27 vjeçari Franz Pula ka përfunduar Universitetin e Gjuhëve të Huaja, për përkthim-interpretim në gjuhën gjermane. Prej 3 vitesh ai merret me produksion dhe realizon klipe dhe reklama apo dimensione 3D. Përvoja më e re e tij është me tregun e kriptomonedhave virtuale.

Franz Pula(Facebook)

Franz Pula(Facebook)

CMG : Kush është Franz Pula, për ata që nuk e njohin siç duhet ?

Franz Pula :Unë jam një djalë 27 vjeç që kam përfunduar Universitetin e Gjuhëve të Huaja, për përkthim interpretim në gjuhën gjermane, ndërsa për masterin shkencor vendosa të zgjedh një degë tjetër, por që kishte pak lidhje me universitetin.

Pas një pauze prej 2 vitesh nisa sërish shkollën për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, me profil strategji politike, që e përfundova me rezultate shumë të larta. Për shkak të situatave politike në vend, vendosa që praktikimin strategjik ta bëja në një moment tjetër.

Kam gati 3 vite që kam produksionin tim ku merrem me klipe dhe reklama apo dimensione 3D. Qëllimi kryesor ishte të merresha me dokumentare dhe intervista, por më duhej pak kohë për realizimin dhe detaje të tjera.

CMG : Cila ka qenë puna juaj e parë?

Franz Pula: Puna ime e parë profesionale ka qenë një sfidë e vërtetë dhe tepër e vështirë për t’u futur në botën artistike.

Sapo isha futur në botën e post-production dhe çdo gjë ishte e mësuar në formë audodidakte. Ka qenë një klip i këngëtares Kanita që më dha tepër dorë, sepse edhe kemi udhëtuar në shumë vende të botës për ta realizuar dhe pjesa më e bukur mbetet si gjithmonë editimi i një materiali e më pas kur ja prezanton këngëtarit, nëse i ka pëlqyer apo jo.

CMG : Çfarë cilëson ti si sfidë?

Franz Pula : Si fillim dua të rris nivelin e punën e produksionit, të arrij nje standard xhirimesh perëndimore. Pra një stil kinematografie e implementuar në çdo projekt. Profesionalizëm me pak fjalë, jo gjëra për të kaluar radhën. Sfidë, jam i bindur që është edhe lançimi i brandit sepse nuk jam shumë i njohur, por koncepti është unik dhe të mos harrojmë qe do të jetë “Made in Albania”, ndaj mendoj që do të përqafohet shpejt nga njerëzit. Jam mësuar gjithmonë pas kamerave dhe mendoj që ka ardhur momenti të filloj të bëhem sadopak i njohur për publikun, gjë që është sfidë më vete.

Franz Pula(Facebook)

Franz Pula(Facebook)

CMG: Cilët janë njerëzit që të kanë qëndruar me pranë dhe të kanë mbështetur?

Franz Pula: Është pak mainstream, nëse më lejohet të quhet e tillë, sepse shpesh dëgjoja zëra njerëzish në radio apo televizion të cilët përmendnin familjen. Por tani e besoj vërtet. Kur zgjedh një rrugë, siç është biznesi privat, është jashtëzakonisht shumë e vështirë të përparosh dhe të vetmit njerëz që më kanë mbështetur pa masë dhe në momentet e mia më të vështira, ka qenë familja ime dhe e fejuara.

CMG: Cila është e ardhmja në sytë tuaj?

Franz Pula: Edhe pse familja gjithmonë ka qenë kundra sektorit privat ose biznesit, pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme, nuk e shikoj dot veten në një vend tjetër. Dëshirat e mia dhe qëllimet janë, duke filluar nga rritja e produksionit deri tek hapja e një brandi, që mendoj se brenda pak kohësh do jetë gati. Të gjitha këto që po mundohem të realizoj për të ardhmen janë dy qëllime kryesore. Një është stabiliteti financiar dhe e dyta është që pasi të kem arritur të parën, të krijoj një fondacion jo fitimprurës, që lidhet me fëmijët në nevojë dhe kafshët e rrugës.

CMG:Si ka qenë fëmijëria juaj? Do të ndani me ne një kujtim të veçantë?

Franz Pula: Unë kam lindur në Gjermani, në Bavari dhe deri në moshën 6 vjeçare kam jetuar andej bashkë me familjen. Pasi erdha në Shqipëri ishte pak traumatike, sepse Shqipërinë e viteve 2000 e mbajmë mend të gjithë. Por kujtimi më i veçantë patjetër ka qenë e përditshmja ime me gjyshin, kur më merrte nga shkolla dhe dilnim nga liqeni. me orë të tëra dhe pastaj, ktheheshim në shtëpi dhe loznim shah.

CMG: Çfarë rëndësie ka tek ti teknologjia?

Franz Pula: Teknologjinë unë e shikoj në dy aspekte. Një është fakti që çdo gjë e re po ndërtohet mbi të dhe në qoftë se nuk je pjesë ngel mbrapa dhe dy, që është shumë e rrezikshme nëse bie në duart e gabuara, prandaj njerëzit duhet të jenë më të ndërgjegjshme në përdorimin e saj.

CMG: Kur je futur në tregun e monedhës elektronike ?

Franz Pula : Kam dëgjuar për qarkullimin në rrjet të Bitcoin që në vitin 2014, por s’më ka shtyrë kurioziteti më shumë se aq. Gjithmonë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm në aspektin e informacionit, për kriptomonedhat. Pra e shikoja trendin dhe rritjen e Bitcoinit gjatë viteve. Vetëm para 1 viti e gjysmë, pra në vitin 2020, vendosa të filloj investimet e para në kriptomonedhat.

CMG: Çfarë janë këto monedha?

Franz Pula: Kriptomonedhat janë lekë virtuale. Nuk janë një gjë e prekshme fizikisht. Ekzistojnë në blockchain, në një zinxhir blloqesh në rrjet, ku njerëz nga e gjithë bota mund t’i blejnë dhe shesin ato. Por fakti që nuk janë fizike nuk do të thotë që nuk janë diçka “serioze”. Është krejt e kunderta, është inovacion, e ardhmja.

CMG: Si u bëtë pjesë e Foundation dhe çfarë është Foundation?

Franz Pula: Foundation është një treg (marketplace) për shit/blerjen e NFT-ve (aseteve digjitale) shumë ekskluziv, me vetëm 25.000 anëtarë nga e gjithë bota. Është një ekonomi e re, që i mundëson artistëve të shesin artin e tyre, qoftë ky tre dimensional, art digjital, fotografi, këngë etj. Unë u bëra pjesë e këtij tregu në ditët e para të janarit, me një ftesë nga një artist i huaj që kam pas bashkëpunuar vjet në gusht. Ky treg funksionon vetëm me ftesa të veçanta, pra që të postosh punët e tua duhet të kesh ftesë, ndërsa për të blerë artin mund të jetë kushdo. Është një arritje e madhe personale, pasi jam i pari në Shqipëri që jam pjesë e Foundation dhe po shes NFT, artin digjital aty.

CMG: Na tregoni më tepër rreth sipërmarrjes suaj personale?

Franz Pula(Facebook)

Franz Pula(Facebook)

Franz Pula: Siç e cilësova pak më sipër, momentalisht jam i fokusuar tek produksioni, propaganda TV. Viti 2022 për mua do ketë në fokus propagandën dhe lancimi i brandit. Dua të realizoj një seri dokumentarësh rreth vendit tone, me tematikë të ndryshme sociale dhe kulturore. Kam përzgjedhur disa tema dhe shpresoj të filloj xhirimet shumë shpejt.

CMG: Çfarë pritshmërie keni ju personalisht?

Franz Pula: Pritshmëritë në spektrin e investimeve janë të larta, por ajo çka do doja, është që me anë të trajtimit të këtyre temave si kriptomonedhave dhe NFT-ve (aseteve digjitale) të informoj publikun që kjo është diçka që do qëndroj. Nuk është trend kalimtar dhe është mirë që mos të ngelemi mbrapa, duke e cilësuar si diçka jo të vërtetë. Ne kemi mbi 20 vjet që jemi online dhe në botën virtuale nuk do blejmë gjëra me lek fizik, por me kriptomonedha. Kompani si Facebook dhe Apple po bëhen lidera të kësaj nisme. Pse të mos nisja dhe një podcast në rrjete sociale me trajtimin e kësaj teme dhe informimin më të gjerë. Ngelet për t’u parë…

CMG: Sa shqiptarë merren me këtë veprimtari?

Franz Pula: Nuk di ta them me saktësi numrin e shqiptarëve që merren me shit/blerjen e kriptomonedhave, por di të them që është një trend në rritje dhe sidomos të rinjtë i degjoj shpesh duke diskutuar dhe folur mbi këtë temë. Pra duhet të kuptojmë që vetëm 4% e popullsisë së botës është e investuar momentalisht në kriptomonedha. Është një gjë shumë e re dhe mendoj se do jetë një informacion shumë i vlefshëm, jo vetëm për ata që lexojnë dhe e studiojnë, por edhe për ata që do të investojnë, pasi konsiderohesh nga të parët. Është thjesht fillimi. Njëkohësisht dua të cilësoj që shteti jonë duhet ta marrë me seriozisht implementimin sa më shpejt të një plani pilot, për monitorimin fillimisht të aktivitetit të kriptomonedhave në Shqipëri, siç po bën dhe Gjermania dhe pastaj të vendosë se sa do e taksojë.

Intervistoi: Megi Latifi