“Ia dolëm! Ia dolëm! Tirana është kryeqyteti europian i rinisë për 2022. Duartrokitjet shkojnë për çdo vajzë, për çdo djalë, për çdo të ri të mrekullueshëm në qytetin tone, që ka dhënë kaq shumë energji pozitive , kaq shumë dashuri, kaq shumë mirësi, kaq shumë frymë për të ecur përpara. Sot e kam zemrën plot me mirënjohje. Kemi kaq vite që përgatitemi. Ishte një skuadër që punoi në 600 gara, në 600 qytete që garuan ku kishte vende të Bashkimit Europian që kishin shumë mundësi të fitonin, por gjithmonë ka një fitues, i cili këtë here ishte kryeqyteti ynë, kryeqyteti i rinisë Tiranë 2022”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj në ceremoninë e marrjes së titullit (ATSH)

Kryebashkiaku Erion Veliaj në ceremoninë e marrjes së titullit (ATSH)

Ky ishte mesazhi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në ditën e rinisë, kur njoftoi se nisjen e vitit 2022 kryeqyteti shqiptar Tirana starton rrugëtimin si Kryeqyteti Evropian i Rinisë.

Është hera e parë që Shqipëria bëhet pjesë e një rrugëtimit për të qenë për një vit Kryeqyteti Europian i Rinisë. Ky angazhim merr një peshë edhe më të rëndësishme në kuadër të rrugëtimit të gjatë të Shqipërisë drejt BE-së, duke shërbyer si një aset i vyer në duart e të rinjve për të dhënë edhe ata vetë kontributin e tyre.

“Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022” ka një kalendar aktivitetesh të pasura në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Aktivitetet e para tashmë kanë nisur qysh më 1 janar dhe deri në fund të vitit 2022 dhe pritet që të zhvillohen 1000 veprimtari. Njëmijë aktivitete janë të dedikuara e të larmishme për të mirëpritur çdo të ri nga çdo cep i Shqipërisë për një jetë më aktive dhe më të shëndetshme. Pa të rinjtë kjo punë është e pamundur. Ata janë partnerët tanë kryesorë, thelbi dhe jetëgjatësia e këtij titulli, sipas organizatorëve.

Veprimtaria e pare ishte “Marshet e qytetit tim”, ku banda e kryeqytetit ekzekutoi në qendër të Tiranës disa vepra frymore, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe duartrokitjet e tyre.

Pamje nga Tirana (Vizion Plus)

Pamje nga Tirana (Vizion Plus)

Tirana e ka nisur vitin 2022 si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, me një superprogram, që do të zgjasë 365 ditë, i cili i jep jetë një kalendari projektesh me nisma e aktivitete të shumta që mbulojnë një gamë të gjerë tematikash e prioritetesh me në qendër rininë.

Ditët e fundit kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një takim me drejtues të institucioneve të arsimit të mesëm publik të kryeqytetit, ku mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, shpalli thirrjen për hapjen e aplikimeve për projektpropozime me fokus mbështetjen dhe fuqizimin e të rinjve.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se investimet në arsim sot, për një brez të rinjsh më të përgatitur nesër, janë të dukshme. Kryebashkiaku ftoi të rinjtë të bëhen pjesë me projektet dhe idetë e tyre, teksa numëroi edhe ambientet e reja sportive, si dhe projektet e ardhshme.

“Ne kemi marrë përsipër të ndërtojmë më shumë infrastrukturë rinore. Sapo hapëm stadiumin e lojërave me dorë “Farie Hoti”, i ribërë nga e para, apo Parkun Olimpik. Pallatin e Sportit duam ta fillojmë shumë shpejt. Të njëjtë gjë duam të bëjmë me stadiumin “Selman Stërmasi”. Duam të bëjmë një thirrje për të pasur një infrastrukturë ku mund të lozin ekipet më të mëdha të futbollit të shkollave, ose të universiteteve. Duam gjithashtu që të mbarojmë këtë vit Piramidën, e cila do jetë hapësira më e madhe për teknologjinë e informacionit”, theksoi Veliaj.

Tirana (Bashkia Tiranë)

Tirana (Bashkia Tiranë)

Ndërsa ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shpreh se, “është meritë që Tirana do të jetë këtë vit Kryeqyteti Evropian i Rinisë, por kjo është dhe një mundësi e jashtëzakonshme që sistemi ynë arsimor duhet ta shfrytëzojë maksimalisht”.

Ministrja Kushi tha se “këtë vit është dedikuar një buxhet shumë i lartë, prej 500 milionë lekë për aktivitete sportive në institucionet arsimore për ekipe sportive, kampionate apo gara, si asnjëherë tjetër”.

Ministrja Kushi theksoi se ky program deri në muajin mars do të jetë i detajuar për të gjitha shkollat në të gjithë vendin. “Natyrisht, Tirana zë një vend të rëndësishëm që duhet të shfrytëzohet në kuadër të projektit të madh “Tirana Kryeqyteti i të Rinjve”, tha Kushi.

Ky makro program do të zbatohet përmes 8 programeve, të cilët qëndrojnë si kolona mbajtëse nën sloganin Activate Youth.

Tirana mori stafetën si Kryeqyteti evropian i Rinisë pas Klapedias së Lituanisë. Ky event parashikon që të rinjtë nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, e Maqedonisë Veriore dhe jugut të Malit të Zi mund të bëhen pjesë e kësaj sipërmarrjeje, duke prezantuar idetë e tyre nga shumë fusha si sporti, kultura apo sipërmarrja rinore, apo edhe aktivistët e mjedisit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj e cilësoi këtë moment një mundësi fantastike për Tiranën.

Banda e qytetit (Panorama)

Banda e qytetit (Panorama)

Si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, Tirana do të ketë një program ambicioz që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve të saj dhe do të përpiqet të lidhë qytetin dhe rininë e tij me vlerat evropiane.

Kreu i bashkisë theksoi se përgjatë 2022-it, do të mbështeten dhe promovohen jo vetëm të rinjtë nga Tirana, por edhe ata nga trevat e tjera shqipfolëse. Sipas tij, rinia është sot pasaporta më e bukur shqiptare në Europë. Tirana përfaqëson një nga qytetet më rinore në Evropë, që ofron shumë mundësi për të rritur rolin e të rinjve në vendimmarrje dhe që angazhon qasjen e krijuese të të rinjve.

Eda Merepeza