Shtypja e vazhdueshme nga ShBA-ja e gjigantëve teknologjikë kinezë, si “Huawei” dhe “TikTok”, ka tërhequr vëmendje botërore, që kur Uashingtoni filloi t’i trajtojë këto kompani si kërcënim ndaj homologeve të tyre amerikane.

Por ekspertët përkatës nuk janë aq të befasuar nga veprimet agresive të palës amerikane ndaj kompanive të huaja. Në dekadat e fundit, kompani si “Toshiba” e Japonisë dhe “Alstom” e Francës janë shënjeshtruar, sanksionuar dhe dëmtuar rëndë nga autoritetet amerikane, me pretekste si siguria kombëtare, antidumpingu dhe antimitosja.

Nuk ka ndryshim thelbësor midis shtypjes së tanishme ndaj “Huawei”-t ose “TikTok”-ut dhe sulmeve kundër “Toshiba”-s ose “Alstom”-it, shprehet Zhang Monan, eksperte e çështjeve amerikane nga Qendra për Shkëmbime Ekonomike Ndërkombëtare e Kinës. Sipas saj, ShBA-ja vazhdon hegjemoninë teknologjike, duke vënë ligjet dhe udhëzimet e veta administrative para rregullave ndërkombëtare të tregut.

Ndërsa Song Guoyou, zv.drejtor i Qendrës së Studimeve Amerikane pranë Universitetit Fudan, vuri në dukje se industria dhe kompanitë teknologjike kineze mund të mësojnë nga përvojat e “Toshiba”-s dhe të “Alstom”-it, nëpërmjet pakësimit të varësisë te teknologjia amerikane, për të mos mbetur peng i një lufte teknologjike të nisur nga ShBA-ja.

“Toshiba”, “kërcënim ndaj sigurisë kombëtare”

Industria japoneze e gjysmëpërçuesve lulëzoi në vitet ‘80 të shekullit të kaluar me mbështetjen e qeverisë. Kompanitë japoneze i kaluan homologet e veta amerikane, duke u bërë ofrueset më të mëdha të mikroçipave në botë. Sipas një artikulli të gazetës “Los Angeles Times” të botuar në gushtin e vitit 1992, produktet japoneze të memories së qasjes së rastësishme dinamike (DRAM) zunë rreth 80% të tregut amerikan në vitin 1987.

Pikërisht “Toshiba”, në atë kohë prodhuesja kryesore japoneze e mikroçipave, u shënjestrua nga Uashingtoni për “shqetësime mbi sigurinë kombëtare”. Pasi “Toshiba” dhe kompania ushtarake norvegjeze “Kongsberg Våpenfabrikk” u zbulua se i shitnin fshehtas freza me teknologji të lartë Bashkimit Sovjetik në vitin 1986, Uashingtoni nxori në vitin 1987 një urdhër ndalimi 2-5 vjeçar ndaj të gjitha produkteve të korporatës “Toshiba”.

“Toshiba”, sipas njoftimeve, u godit rëndë nga ky sulm. Dy menaxherë të saj u burgosën dhe disa ekzekutivë të lartë dhanë dorëheqje. Kompania shpenzoi rreth 1 milion dollarë amerikanë në pothuajse të gjitha gazetat kryesore amerikane për të kërkuar ndjesë. Skandali dëmtoi emrin dhe prestigjin e saj, ndërsa shumë dokumente teknologjike të “Toshiba”-s u konfiskuan gjatë hetimeve të CIA-s.

Ndërsa i nxirrte kaq shumë andralla “Toshiba”-s, ShBA-ja hiqej si “e verbër” ndaj “keqbërjeve” së ngjashme prej kompanive europiane. Një raport i publikuar në vitin 1987 nga Shërbimi Policor Norvegjez tregon se edhe shumë kompani nga vendet anëtare të Komitetit të Kontrollit të Tregtisë Lindje-Perëndim (CoCom), si Franca, Italia dhe Gjermania Perëndimore, i kishin shitur Bashkimit Sovjetik makineri të tilla, por sipas “Los Angeles Times”-it, shumë pak prej tyre u sanksionuan nga ShBA-ja.

Pas kësaj ngjarjeje, biznesi i mikroçipave i “Toshiba”-s filloi të dobësohej dhe ky gjigant teknologjik më në fund ia shiti njësinë e vet të mikroçipave kompanisë amerikane “Bain Capital” për 18 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2018, duke u tërhequr plotësisht nga kjo industri.

“Alstom”, “incidenti i mitosjes”

Pasi panë një kopje të librit “Kurthi amerikan” mbi tryezën e themeluesit të “Huawei”-t Ren Zhengfei gjatë një interviste televizive në zyrën e tij, shumë përdorues kinezë të internetit shfaqën interes për këtë libër që rrëfen historinë e marrjes në kontroll të kompanisë franceze të energjisë “Alstom” nëpërmjet manipulimeve të Uashingtonit.

I vlerësuar si një ndër përfaqësuesit më të dalluar të industrisë franceze, “Alstom” ishte udhëheqës global në fushat e energjetikës dhe të transportit. Ai kishte ndërtuar centrale të prodhimit të energjisë, linja transmetimi, hekurudha etj.

ShBA-ja filloi ta vinte re “Alstom”-in pasi ai u bë një konkurrent i fuqishëm i gjigantit amerikan GE në disa vende e rajone të botës në fillim të dekadës së parë të këtij shekulli. Në vitin 2013, Frédéric Pierucci, ekzekutivi i “Alstom”-it dhe bashkautor i “Kurthit amerikan”, u arrestua nga policia në një aeroport të Nju-Jorkut për shkak të “autorizimit të dhënies së ryshfetit zyrtarëve indonezianë” për të fituar një kontratë.

Pierucci shkruan në libër se avokatit të tij iu ofrua një “ujdi pranimi fajësie”: ose Pierucci të pranonte akuzat dhe të lirohej pas disa muajsh, ose përndryshe rrezikonte deri në 125 vjet burgim.

Disa menaxherë të lartë të “Alstom”-it u arrestuan në ShBA për akuza të tilla. Kompanisë iu vu një gjobë 772 milionë dollarë amerikanë nga gjykata amerikane. Vetëm pas një viti, GE arriti një marrëveshje me “Alstom”-in për blerjen e bizneseve të tij të prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë, duke e gjymtuar gjigantin industrial global.

Mësime për Kinën

Analistët po bëjnë krahasim midis rastit të Pierucci-t dhe CFO-së së “Huawei”-t Meng Wanzhou (bija e themeluesit Ren Zhengfei), që është ndaluar që nga dhjetori i vitit 2018 në Kanada sipas traktatit të ekstradimit të këtij vendi me ShBA-në. Në të vërtetë, ShBA-ja ripërdor taktikat e mëparshme për të goditur “Huawei”-n, sepse deri tani, qoftë ShBA-ja, ashtu edhe Kanadaja, nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë dëshmi të qarta për të mbështetur akuzat amerikane ndaj znj. Meng.

Në disa dekadat e kaluara, autoritetet ligjore dhe rregullatore amerikane kanë ngritur akuza bazuar mbi ligjet e brendshme ndaj kompanive të huaja për veprime jashtë territorit të ShBA-së, shkruhet në një artikull të revistës “The Economist” të botuar në janarin e vitit 2019. Problemet që kanë pasur kompani si “Toshiba” dhe “Alstom” i kanë shqetësuar shumë ndërmarrje, sidomos ato kineze.

Sipas znj. Zhang Monan, ShBA-ja zbaton standarde të dyfishta për të mbrojtur interesat e bizneseve të veta. “Ajo (ShBA-ja) bërtet për treg të lirë dhe konkurrencë të barabartë, por, kur kompanitë e huaja kërcënojnë pozicionin udhëheqës të firmave amerikane, qeveria (amerikane) ndërhyn në funksionimin normal të biznesit dhe mënjanon konkurrentët e huaj nëpërmjet metodave të ndryshme”, tha ajo.

Përballë shtypjes në rritje e sipër të ShBA-së ndaj fuqizimit teknologjik të Kinës, studiuesit dhe ekspertët sugjerojnë se Kina duhet të garantojë sigurinë e zinxhirit të vet të furnizimit industrial nëpërmjet përpjekjeve për të përvetësuar teknologji kyçe, duke ruajtur bashkëpunimin ekzistues ndërkombëtar në ekonominë e sotme të globalizuar. Nga ana tjetër, kompanitë kineze që operojnë jashtë vendit, duhet të zbatojnë plotësisht ligjet ndërkombëtare dhe vendore, duke siguruar mbështetje kundër sulmeve amerikane.