Moti i keq me reshje shiu, dëbore dhe erë të fortë ka përfshirë të gjithë territorin shqiptar prej më se një jave. Për shkak të reshjeve të shiut por dhe dëborës në disa qarqe ka pasur probleme me qarkullimin. Bashkia Shkodër njoftoi se nga shkarkimet e hidrocentraleve janë përmbytur rreth 1500 hektarë tokë në disa zona. Disa segmente janë të pakalueshme dhe bashkia kërkon ndihmën e mjeteve të ushtrisë.

Lumi Vjosë ka përmbytur një zonë pranë Urës së Mifolit. Ishmi ka dalë nga shtrati duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë.

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat

Zonat malore janë përfshirë nga dëbora, ndërsa problematike paraqitet situata në qarkun e Gjirokastrës. Ndërkohë, reshjet e shiut të rëna së fundmi kanë përmirësuar situatën hidrike në vend, duke rritur ndjeshëm nivelet e liqeneve në kaskadën e Drinit. Si pasojë nga 720 mega vat për orë energji elektrike që prodhohej një javë më parë, aktualisht prodhimi ditor nga tri HEC-et e kaskadës së lumit Drin është 17 100 mega vat për orë.

Sipas Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare situata po monitorohet me kujdes në varësi të përditësimit të parashikimit të reshjeve.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako gjatë një intervistë televizionet shqiptare ka garantuar se pavarësisht gjendjes së krijuar si pasojë e motit të keq tashmë ajo është vënë nën kontroll.

Prej disa ditësh vendi është përfshirë nga një intensitet i konsiderueshëmn reshjesh. Kryesisht pjesa bregdetare apo kodrinore malore, e përfshirë nga disa reshje që në shumicën e rasteve kanë depozituar ujëra në zaonat fushore. Aktualisht agjencia kombëtare e mbrojetjes civile në bashkëpunim me strukturat në bashki ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar situatën e cila edhe në bazë të informacioneve të marra nga IGJEUM dhe nga struktura të tjera. Janë marrë masat e nevojshme.

Kreu i emergjencave civile Haki Çako

Kreu i emergjencave civile Haki Çako

Në bashkinë e Shkodrës dhe të Lezhës kemi prezencë të shtuar të ujit në disa zona që janë produkt i reshjeve të rëna lokale por nuk ka dalje të lumenjve në shumicën e rasteve, qoftë lumi Drin Vjosa Shkumbini. Ato janë nën nivelin optimal të tyre dhe janë duke u monitoruar hap pas hapi”, tha Çako.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka inspektuar punën e bërë në zonat e prekura nga përmbytjet e fundit në Shkodër e Lezhë. Në Kallmet të Lezhës, Ministri vuri në dukje përmirësimin e situatës.

“Kjo tërheqje e nivelit të ujit dhe ky përmirësim i situatës së përmbytjes duhet ta them që vjen nga puna e bërë shumë mirë në këto vitet e fundit për pastrimin e kanaleve ujitëse e kulluese. Pra, tërheqja e shpejtë e ujit, kur reshjet pushojnë tregon që këto investime funksionojnë dhe dua të përshëndes pushtetin vendor, bashkinë, kryetarin e bashkisë dhe prefektin që po punojnë shumë mirë.”, - u shpreh ministri Peleshi, në një komunikim me median lokale.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi inspekton zonat e përmbytura

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi inspekton zonat e përmbytura

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjitha shtabet e ngritura nga pushteti vendor për të parandaluar çdo situatë që mund të krijohet edhe nga shtimi i reshjeve 1500 trupa të gatshëm janë në terren ndër të cilët 260 trupa speciale vetëm nga Forcat e Armatosura, të specializuar në gatishmëri.

Moti i keq ka sjellë probleme në zona të ndryshme të vendit, disa prej tyre janë Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, Elbasan, Korçë. Në Vlorë, rrugët e portit të qytetit bregdetar janë mbushur me ujë duke sjellë problematika të mëdha në qarkullimin e mjeteve.

Shirat kanë shkaktuar daljen nga shtrati të ujërave të lumit Bistricë, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e makinave në aksin nacional Sarandë – Gjirokastër.

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar në terren zonat e përmbytura dhe lidhur me situatën është shprehur në rrjetin social Facebook.

Krah për krah në terren, të gjitha strukturat e shtetit në gatishmëri të plotë për të kufizuar në maksimum pasojat e reshjeve të dendura, që në kohë të tjera do të kishin marrë përpara krejt pjesën perëndimore të vendit, por falë punës voluminoze të viteve të fundit me infrastrukturën mbrojtëse e kulluese, si edhe falë administrimit profesional të kaskadës së Drinit, kanë shkaktuar deri më tash dëme minimale dhe fatmirësisht, jo vetëm s'kanë cënuar asnjë jetë njeriu po kanë prekur fare pak banesa e kanë kufizuar në fare pak raste qarkullimin e këmbësorëve apo automjeteve”, shkruan kreu i qeverisë Rama.

Lumi Vjosë, Tepelenë

Lumi Vjosë, Tepelenë

Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar dhe Presidenti Ilir Meta, duke i bërë thirrje qeverisë, ministrive përgjegjëse, prefekturave dhe bashkive në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, të marrin në konsideratë paralajmërimet e Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Kreu i shtetit theksoi se “mbrojtja e shëndetit, jetës dhe pronës së çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë është një detyrim kushtetues, që duhet përmbushur me përgjegjshmëri maksimale”.

Presidenti Meta kërkon të garantohet urgjentisht informimi me transparencë dhe në kohën e duhur të popullatës, që jeton në zonat me rrezik potencial përmbytjeje, me qëllim garantimin e jetës dhe minimizimin e pasojave në prona e bagëti, garantimin me rezerva të mjaftueshme ushqimore për popullatën dhe blegtorinë, vendosjen e hidrovoreve në regjim gatishmërie pune me kapacitet të plotë.

Nga llogaritjet hidrologjike të Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), këto reshje pritej të shkaktonin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurjet maksimale të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 Janar, thuhet në njoftimin e IGJEUM.

Eda Merepeza