Bora Shahini ne dasmen dhe ditelindjen e vajzes se saj

Bora Shahini ne dasmen dhe ditelindjen e vajzes se saj

Martesa është një ndër eventet më të rëndësishme në jetën e njeriut. Ceremonia festive shpesh përkufizohet si qershia mbi tortë, ndërsa sjellja në jetë e fëmijës përgjegjësia më e madhe.

Gazetarja Bora Shahini Mustafaraj ka menduar t’i përmbledhë gëzimet në një ditë, duke e realizuar ceremoninë festive të dasmës në ditën e ditëlindjes së parë të vajzës së saj.

Bora ka studiuar për Komunikim dhe Gazetari. Për gjashtë vjet ajo ka qenë gazetare programacioni në “Top Channel” në emisionet “Në shtëpinë tonë” dhe “Shqipëria Live”. Prej dy vitesh është pjesë e “Abc Tv” si gazetare dhe moderatore e emisionit “Abc e Mëngjesit”.

Në po të njëjtën fushë profesionale është edhe partneri i saj. Ajo flet me dashuri të madhe për jetën dhe gjithçka që ka ndërtuar deri tani. Në një intervistë për “Radio Ejani”, ajo tregon për ndjesitë dhe përgjegjësitë e të qenit bashkëshorte dhe nënë.

Bora Shahini

Bora Shahini

CMG: Si ka ndryshuar jeta juaj në 10-vjeçarin e fundit?

Bora Shahini: Ka pasur ndryshime të mëdha. Në kohë të ndryshme, njerëz të ndryshëm, mundësi, dështime e fitore. Jam përballur me të njohurat dhe të panjohurat. Puna e re, bashkëjetesa dhe ardhja në jetë e një fëmije, të gjitha këto e kanë bërë këtë 10-vjeçarin e ndryshimeve rrënjësore të jetës sime.

CMG: Kur shikon arritjet e deritanishme, mendon se ka qenë falë punës apo fatit?

Bora Shahini: Nuk jam nga ata persona që lëvdojnë veten, por lë punën të flasë vetë dhe të tregojë përpjekjet e mia. Kam qenë gjithnjë modeste dhe jam përpjekur shumë dhe sot e them me krenari dhe bindje që ia kam dalë falë punës sime. Ndihem e realizuar, jam një partnere e lumtur, nënë e përmbushur dhe grua në karrierë, aty ku kam dashur. Ndaj, po, ndoshta ka ardhur momenti që ta lëvdoj veten.

CMG: Çfarë është familja për ju?

Bora Shahini: Familja është esenca e cila në përmbajtje ka dashurinë.

Unë dhe bashkëshorti im gjithmonë kemi pasur si qëllim të ndërtojmë një familje, t’i japim jetë asaj dhe kështu kemi bërë. Ndërsa sollëm në jetë vajzën nuk bëmë asnjë shkëputje profesionale. Marrëdhëniet familjare janë të shenjta, nuk duhen lënë asnjëherë jashtë vëmendjes.

Familje për ne është çdo njeri që na ka qëndruar pranë.

CMG: Ke pasur mbështetje nga kolegët gjatë kohës së shtatzënisë dhe pas saj?

Bora Shahini: Mund të them që deri në ato momente nuk i kisha njohur në këtë dimension dhe nuk më kishte ndodhur që të kuptoja përkushtimin e tyre. U jam mirënjohëse për mirëkuptimin dhe mendoj që jam me fat, sepse unë qëndrova në shtëpi në vështirësinë e periudhës të Covid-19.

CMG: Lidhja juaj, ka qenë dashuri me shikim të parë?

Bora Shahini: Po! Sapo e kam parë partnerin tim, mes nesh pati një shkëndijë dhe ja ku jemi sot. Kur e pashë për herë të parë nuk e dija që ai ishte kolegu im më i ri në redaksi dhe aty nisi gjithçka.

Bora Shahini dhe Juxhin Mustafaraj

Bora Shahini dhe Juxhin Mustafaraj

CMG: Si nënë e re, sa e vështirë është ta menaxhosh kohën?

Bora Shahini: Çdo gjë ndryshon me kohën dhe përgjegjësinë. Kur linda vajzën pata një ndryshim të madh në jetën time dhe shumë të vështirë ndoshta për ta pranuar, sepse rrija gjatë zgjuar. Duhet të punoja me veten dhe me të. Me kalimin e kohës çdo gjë u normalizua dhe tani përditshmëria ka marrë rrjedhën e vet.

CMG: Ju arritët të ndërthurnit ceremoninë festive të martesës dhe ditëlindjen e vajzës. E kishit programuar, apo ishte diçka spontane?

Bora Shahini: Ka qenë një spektakël i vërtetë. Nuk e kishim programuar në fakt që të ndodhte në këtë mënyrë. E kam ëndërruar gjithnjë që të vishja fustanin e bardhë. Dhe meqë dita e ditëlindjes së vajzës po afronte menduan t’i realizonim të dyja në një ditë. Kishim vetëm 3 javë kohë dhe arritën të organizonim gjithçka, duke marrë parasysh edhe ngarkesën në punë. Ishte një sfidë e madhe, por ia dolëm për bukuri.

Në ftesat që shpërndamë kishim shkruar: “Me rastin e ditëlindjes së vajzës, ne kemi edhe ceremoninë e martesës”.

Një shprehje ishte si një ftesë nga Nikol: “Unë, mjalti i dashurisë, celebroj sot prindërit e mi”.

CMG: Edhe pse jeni prindër të një vajze, kjo s’ju pengoi besoj që të ndjenit emocionet e dasmës suaj?

Bora Shahini: E vërtetë. Ajo natë ka qenë edhe disi e vështirë. Pak para se të shkonim për te lokali, vajza ka qarë shumë. Ishte e sikletshme t’i vishnim dhe fustanin që kishim përgatitur për rastin, që të dukej sinkron me ne. Por, sapo u afruam, ajo nisi të qeshte e gëzonte. Lumturia e saj ishte dhurata më e bukur atë ditë. Përshëndeti dhe përqafoi çdo njeri. Isha tepër e emocionuar dhe më gëzonte pa masë të shikoja lumturinë e familjarëve për ne.

CMG: Të gjithë njerëzit kanë të kyçura në sirtar kujtime që i shtrëngojmë fort. Mund ta hapim bashkë dhe të shkëpusim diçka me vlerë prej aty?

Bora Shahini: Momenti më i bukur i jetës sime ka qenë dhe do të jetë gjithnjë martesa dhe ditëlindja e vajzës në të njëjtën ditë. Kam memorizuar diçka të bukur, sepse në dasmën time kam marrë mikrofonin dhe kam folur, ndoshta jo aq e zakontë për traditat shqiptare. Iu drejtova të pranishmëve dhe u thashë se në fakt nuk bëhej fjalë për një dasmë, por për një festë dashurie. U krijua një atmosferë e bukur, e këndshme, komode për të gjithë.

Bora Shahini

Bora Shahini

CMG: Cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën tuaj?

Bora Shahini: Kur bëhet fjalë për sëmundjet e prindërve janë momentet kur t’i duhet të tregohesh e fortë, për mos t’i lënë ata të mendojnë që je e dobët. Kam kaluar disa momente të vështira në fakt. Edhe gjatë periudhës së pandemisë ndërsa isha shtatzënë u preka nga Covid-19. Më shumë sesa për veten shqetësohesha për vajzën, por ia dola me sukses duke pasur afër njerëzit e mi të dashur e duke qenë pozitive. Nuk kam për ta harruar kurrë atë periudhë, bashkë me partnerin të sëmurë me koronavirus të ndarë në dhoma të ndryshme.

CMG: A ka ndonjë person që ti e veçon që të ka qëndruar më pranë?

Bora Shahini: Në këto 8 vjet, personi që më ka ndjekur në çdo hap e në çdo shikim është Juxhini! Është shoku im i jetës dhe shpirti im binjak.

CMG: Kemi ndonjë mesazh për gratë?

Bora Shahini: Jam lindur nga një grua e fortë dhe në familjen e parnerit gjeta një nënë gjithashtu shumë të fortë. Në punë jam e rrethuar nga gra të tilla. Sot unë jam vajzë, grua, nënë dhe ndihem e plotfuqishme. Mesazhi im është: “Dëgjoni veten dhe mos u frikësoni nga hapat që duhet të ndërmerrni”.

Përgatiti: Megi Latifi