Vitin e kaluar kur pandemia Covid 19 ishte në kulmin e saj në mbarë botën qarkulloi në opinionin publik hipoteza që me rritjen e temperaturave virusi do të humbiste fuqinë e tij, por nuk ndodhi kështu. Sivjet falë vaksinimit masiv të popullsisë në Shqipëri, por dhe ngrohjes së motit pritet që muajt e verës t’i jetojmë në një normalitet të ri, por duke ruajtur vigjilencën ndaj virusit Covid 19.

Komiteti Teknik i Ekspertëve (ATSh)

Komiteti Teknik i Ekspertëve (ATSh)

Tashmë një temë bisede e përditshme e qytetarëve është dhe largimi apo jo i virusit. Disa prej tyre, ata më optimistët ndoshta janë të mendimit se “kovidit” po i vjen fundi, por të tjerë qytetarë thonë se virusi është mes nesh.

“Për mendimin tim besoj se virusi është larguar. Raste nuk ka patur aq shumë. Unë nuk e kam kaluar, por jam i qetë” shprehet për mikrofonin tonë një i ri kryeqytetas.

Ndërsa një zotëri mendon se virusi është ende mes nesh dhe vlerëson shtetin shqiptar për masivizimin e vaksinimit.

“Kovidi është nëpër këmbët tona. Kudo është kovidi. Varet dhe nga organizmi i njeriut se sa e mban. Ai nuk është larguar, por shumica e ka luftuar me anë të vaksinës. Shqipëria është vendi i pare në Europë që pjesa më e madhe e kanë bërë vaksinën. Bravo shtetit shqiptar!” , thotë qytetari

Tashmë pas më shumë se një vit bashkëjetesë me koronavirusin qytetarët e ndërgjegjësuar këshillojnë për mos ulje të vigjilencës ndaj tij, pavarësisht lehtësimit të masave nga ekspertët e shëndetit publik.

“Meqënëse numri i të prekurve ka vajtur drejt zeros, them se kovidi ka kaluar. Por megjithatë njerëzit duhet të kenë kujdes, të mbajnë distance dhe të jenë të kujdesshëm për shëndetin e tyre. Unë edhe pse e kam kaluar virusin dhe kam bërë vaksinën, tani jam i qetë për të lëvizur”, thotë një qytetar për Radio Ejani.

Komiteti Teknik i Ekspertëve i mbledhur para disa ditësh, duke iu referuar shifrave të Institutit të Shëndetit Publik ka lehtësuar masat shtrënguese ndaj virusit.

Zv/ ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale , Mira Rakacolli bëri të ditura masat e reja

“Nga 1 qershori, hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme. Do vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik. Rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social si edhe për ata që ende nuk kanë bërë dy dozat e vaksinës që konsiderohen persona në risk”, tha drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Rakacolli.

Tirana u hap (ABC News)

Tirana u hap (ABC News)

Sipas saj “ora policore shtyhet në orën 23:00 -06:00. Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00”.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që “Nga 15 qershori, grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona bëhen 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP”

Lehtësimi i masave do të vijojë dhe nga 1 korriku, kur ora policore shtyhet në orën 24.00 -06:00. Orari për muzikën nuk ndryshon, pra do mbetet ora 22:00. Lehtësohen masat ndaj veprimtarive të ndryshme ndër to lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit te ISHP. Gjithashtu lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri në 30% të spektatorëve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të ISHP.

Ekspertët parashikojnë që situata e koronavirusit në vend të vijojë të jetë e qëndrueshme dhe me raste gjithmonë në rënie.

Lidhur me këtë epidemiologu Artan Simaku shprehet pozitiv

Ky trend rënës parashikohet që të vazhdojë pasi ka rënë numri i rasteve të reja, ka rënë dhe përqindja e pozitiviteti, ka rënë edhe numri i personave të shtruar. Numri i rasteve fatale është i qëndrueshëm dhe në trend rënës. Ky trend parashikohet të vazhdohet edhe në javët në vijim”.

Vaksinimi dhe imunizimi natyror sipas ekspertëve po ndikon në përmirësimin e shifrave të Covid-19 në vend, por ato apelojnë sërish për respektim të masave antiCovid

Pritet që sezoni turistik do të jetë pothuajse normal, por nuk duhet humbur vigjilenca. Sipas ekspertëve normalizimin e sezonit turistik veror e favorizon vaksinimi i qytetarëve por dhe i stafit të zonave turistike.

Vaksinimi masiv i popullatës dhe imuniteti natyral janë dy janë faktorët që kanë ndikuar në zbutjen e pandemisë.

Tirana u hap (Gazeta Koha Jonë)

Tirana u hap (Gazeta Koha Jonë)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili njoftoi se nga 1 qershori do bëhet lehtësimi i disa prej masave kufizuese anti-COVID.

Ai shkruan në faqen zyrtare në “Twitter” se lehtësimi i masave po bëhet në mënyrë të kontrolluar, ndërsa u shpreh kritik për ata që kundërshtojnë orën policore.

Sipas kryeministrit Rama, masat kufizuese të ndërmarra kanë bërë të mundur që Shqipëria të renditet në krye të klasifikimit në Europë sa i takon uljes së infektimeve dhe humbjeve të jetës.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi këto ditë programin “Tirana u hap”, për promovimin e turizmit në kryeqytetin shqiptar. Gjatë një interviste për “Top News”, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se ai do të jetë agjenti numër një i marketingut, për të promovuar çdo restorant, bar apo hotel në qytet.

Sipas Veliajt, me lehtësimin e masave anti-Covid, Tirana po i rikthehet pak nga pak normalitetit.

Eda Merepeza