej pluhurit të shkretëtirës së Gobit.

Rëra e shkretëtirës kur takohet me detin, (Foto: Vernicirioverde)

Rëra e shkretëtirës kur takohet me detin, (Foto: Vernicirioverde)

Llojet që rriten jashtë çdo proporcioni janë zakonisht cianobakteret ose algat mikroskopike, të tilla si diatomet, të afta për fotosintezë. Ndërsa popullsia e tyre rritet, ata thithin shumë dyoksid karboni, e përdorur në fotosintezë. Por CO2 ndikon gjithashtu në rritjen e temperaturës së planetit duke shkaktuar një rritje të efektit serë. Duke thithur CO2, algat zvogëlojnë ngrohjen globale. “Duke përfituar nga ky fenomen, ka pasur disa përpjekje për “të fekonduar” oqeanin me sasi të mëdha hekuri”, - thotë Guerzoni.

Grimcat e rërës të pasura me hekur kanë gjithashtu një ndikim të thellë në shi, sepse, të kombinuara me përbërjet e squfurit të pranishëm në atmosferë, ato veprojnë si bërthamë kondensimi, rreth të cilave mblidhen molekulat e ujit që formojnë retë.

Nga ana tjetër, retë ftohin planetin, duke bllokuar rrezet e diellit. Këtyre mund t'i shtohet edhe një gaz i prodhuar nga algat fitoplanktonike, Dms, i cili rrit edhe më shumë prodhimin e reve. Për të mbyllur rrethin, fitoplanktoni është e njëjta përbërje e qenieve të gjalla që rritet jashtë çdo proporcioni kur fekondohet nga rëra e shkretëtirës.

Megjithatë, pluhuri i shkretëtirës mbart edhe qeniet e gjalla. Shkenca mjekësore kishte siguruar që asnjë organizëm nuk mund të përballonte një udhëtim në atmosferën e sipërme, sepse rrezet ultravjollcë janë të afta të vrasin çdo bakter.

Por sondazhet e pluhurit të fryrë nga era kanë zbuluar se ai përmban baktere, kërpudha dhe viruse patogjene. Ndër të parët janë bakteri që shkakton salmonelën dhe një tjetër që shkakton meningjitin. Shumë më të shumta do të dukeshin kërpudhat që prekin si njerëzit ashtu edhe kafshët ose bimët e tjera.

Stuhi rëre (Foto:Eljadida)

Stuhi rëre (Foto:Eljadida)

Studime të shumta janë kryer për të lidhur vdekjen e zonave të mëdha koralesh në Karaibe me pluhurin nga Saharaja dhe Saheli. Dhe të paktën dy sëmundje të koraleve, aspergiloza dhe vdekja e koraleve të bardha, shkaktohen nga kërpudhat dhe bakteret nga përtej oqeanit.

Për këtë arsye, kur grimcat e imëta afrikane mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara, ato mund të ndezin një alarm shëndetësor. Meqenëse shumë grimca janë jashtëzakonisht të vogla (madje më pak se 2.5 mikrometra në diametër), ato ka të ngjarë të shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes.

Për fat të mirë, ka edhe aspekte pozitive nga pluhuri i shkretëtirës. Nëse hekuri fekondon algat e oqeanit, të njëjtin rol luajnë fosfori dhe komponimet e tjera pyjore. Dhe janë pyje shumë të largëta. Rëra nga Saharaja ose Saheli arrin në xhunglën e Amerikës së Jugut. Edhe rëra e shkretëtirave kineze arrin në ishujt Havai dhe arrin të fekondojë pyllin tropikal, i cili rritet në një tokë shumë të varfër në minerale dhe përfiton nga kjo pasuri fluturuese.

Efektet e stuhive të rërës dhe veprimet e njeriut për t'i luftuar ato mund të jenë paradoksale. Siç thekson Andy Ridgwell, i Fakultetit të Shkencave Mjedisore në Universitetin e Anglisë Lindore, në Norwich, nëse lufta kundër shkretëtirëzimit, me shndërrimin e shkretëtirës në tokë bujqësore, do të vazhdonte dhe do të kishte në të ardhmen një sukses i madh, kjo mund të shkaktojë një ulje të emetimit të rërës, dhe për rrjedhojë një ulje të fekondimit të oqeaneve.

Megjithatë, më pak fekondim do të thotë që algat thithin më pak dyoksid karboni. Prandaj, në mënyrë paradoksale, lufta kundër shkretëtirëzimit mund të çojë në një rritje të ngrohjes globale të planetit, edhe nëse kërkimet në këtë kuptim, me një bilanc të saktë të kostove dhe përfitimeve, nuk janë kryer ende.

Përgatiti: Irma Paloli