Pandemia nuk e ndaloi dot zhvillimin e Edicionit të katërt të Bienalës së Akuarelit, ku mbi 3o0 artistë të kësaj teknike nga e gjithë bota prezantojnë punimet e tyre në “Natyrë të Qetë”.

Artistë nga vende të ndryshme të botës, duke filluar nga vendet fqinje, si Kosova, Italia, Greqia, Gjermania, Serbia, e duke vazhduar me vende të largëta si Australia, Kina, Rusia, Amerika, deri në Afrikë, edhe pse nuk ishin të pranishëm fizikisht, kanë sjellë punimet e tyre në Bienalen e IV të organizuar në Shqipëri, me ngjyrat e natyrës e sidomos të stinës së pranverës.

Bienale e akuarelit

Bienale e akuarelit

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite të veçantë kuratori i ekspozitës, piktori Helidon Haliti, në fjalën përshëndetëse falënderoi institucionet që bënë të mundur organizimin e bienales.

Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelit (IWS), z. Atanur Dogan mes të tjerave në fjalën e tij u shpreh se ndjen kënaqësi të veçantë sa herë vjen në Shqipëri për organizimin e bienales. Ai e vlerësoi Shqipërinë për ndihmën që i jep artit. Sipas tij, me zhvillimin e artit zhvillohet dhe shoqëria duke u bërë më e shëndetshme. Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, theksoi se për Muzeun Historik Kombëtar, është kënaqësi e veçantë që për të katërtin edicion, të jetë mbartësi i kësaj bienale me tematika të ndryshme, të cilat kanë sjellë larmishmëri të ndryshme në artin shqiptar.

Mes artistëve, 150 janë profesionistë edhe të tjerët amatorë në këtë fushë.

Kuruar nga piktori Helidon Haliti dhe piktorja Ormira Lulani, kjo ekspozitë është një event unik, që prezanton veprat origjinale të artistëve.

Sipas Halitit, vjet kur filloi pandemia, ishte një moment i trishtuar për të gjithë, pasi kishte anulim të të gjitha aktiviteteve kryesore. Por pandemia nuk kishte vetëm të këqija, kishte edhe të mira. Një ndër të mirat ishte që njerëzit rrinin më shumë në shtëpi dhe prandaj u zgjodh tema “Stil Life”, pasi shumë artistë u ftuan të bënin diçka të thjeshtë rreth kësaj fjale të thjeshtë, por që ka një perceptim shumë të thellë. Pikërisht, ky ishte qëllimi që si motiv u mor lulja.

“Në vendosëm që të operonim pikërisht në këtë gjini, në natyrën e qetë. Këtu artistët sjellin pikërisht atë interierin e tyre, të brendshmen e tyre, që kanë kaluar gjatë kovidit. Pikërisht si shenjë optimizmi. Pikërisht për të luajtur me atë që lulet marrin një kuptim shumë të çuditshëm. Marrin kuptim kur jemi mirë, kur jemi gjallë, marrin kuptim romantik, por lulet marrin një kuptim shumë të çuditshëm në këtë flamë të madhe që ka marrë shumë njerëz të rëndësishëm”, sqaron Haliti mbi zgjedhjen e temës së Bienales.

Helidon Haliti, kurator

Helidon Haliti, kurator

Bashkëorganizatore, piktorja Ormira Lulani thotë se nuk mund të anulonin edicionin e 4-t të Bienales, që me aq këmbëngulje e dëshirë e kanë çuar përpara. “Ishte e nevojshme të bënim diçka dhe të dilnim nga plogështia dhe “dëshpërimi”, që kishte kaptuar njerëzit. E pamë dhe e menduam këtë bienale si kremtimi i bukurisë dhe shkëlqimit të natyrës dhe jetës!”, shprehet Lulani.

Kjo ekspozitë, e kthyer tashmë në një traditë, është një mundësi e shkëlqyer për të sjellë në Tiranë artistë nga më të mirët dhe për të promovuar pikturën me bojëra uji si dhe për të kthyer dhe njëherë vëmendjen tek zhanri i artit pamor në Shqipëri.

Kjo ekspozitë sjell një lloj gëzimi tek njerëzit, pasi arti pamor nuk ka pengesa sa i përket numrit të vizitorëve, që mund të vijnë ta shikojnë nga afër një vepër arti. Në ekspozitë, por edhe në katalog vihet re ndryshimi se si artistët nga një vend në një tjetër trajtojnë natyrën në akuarel, thotë Haliti.

“Po të vësh re në ekspozitë krahas artistëve shumë të mëdhenj janë emra, madje të kuotuar të botës, do të shohim të rinj që përfaqësojnë vendin e tyre, me një specifikë shumë të çuditshme. Një indian sigurisht e bën natyrën e qetë si indian, një idonezian gjithashtu, një kinez e bën patjetër ndryshe, një europian e bën ashtu, aq më tepër një ballkanas … Pra ka një ndryshim shumë të çuditshëm dhe ne jemi munduar me shumë kujdes t’i fusim të gjithë. Unë vë re se shkolla e Europës pa diskutim e koncepton ndryshe natyrën e qetë dhe sigurisht më me mençuri, më me perceptim dhe sigurisht me një përballje artistike më të pjekur. Ndërkohë që shkolla aziatike vjen me një teknikë të përsosur. Deri në atë që quhet kulmi dhe fundi i teknikës së akuarelit”.

Kjo botë plot ngjyra, që sjell pak nga kulturat e vendeve nga vijnë autorët e tyre, është mundësuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Akuarelistëve, anëtare e së cilës është bërë “VIZart”.

Në ekspozitën e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe në qendrën “TEN”, nuk munguan edhe artistët shqiptarë, edhe pse më të “brishtë” në punët e tyre.

Artistët, si Skënder Kamberi, Ronald Runaj apo edhe të huaj, Hermi Kurner, Gerta Sabbe, Olga Vatkova, Li Lei, Aneta Gajos etj., por edhe amatorët përmes akuareleve sjellin skena të gëzueshme, që kanë në qendër ardhjen e pranverës, lulet dhe frutat, jetën e përditshme, objekte, por edhe imazhe të tjera që vijnë si rezultat i imagjinatës së tyre.

Bienale e akuarelit

Bienale e akuarelit

Ndër punët e artistëve gjen portretin, peizazhin, natyrën e qetë… Sipas realizuesve të këtij festivali, qëllimi i organizimit të tij është mbajtja gjallë e një zhanri, i cili “thuajse në zhdukje”.

Po ashtu, futjen e një kulture, që tashmë është shekullore nëpër Europë, siç është krijimi i “shesheve” të akuarelit. Gjatë ditëve të Bienales, e cila qëndroi shumë pak ditë e hapur, u organizuan edhe “Workshope” me artistët e huaj, që ishin të pranishëm në aktivitet dhe të rinj, që duan të mësojnë më tej mbi këtë zhanër.

Këta të fundit ndoqën “live”, procesin e realizimit të një vepre në akuarel.

Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit mbështetej nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Neritana Kraja