Kinema në kohë pandemie

Kinema në kohë pandemie

Prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, shumë ngjarje kinematografike u anuluan dhe shumë premiera të filmave u shtynë përkohësisht, por ajo që e tronditi më së shumti industrinë, ishte mbyllja e kinemave.

Në kulmin e shpërthimit të pandemisë në Shqipëri autoritetet kanë vendosur të hapin kinematë.

Duke filluar nga data 15 tetor të gjitha kinematë në vend mund të ishin hapur.

Hapja bëhet mbi bazë të protokolleve të miratuara nga Instituti Shëndetit Publik për masat anti-covid.

Administratorët e kinemave thonë se mezi e kanë pritur këtë vendim. Ata thonë se për biznesin e tyre vendimi është frymëmarrje, pas gjithë këtyre muajve penalizim. Altin Elezaj, menaxher i kinema Millenium shprehet për mediat se interesimi ka qenë i vazhdueshëm për hapjen e kinemave.

"Po prisnim me kohë në fakt që shërbimi të niste përsëri. Kemi pasur edhe klientë që janë interesuar vazhdimisht për sa i përket kinemasë, jetës kulturore. Janë të interesuar për këtë lloj shërbimi".

Cineplexx

Cineplexx

Për Drejtuesen e Marketingut dhe Komunikimit në “Cineplexx”, Ingrid Xhaja, lajmi i hapjes së kinemave është i shumë pritur, por ajo konstaton se edhe kinemaja shqiptare, pjesë e industrisë së filmit në botë, po has probleme të mëdha. Prandaj Cineplexx, pavarësisht lejes së dhënë nga qeveria, akoma nuk e ka një datë të saktë të nisjes.

"Po përpiqemi që t'i kthehemi normalitetit. Problemi ynë i kinemasë, nuk është vetëm i yni në Shqipëri, por është një problem i madh global.

Për shkak të pandemisë filmat po kancelohen. Kishim një titull fantastik që mezi po e prisnim në nëntor që ishte James Bond dhe ai na u shty. Dhe së bashku me të edhe shumë filma të tjerë, që do të thotë na gjen në një situatë pak sa të vështirë. Sepse ne duam të hapemi, tani edhe mund të hapemi, por tituj do të na e vështirësojnë pak sa situatën".

Hapja e kinemave është bërë 7 muaj pas urdhrit për t’u mbyllur. Kinematë që rihapen do t’i nënshtrohen një sërë rregullash specifike. Ato përfshijnë kufizimin e kapaciteteve dhe numrin e filmave që do të shfaqen në një vend të mbyllur. Në kinema Millenium është bërë kujdes me protokollet, thotë menaxheri Elezaj:

"Do të zbatojmë protokollin e ministrisë. Kuptohet që do të ketë distancim mes klientëve, kushtet e higjienës do të përmirësohen".

Hapja e kinemave

Hapja e kinemave


Disa nga rregullat janë se rezervimi i biletave mund të bëhet vetëm online. Të mbahet maskë nga klientët dhe nga personeli gjatë gjithë kohës që janë në ambientet e brendshme të kinemasë. Nëse konstatohet një rast pozitiv duhet të pastrohet kinemaja.

Të njëjtat masa janë marrë edhe nga rrjeti i kinemave Cineplex. Dizefektimi i ambienteve aty është bërë në mënyrë të vazhdueshme edhe pa u lejuar akoma filmat, e tani ky shërbim do të intensifikohet.

Po kështu në të gjitha kinematë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të gjithë personave që do të hyjnë brenda, do t'iu matet temperatura dhe asnjë klient me temperaturë mbi 37.5 gradë nuk do të lejohet të hyjë në kinema.

Për më tepër urdhërohet që nga shfaqja në shfaqje të ketë pushim jo më pak se 15 minuta, për të kryer pastrimin dhe ajrosjen e duhur. Po ashtu distancimi fizik do të jetë 1.5 m nga çdo klient teksa nuk lejohet ushqimi dhe pijet në kinema.

Po shtrohet pyetja: Ndërprerja për 7 muaj e aktivitetit të kinemave që aktualisht përkon me kulmin i pandemisë në vend, a do ta penalizojë mbarëvajtjen e tyre?

Tenet, filmi që u shfaq në kinematë botërore gjatë pandemisë

Tenet, filmi që u shfaq në kinematë botërore gjatë pandemisë

Gara bëhet e fortë për të zgjedhur filmin më të mirë. E ndërsa Millenium përcaktoi mbrëmjen e së dielës për të rifilluar, Cineplex premton të sjellë një ndër filmat më shpresëdhënës të momentit në botë.

"Ne e dimë me siguri që një nga filmat që do të kemi dhe ai më kryesori në momentin kur do të hapemi, në cilindo moment, ne këtë film do ta kemi, do të jetë "Tenet" i Christopher Nolan, për të cilin është folur shumë dhe është diskutuar në termat, a do të jetë ai që do ta shpëtojë kinemanë këtë vit?"

"Tenet" është një film i vitit 2020, me skenar dhe regji të Christopher Nolan. Një bashkëprodhim anglo-amerikan.

Komploti ndjek veprimet e një agjenti sekret (interpretuar nga John David Washington) i cili, duke luftuar ndaj kohës, përpiqet të parandalojë shpërthimin e një Luftë të Tretë Botërore.

Shkrimi i skenarit mori më shumë se pesë vjet punë, ndërsa xhirimet u zhvilluan nga maji deri në nëntor 2019 në Danimarkë, Estoni, Indi, Itali, Norvegji, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Promovimi i filmit u shty tre herë për shkak të pandemisë COVID-19, dhe më në fund u shfaq në Mbretërinë e bashkuar në 26 Gusht dhe më 3 Shtator në SH.B.A 2020. Filmi është prodhimi i parë i madh i Hollivudit që doli në kinema pas mbylljeve me forcë për shkak të pandemisë, duke fituar rreth 323 milion dollarë në të gjithë botën dhe duke u bërë kështu filmi i tretë me fitime të vitit 2020.

Kështu, filmi që shpëtoi kinemanë botërore në kohë pandemia, pretendohet të bëjë të njëjtën gjë me kinemanë shqiptare, e cila ka nevojë të zgjohet pas gjumit letargjik 7 mujor shkaktuar nga korona. (Redaktoi: Zhang Yan)