Gjatë pushimeve festive për Ditën e Punës, në fillim të majit, Zha Liguo, një veteran i guidave turistike, shijoi pesë lindje dhe perëndime të diellit mbi malin Huangshan, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s në provincën Anhui të Kinës lindore.

Atij iu bashkuan qindra mijëra adhurues të udhëtimeve, të cilët shijuan pamjet mahnitëse në pajisjet e tyre celulare në atë që është njohur si “turizmi cloud”.

Gjatë ditëve të pushimit, 44-vjeçari Zha e niste ditën me transmetimin e lindjes së diellit në majë të malit në orën 05:00. Më pas ai do të udhëtonte më shumë se 10 km nëpër kanionin e madh dhe do të priste perëndimin e diellit me shoqëruesit e vetëm të tij, tre telefona celularë.

“Turizmi cloud” u kthye në një trend të ri në Kinë, gjatë kufizimeve prej pandemisë, pasi njerëzit u këshilluan mos të ndërmerrnin udhëtime të gjata për shkak të rishfaqjes së rasteve me Covid-19. Falë transmetimit të drejtpërdrejtë, njerëzit mund të vizitojnë atraksionet turistike në mënyrë virtuale dhe të vlerësojnë peizazhin pa dalë nga shtëpia.

Një tur “live” në Parkun e Kafshëve të Egra të Shangait tërhoqi mbi 10 milionë shikues në më pak se një muaj. Gjatë pushimeve të Ditës së Punës, më shumë se 1 milion persona vizituan praktikisht disa vende kulturore, pika piktoreske dhe muze në Taiyuan në provincën Shanxi të Kinës veriore.

Pasi ka punuar në industrinë e turizmit për më shumë se dy dekada, Zha filloi të eksperimentonte me transmetim “live” në vitin 2020 për shkak të ndikimit të pandemisë. Paraqitja e këndshme, aftësitë tërheqëse të prezantimit dhe xhirimet me cilësi të lartë e kanë ndihmuar atë të tërheqë më shumë se 700.000 ndjekës brenda tre viteve.

“Pandemia ka vështirësuar mundësitë e njerëzve për të ndërmarrë udhëtime të largëta. Shpresoj të paraqesë pamje të mrekullueshme të malit Huangshan në stinë të ndryshme nga këndvështrimi im”, -tha Zha.

Në vitin 2021, ai qëndroi në malin Huangshan për më shumë se 280 ditë dhe transmetoi pamje të drejtpërdrejta për mbi 2000 orë, duke tërhequr mbi 51 milionë shikues.

Jo shumë larg malit Huangshan, fshati i lashtë Hongcun, një vend i njohur i trashëgimisë kulturore në kontenë Yixian, po eksploron gjithashtu mundësi të reja. Në më pak se një vit, qëkur fshati krijoi një faqe zyrtare të transmetimit “live” në platformën “Douyin”, në gusht 2021, ai ka tërhequr më shumë se 100.000 ndjekës.

“Përveç peizazhit, ne gjithashtu e afrojmë audiencën me zakonet tradicionale vendase dhe trashëgiminë kulturore jomateriale, të tilla si prodhimi i fenerëve dhe gdhendja e drurit. Krahasuar me turet tradicionale, “turizmi cloud” mund t'u japë të pranishmëve një kuptim shumë më të thellë të një vendi”, -tha Huang Jie, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm i një kompanie turistike lokale.

“Turizmi cloud” jo vetëm që ka rritur tërheqjen e atraksioneve turistike, por edhe ka nxitur rritjen e industrive dhe produkteve vendase. Gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta u vu re edhe rritje e shitjeve të produkteve në zonën piktoreske, tha Cheng Qiuping, i “Huangshan Tourism Development Co., Ltd”, duke shtuar se aktualisht rreth 40 guida turistike transmetojnë rregullisht nga mali Huangshan.

Transmetimi i videove “live” ka krijuar mundësinë edhe për një bazë të madhe potenciale klientësh për vitet në vijim. “Më pëlqen alpinizmi dhe do të doja të shkoja në malin Huangshan në të ardhmen”, -shkruhet në një mesazh të lënë në “live stream”-in e Zha.