Shen Zhen

Shenzhen

Qeveria kineze shpalli më 11 tetor një plan veprimi për reformat e gjithanshme pilot në qytetin Shenzhen të provincës Guangdong të Kinës Jugore, në kuadrin e 40-vjetorit të krijimit të kësaj zone të posaçme ekonomike.

Analistët vunë në dukje se metodat e autorizuara, që mbështesin nivelin më të lartë të reformës dhe të hapjes për të arritur objektivat në pesë vjetët e ardhshëm, janë plot risi, duke i dhënë qytetit më shumë autonomi për reformim në fusha kyçe.

40 pikat që sapo u autorizuan nga qeveria qendrore, përfshijnë gjashtë aspekte, si shpërndarja e orientuar nga tregu e faktorëve prodhues, mjedisi i biznesit, novacioni i teknologjisë së lartë dhe hapja ndaj botës së jashtme. Sipas Ning Jizhe, zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës, çdo pikë e përfshirë në plan ka mjaft hapësira për të shfrytëzuar.

“Të dhënat statistikore tregojnë se më shumë se 20 nga pikat janë të nevojshme për të kapërcyer ligjet, rregulloret ose politikat e tanishme, duke përfshirë gati 100 përshtatje të legjislacionit të tanishëm. Ky proces është novativ dhe pasqyron fuqinë dhe thellësinë e reformimit të autorizuar nga qeveria qendrore,” shtoi Ning.

Disa masa reformuese duhet të zbatohen para fundit të vitit 2022. Për shembull, hartimi i një liste të masave të veçanta për të zgjeruar hyrjen në tregun e Shenzhen-it do të jetë veprimi i parë i sivjetshëm, dhe në këtë drejtim duhet të bëhet përparim sa më shpejt që të jetë e mundur.

Porti Yantian, Shenzhen

Porti Yantian, Shenzhen

Tian Yun, zv.drejtor i Shoqatës së Operimit Ekonomik të Pekinit, vuri në dukje se lista, që përfshin pika që në të kaluarën kërkonin koordinim mes departamenteve të ndryshme shtetërore, tani mund të realizohet në mënyrë më efikase nëpërmjet sinergjisë së qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.

“Kjo është një përpjekje revolucionarizuese, që synon vendosjen e një standardi për zonat e tjera të zhvilluara ekonomikisht në Kinë për të përshpejtuar reformat dhe hapjen. Nëse ajo funksionon,kontingjenti i dytë i masave mund të shpallet pas autorizimit”, tha z. Tian.

Sipas listës, masat e reja do të përfshijnë projektet pilot për ndërtimin e tregut të kapitaleve të Shenzhen-it, duke çuar përpara reformën e bordit të bursës ChiNext (të ngjashëm me NASDAQ në ShBA) dhe zbatimin e sistemit të regjistrimit pilot të këtij bordi; krijimin e Treguesit të Aksioneve me Zbatim të Ardhshëm të Shenzhen-it; listimin në Bursën e Shenzhen-it të më shumë kompanive që udhëheqin në fushën e novacionit etj.

Një sërë masash priten të zbatohen përfshijnë lehtësimin e mëtejshëm të hyrjes së kapitaleve të huaja në tregun financiar të Shenzhenit për studimin e teknologjisë së përparuar, krijimin e një liste negative dhe hapjen më të gjerë të sektorëve si energjetika, telekomunikacioni, pajisjet publike, transporti, arsimi etj. Autoritetet vendore kanë më shumë kompetenca për rritjen e nivelit të hapjes në sektorët e financave dhe të transportit detar, si për shembull, mbështetja ndaj ndërmarrjeve të Shenzhen-it të listohen jashtë vendit për të marrë financim, që të thellohet ndërkombëtarizmi i monedhës kineze yuan, duke u përmirësuar mekanizmi i menaxhimit të rezervës valutore.

Shenzhen

Shenzhen

Jo vetëm kaq, por edhe institucionet e huaja financiare inkurajohen të krijojnë kompani në fushën e sigurimeve e menaxhimit të fondeve dhe të marrin leje biznesi në sektorin e pagesave në Shenzhen. Ndërsa një listë negative unike për hyrjen në tregun e Shenzhen-it do të shtojë mundësitë dhe forcën e zhvillimit të zonës ekonomike më të hapur dhe më dinamike të Kinës.

Gjithashtu, nga këto politika priten të përfitojnë edhe krahinat e tjera fqinje në Zonën e Madhe të Gjirit, si Hong-Kongu dhe Makaoja.

Wang Peng, profesori i asociuar në Shkollën e Inteligjencës Artificiale Gaoling pranë Universitetit Renmin, u shpreh se plani i sapopublikuar përfshin kryesisht masat e detajuara në infrastrukturën digjitale, sektorin financiar, reformën e kapitaleve dhe zhvillimin e ekonomisë reale e të industrisë së teknologjisë së lartë, të cilat do të nxisin zhvillimin e bashkërenduar në Zonën e Madhe të Gjirit.

“Me zhvillimin e Shenzhenit, edhe Hong-Kongu dhe Makaoja mund të ndajnë frytet e këtij zhvillimi. Disa kompani dhe institucione të kualifikuara mund të listohen në Bursën e Shenzhen-it, ndërsa investitorët e huaj në industrinë e teknologjisë së lartë dhe ndërtimit të infrastrukturës digjitale mund të futen në tregun e qytetit. Shenzhen-i nuk synon të konkurrojë me Hong Kong-un e Makao-n, por të ofrojë një platformë pro integrimit të mëtejshëm për zhvillim të përbashkët”, tha z. Wang.

Teknologjia dhe zhvillimi financiar kanë filluar në Shenzhen, por ky qytet nuk është qendër financiare e vendit në krahasim me Hong-Kongun. “Nëse qyteti dëshiron të bëhet një tjetër qendër financiare e vendit, kjo mund të mundësohet pas krijimit të një tregu më të favorshëm, një mjedisi më të mirë biznesi dhe një sistemi më të mirë të hyrjes në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve”, sqaroi Wang.

Disa investitorë dhe kompani të huaja e kanë përshëndetur këtë paketë politikash të qeverisë kineze.

Shenzhen-i ishte një qendër e testimit të reforma dhe hapjes së tregut dhe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në zhvillimin vendor, por edhe si një qendër pilot për zhvillimin e krahinave të tjera të Kinës. Shumë praktika të reja u bënë në Shenzhen 40 vjet më parë dhe u përhapën në pjesën tjetër të vendit.

Sipas z. Denis Depoux, partner dhe drejtori i menaxhimit global të gjigantit të konsultimeve të zhvillimit strategjik, në 40-50 vjetët e ardhshëm, Zona e Madhe e Gjirit do të ketë mundësi më të mëdha. “Zona do të lidhë qytete si Shenzhen-i, Guangzhou, Zhuhai dhe Dongguan-i, duke formuar një mjedis që i ngjan shumë Gjirit të Tokios”, shtoi ai.

Një reformë që nuk mund të lihet pa u përmendur është politika mbështetëse për testimin pilot të renminbi-së digjitale dhe zhvillimin e monedhës digjitale me bashkëpunim ndërkombëtar. Shenzhen-i do të nxjerrë në qarkullim 10 milionë juanë (1.49 milionë dollarë amerikanë) monedha digjitale për përdorimin brenda qytetit që nga 12 tetori.

“Kjo tregon se Kina do të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në sektorin e monedhës digjitale në të ardhmen. Nëse prova në Shenzhen ecën mbarë, do të vihet në jetë një testim në një përmasë më të gjerë,” tha Chen Bo, drejtor i Qendrës së Studimeve Financiare pranë Universitetit Qendror të Financave dhe të Ekonomisë.

Në situatën e tanishme, sidomos kur ShBA-ja ka filluar të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së sanksioneve financiare ndaj Kinës, këto masa reformuese financiare në Shenzhen duhet të jenë një përgatitje për të përballuar rreziqet e mundshme, shtoi Chen. (Zhang Yan)