Intervistë me Elona Bano, koordinatore akademike pranë Departamentit të Drejtësisë, Universiteti “Marin Barleti”

CMG: Jeni koordinatore akademike pranë Departamentit të Drejtësisë në njerin prej universiteteve më të njohur privat në Shqipëri. Le të njohim dëgjuesit me këtë institucion të arsimit të lartë

Elona Bano: Universiteti “Marin Barleti” është krijuar në vitin 2005 dhe është ndër universitetet e para jopublike. Prej vitit 2016 ky universitet është akredituar me 6 vite, që është akreditimi më i madh nga Agjencia Kombëtare dhe Bordi i Akreditimit, pranë Agjencisë së Cilësisë së Arsimit të Lartë, por dhe nga një kompani angleze e kontraktuar nga shteti shqiptar për verifikimin e standardeve dhe cilësisë së mësimdhënies. Universiteti ka 3 fakultete. Fakulteti i parë është i Ekonomisë, Qeverisjes dhe Drejtësisë, që ofron programe në dy ciklet e tij Bachelor dhe Master, të cilët janë të akredituar dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe jo vetëm. Është Fakulteti i Shkencave të Aplikuara, që fokusohet kryesisht te arkitektura. IT, profesione mëse të kërkuara në vitet e fundit në të gjithë botën. Gjithashtu është dhe Fakulteti i Sporteve dhe i Mirëqenies, i cili është një rijësi dhe bën dallimin e Universitetit “Marin Barleti” sepse është i vetmi universitet jopublik që ka degën e edukimit fizik dhe sporteve, duke patur parasysh strategjinë për sportet dhe rëndësinë që i jepet kësaj të fundit. Pra ofrohen të gjitha degët dhe jemi në program përfitimi të doktoraturave që do të thotë se i gjithë cikli i arsimit të lartë dhe pasuniversitar të jetë i mbyllur.

CMG: Ndonjë informacion për numrin e pedagogëve dhe studentëve tuaj?

Elona Bano Universiteti Barleti (Twitter)

Elona Bano Universiteti Barleti

Elona Bano: Janë më shumë se 130 pedagogë staf i brendshëm, ku ruajmë një balancë midis gjinive me shumë fanatizëm, si një nga vlerat tona. Ndërkohë numri i studentëve vjen në rritje, duke filluar nga 1500 studentë çdo vit e në vijim.

CMG: 11 tetori do të jetë dita e startimit të a vitit të ri akademik 2021-2022 në Shqipëri. Pas një viti të vështirë me kufizime pandemike si po e pret Universiteti “Marin Barleti” këtë vit?

Elona Bano: Të falënderoj për pyetjen sepse jemi në fazën e parë të pranimeve dhe regjistrimeve, e cila mbyllet pikërisht ditën e nesërme, më 16 shtator. Kjo do të pasohet dhe nga dy faza të tjera regjistrimesh dhe pranimesh . Ka filluar që vjet respektimi i protokollit, i hapësirave specifike, të cilat duhet të ruhen. Presim që këtë vit akademik të mos jemi më online, edhe pse Universiteti “Marin Barleti” i ka të gjitha platformat e mësimdhënies dhe dorëzimit të leksioneve dhe dokumentacioneve online. Ne sivjet i presim studentët me një kampus të ri, me auditore që respektojnë protokollet e Covid 19. E vështirë është sepse nëse deri tani ishim të lirshëm do të na duhet të kemi më shumë hapësirë, masa që kanë të bëjnë me protokollin e maskave, detergjentëve. Jemi duke kërkuar dhe kemi marrë hapësira me qira sa i përket edukimit fizik dhe sporteve , sepse atyre u duhen hapësira të mëdha për shkak të numrit të konsiderueshëm që kanë. Janë marrë të gjitha masat, por të papritura ka gjithmonë sepse varet nga situata, virusi i ri Delta, ndaj ne duhet të presim protokollet sipas Komitetit të Ekspertëve.

Logo e Universitetit Marin Barleti

Logo e Universitetit Marin Barleti

CMG: Keni fituar eksperiencë gjatë vitit të kaluar akademik për t’u rikthyer online, nëse do të jetë e nevojshme?

Elona Bano: Po, patjetër. Të gjitha platformat ekzistojnë si Google Classroom, apo platforma e veçantë e Universitetit “Marin Barleti”, që është në domenin tonë, e cila i është bashkëlidhur platformës së studentëve sepse menaxhonte jo vetëm mungesat, leksionet dhe notat e tyre, por ju mundëson në të njejtën kohë punimin dhe dorëzimin e detyrave të kursit në kohë reale. Madje ne vjet patëm mundësinë dhe në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit që dy javët e fundit të muajit qershor t’i kishim dhe në auditor me numra të kufizuar me qëllim mbushjen e atij vakuumi, që le distanca.

CMG: Komiteti Teknik i Ekspertëve propozoi të hënën e kaluar vaksinimin e detyrueshëm për kategorinë e mjekëve, studentëve dhe pedagogëve. Deri në datë 30 shtator ata duhet të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të caktuara nga institucioni, kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania. Opinioni juaj për këtë propozim dhe si ka reaguar stafi pedagogjik i Universitetit “Marin Barleti” por dhe studentët tuaj?

Elona Bano: Është një çështje shumë sensitive. Unë si pedagoge e të drejtave të njeriut gjithmonë mendoj rreth diskutimit se sa është liria e gjithësecilit për të vendosur për shëndetin e tij vetjak dhe sa duhet kufizuar në emër të shëndetit publik dhe të mires publike. Personalisht inkurajoj vaksinimin dhe mendoj se është një nga shanset që do ta kërkonim nëse nuk do ta kishim.

Elona Bano intervistë për CMG

Elona Bano intervistë për CMG

Universiteti ynë fatmirësisht në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik na mundësoi që gjatë muajit prill të bënim dozën e pare të vaksinimit dhe brenda qershorit dhe dozën e dytë. Të gjithë ata pedagogë që nuk e kishin kaluar Covid-19 , ose kishin më shumë se tre muaj që e kishin kaluar dhe nuk kishin sëmundje të tjera iu la mundësia që të mos ishte vaksinimi i detyruar. Tashmë ky është një diskutim që po trajtohet dhe nga senati ynë akademik nëse mund të detyrojmë personat që nuk kanë vërtetime nga mjeku se vaksina mund t’u shkaktojë komplikacione të tjera, që të vaksinohen. Besoj se ky është një diskutim përtej senatit tone dhe do të ketë diskutime të tjera, por mundësia e vaksinimit është dhënë dhe mundësia e zgjedhjes ndaj studentëve dhe pedagogëve është dhënë.

Unë do t’i inkurajoja personalisht që të vaksinoheshin sepse është një mundësi që nuk të kufizon as mundësinë e lëvizjes, por dhe të jep një mbrojtje të domosdoshme në këto ditë të trazuara për të gjithë ne.(Eda Merepeza)