Ditën e pare të vitit të ri kryeministri Edi Rama dha lajmin e mirë se Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës antiCovid nga kompania Pfizer.

Kryeministri Rama njofton ardhjen e vaksinave antiCovid

Kryeministri Rama njofton ardhjen e vaksinave antiCovid

“Në prag të ndërrimit të viteve Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer. 10750 dozat e para të kësaj vaksine sipas kontratës do mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit. 30250 doza të tjera do vijnë në shkurt dhe të tjerat me radhë muaj pas muaj në bazë të planit të vaksinimit”, tha kryeministri Rama.

Në njoftim kreu i qeverisë thotë se është e garantuar gatishmëria e dy vendeve partnere për një total prej 9 mijë dozash, gjysmën e parë të janarit, pa i përmendur ato, duke iu referuar dinamikës së re të krijuar nga marrëveshja zyrtare me Pfizer. Gjithashtu ai ka theksuar po negociohet me dy shtete të tjera për një tjetër sasi vaksinash nga Pfizer dhe Astra Zeneca.

Vaksina antiCovid nga Pfizer

Vaksina antiCovid nga Pfizer

Kryeministri Rama me këtë rast ka kritikuar atë që ai e quan “vendimmarrja absurde, e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht, dhe e pajustifikueshme logjikisht e Bashkimit Europian” lidhur me vaksinat.

“Si njeri jam ndjerë i indinjuar dhe si evropian jam ndjerë i turpëruar. Ndërsa si kryeministër i Shqipërisë jam ndjerë më i motivuar se kurrë për të mos lejuar që shqiptarët të ndihen të përjashtuar nga mundësia për t’u mbrojtur njëkohësisht me europianët e tjerë në këtë luftë botërore me rrezikun e vdekjes”, theksoi Rama.

Solidaritet ka shprehur kreu i qeverisë Rama dhe me bluzat e bardha të spitalit COVID të Prishtinës të cilët sipas tij “do ta fillojnë vaksinimin njëlloj me kolegët e tyre në Tiranë, pasi qeveria shqiptare do i dhurojë Kosovës një pjesë të vaksinave antiCovid që ka siguruar nga kompania Pfizer”.

Vaksina antiCovid

Vaksina antiCovid

“I hymë detit në këmbë dhe ia dolëm të cekim pak tokë pa asnjë ndihmë nga BE-ja dhe ndryshe nga shembulli i keq i BE-së ndaj Ballkanit ne nuk do ia kthejmë shpinën Kosovës, duke e lënë nëë pritjen dhe ankthin torturues të fillimit të vaksinimit. Padiskutim që nuk ja zgjidhim dot krejt këtë hall të madh motrave dhe vëllezërve tanë në anën tjetër të kufirit por nuk do të ngurrojmë tua qajmë sinqerisht dhe konkretisht hallin, që sapo kemi filluar të zgjidhim për vete”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

Pavarësisht entuziazmit të kryeministrit Rama për sigurimin e vaksinave antiCovid, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka kritikuar se premtoi shumë dhe solli pak vaksina.

“Si përherë Rama përpiqet t’i shesë dështimet si suksese. Shqipëria është vendi që jep ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj. Rama premton të sjellë shumë pak vaksina, dhe shumë vonë krahasuar me vendet e tjera. Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur ndërkohë vaksinimin, ndërsa Rama shkoi në Nju Jork për të blerë këpucë të reja!”, u shpreh Basha

Kreu demokrat Basha në intervistë për mediet

Kreu demokrat Basha në intervistë për mediet

Menaxhimi i procesit të vaksinimit nuk është një proces i lehtë. Lidhur me këtë në deklaratën e tij kryeministri Rama garanton “Mund t’ju them se jemi të mirëpërgatitur që ta ngremë në kohë infrastrukturën e vaksinimit për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka hartuar strategjinë, programin dhe planin e kalendarizuar të procesit

Mësohet se prej disa javësh ka nisur puna me projektin e qendrave të vaksinimit në Shqipëri. Qendra e parë do jetë ajo e Tiranës në Air Albania Stadium ku brenda pak ditësh pritet të jetë gati një mjedis vaksinimi me standardet më të mira tekniko-profesionale për të mirëpritur grupet përfituese sipas planit të jetësimit të fushatës së vaksinimit.

“Shqipëria Buzëqesh”, do jetë moto e fushatës shtetërore dhe njerëzore falë së cilës do t’i kthejmë Shqipërisë buzëqeshjen e marrë peng vitin e shkuar nga armiku i padukshëm”, tha Rama.

Ai ka bërë të ditur se “Vaksina do jeta falas dhe jo e detyrueshme, por padyshim vaksina është e këshillueshme për të gjithë si arma vendimtare në këtë luftë të madhe, të gjatë dhe të stërmundimshme për familjet, shoqërinë, shtetin”.

Vaksinimi do të nisë në fillim me bluzat e bardha, mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe moshat mbi 75 vjeç. Në vijim do vazhdohet me përgatitjen e grafikut në ulje drejt moshave më të reja.

Eda Merepeza