Drejtorja e ISHP Albana Fico

Drejtorja e ISHP Albana Fico

Mbajtja e maskave kudo është një argument i ri i diskutimeve mes qytetarëve shqiptarë, por dhe medieve, pas shpalljes nga vetë kryeministri Rama të detyrimit për mbajtjen e tyre, duke filluar nga 15 tetori.

Kreu i qeverisë përmes një statusi në faqen e vet në Facebook apeloi për mbajtjen e maskës nga të gjithë si e vetmja barrierë mbrojtëse ndaj virusit, duke e ilustruar rrezikun e COVID-19 me pamje nga pandemia e gripit spanjoll të vitit 1928, e cila zgjati 2 vjet dhe vrau 50 mln njerëz, shumica në valën e dytë.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, publikoi “Udhëzuesin mbi përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambientet jashtë shtëpisë”, që paraqet kriteret e përgjithshme, rregullat dhe përjashtimet për përdorimin e barrierave mbrojtëse (maskave) në ambientet jashtë shtëpisë, me qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme të COVID-19.

Qytetarë me maska ne Tiranë

Qytetarë me maska ne Tiranë

Ndërsa ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu mëngjesin e 15 tetorit doli nga banesa e saj me maskë dhe përmes një videoje u bëri thirrje qytetarëve për rëndësinë e mbajtjes së maskës.

"Unë sapo dola nga shtëpia për të vajtur në punë dhe vendosa maskën. Mbajtja e maskës kudo, jashtë shtëpisë do të jetë detyrim i ri dhe përgjegjësi e shtuar për ne, por askush nuk ka pengon të mësohemi që sot ne ta bëjmë atë pjesë të garderobës dhe zakon të përhershëm tonin. Të kemi mundësi të mbrohemi dhe të ulim infektimet”, tha ministrja e Shëndetësisë.

Me rëndësi të veçantë e ka quajtur mbajtjen e maskës dhe drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

"Maska është një mjet mbrojtës dhe është nga të vetmet masa mbrojtëse që ka treguar efikasitetin e vet sidomos brenda ambienteve edhe përsa i përket institucioneve ose dhe vetë institucioneve shëndetësore ku punohet. Maska, në të gjitha llojet ka si qëllim ruajtjen ose uljen e shpërndarjes së infeksionit".

Policia kontrolle për mbajtjen e maskës

Policia kontrolle për mbajtjen e maskës

Si kanë reaguar qytetarët ndaj urdhrit për mbajtjen kudo të maskave mbrojtëse? Ndjekim opinionet e tyre të mara në Tiranë nga gazetari ynë Gazmend Agaj.

"Vendimi për mbajtjen e maskave mendoj që deri diku është i drejtë, edhe pse kryeministri para pak kohësh tha që janë të dëmshme, kurse tani na thotë që duhen. Por mendoj që duhen mbajtur përderisa ne nuk e dimë rrezikun dhe është i panjohur për ne. Duhet ti mbajmë për kujdes ndaj vetes", shprehet një i ri.

Pyetjes së gazetarit tonë se a e ka mbajtur edhe më parë maskën, një e re i përgjigjet:

"E kam mbajtur edhe përpara, por tani duke qenë se është e detyrueshme, normalisht që e mbaj dhe në ambiente të hapura. Me këtë vendim jam dakord deri diku, sepse mendoj që nuk duhet të ishte me detyrim. Mendoj se duhet të kishte ndërgjegjësim dhe të lihej në ndërgjegjen e njerëzve".

Një tjetër qytetar tiranas ka shprehur opinionin e tij lidhur me mbajtjen e detyrueshme të maskave.

"Duke parë që janë shtrënguar masat normalisht edhe ne i respektojmë masat për mbajtjen e maskës. Nuk më duket i drejtë vendimi që mbajtja e maskës është e detyrueshme në rrugë, por jo në ambientet e mbyllura, siç janë baret dhe restorantet. Në qoftë se e ka vendosur shteti ne i respektojmë rregullat".

Gazetari i CMG-së interviston

Gazetari i CMG-së interviston

Për qytetarët që do të shkelin udhëzimin e ISHP-së do të ketë penalitete sipas Aktit Normativ me 3 mijë lekë për shkelësit për herë të parë, dhe 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur. Ekspertja e ISHP-së, Eugena Tomini, në një emision në televizionin News 24 ka komentuar vendimin e qeverisë për mbajtjen e maskave kudo. Sipas saj janë vlerësuar një sërë elementesh që çuan te detyrimi për të mbajtur maska kudo, ndër të cilët rritja e numrit të të prekurve dhe fataliteteve nga koronavirusi në 5-6 javët e fundit.

Në një konferencë për shtyp, javën e kaluar drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu deklaroi se “patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës”.

Sipas tij, qëllimi i kontrolleve nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre.


Eda Merepeza