Para disa ditësh vota e Parlamentit Evropian për raportin mbi Shqipërinë ishte një vlerësim pozitiv. Ky vlerësim shihet si një përpjekje për të bindur edhe ato vende skeptike ndaj zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor, konkretisht edhe për Shqipërinë, për të parë progresin që Shqipëria ka bërë. Pritet që ministrat e Jashtëm të BE-së të mblidhen në mes të prillit për të diskutuar mbi agjendën e zgjerimit. Parlamenti Evropian në mbledhjen e tij të fundit miratoi rezolutën për Shqipërinë, dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat u diskutuan në një seancë plenare të veçantë. Raporti i hartuar nga raportuesja për Shqipërinë, Isabel Santos mori 581 vota pro, 61 vota kundër, si dhe 45 abstenime. Sipas saj, një nga kushtet e Shqipërinë për Integrimin në BE-së është që në 25 prill të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Pa zgjedhje të lira dhe ndershme nuk ka integrim në BE”, u shpreh ajo.

Raportuesja e PE-së për Shqipërinë Isabel Santos

Raportuesja e PE-së për Shqipërinë Isabel Santos

Raportuesja Isabel Santos, gjatë fjalës së saj tha se “Shqipërisë i duhet dhënë shpresë dhe se vendi ka bërë progres”, ndërsa theksoi se zgjedhjet e 25 prillit do të jetë moment historik për forcimin e demokracisë dhe për t’i dhënë fund polarizimit.

Më herët gjatë takimit në Tiranë me homologun e Maqedonisë së Veriut në shkurt të këtij viti, Ministrja shqiptare e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka deklaroi se për dy vendet fqinje nuk ka rrugë tjetër veç integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas kryediplomates shqiptare, “do të ishte keqardhje nëse dy vendet do të zhgënjeheshin sërish nga një vendim negativ në zhvillimin e konferencave ndërqeveritare për nisjen e bisedimeve për anëtarësim”. Ajo tha se vendimi negativ i ardhur vitin e shkuar qe si rezultat i “konsideratave subjektive” pasi të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet dhe besojnë te perspektiva evropiane.

Në një intervistë për “European Western Balkan”, Santos njoftoi se, “fakti që në raport ne mbështesim caktimin e konferencës së parë ndërqeveritare, është një sinjal shumë i mirë për qytetarët e Shqipërisë pasi ne besojmë se vendi është në rrugën e duhur në lidhje me procesin e anëtarësimit në BE. Siç e dimë të gjithë, shqiptarët janë një nga popujt më proeuropianë, prandaj ky është një përfundim shumë i rëndësishëm”.

Lidhur me rekomandimet e Parlamentit Evropian, raportuesja Santos renditi forcimin e dialogut politik dhe institucioneve demokratike, nevojën për të përmirësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile, rëndësinë e rritjes së niveleve të medieve dhe rritjen e masave konkrete për të adresuar rënien demografike dhe largimin e trurit.

Një nga rekomandimet e shumëpërsëritura nga Parlamenti Evropian mbetet vazhdimi i përpjekjeve të bëra për Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

Sipas Santos “Tani që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë rifituar funksionalitetin e tyre dhe SPAK tashmë po punon, është shumë e rëndësishme të vazhdohen këto reforma dhe gjithashtu edhe ato në administratën publike”.

Ministrja e jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka

Ministrja e jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka

Parlamentarja evropiane ka nënvizuar përparimin në drejtësi, në sistemin zgjedhor apo edhe fushën e administratës publike. “Edhe përmes një periudhe shumë të vështirë në jetën e vendit, me tërmetin në fund të vitit 2019 dhe pandeminë gjatë vitit të kaluar, mënyrën sesi shqiptarët, autoritetet dhe shumë aktorë të ndryshëm në shoqërinë shqiptare kanë qenë në gjendje për zbatimin e reformave dhe ndryshimeve të kërkuara nga procesi i pranimit. Sigurisht që ka ende shumë gjëra për të përmbushur dhe puna nuk ka mbaruar, por progresi ka qenë shumë mbresëlënës”, ka raportuar Santos.

Ajo ka theksuar veçanërisht rëndësinë e zgjedhjeve të 25 prillit në integrimin e vendit në BE. Sipas raportueses së PE-së “Nevoja për të kapërcyer polarizimin ekstrem në fushën politike është gjithashtu diçka që unë shpresoj se mund të përmirësohet nga zgjedhjet dhe me një rëndësi thelbësore për Shqipërinë. Unë ndaj pikëpamjet e Komisionit që vlerësoi përparimin e bërë në reformën zgjedhore, në përputhje me mendimin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR, dhe gjithashtu shpresoj që ndryshimet e mbetura teknike të mund të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur”, – tha Santos.

Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian

Zef Mazi, kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, i cili raportoi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian mbi zbatimin e Planit të Veprimit ka theksuar se “Për Shqipërinë procesi i integrimit europian është ngjarja më e rëndësishme e ecurisë për pranimin në një organizatë ndërkombëtare që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky është moment historik mjaft i rëndësishëm dhe për të arritur këtë qëllim duhet të punojmë harmonikisht të gjithë së bashku”.

Në mbledhjet e deritanishme ka patur dhe hezitim të vendeve anëtare për të ndjekur këshillat e Parlamentit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Procesi i anëtarësimit varet nga marrëveshja e çdo shteti anëtar, por me rëndësi është se ekziston një shumicë e madhe që njeh progresin e Shqipërisë në rrugën e pranimit dhe që është gati për caktimin e konferencës së pare ndërqeveritare.

Eda Merepeza