Presidenti Xi Jinping ka shpallur objektivin ambicioz të Kinës për të arritur asnjanësimin e karbonit para fundit të vitit 2060, gjë që pritet të shpejtojë kalimin e botës drejt zhvillimit të gjelbër dhe me lëshim të ulët karboni.

“Kina synon të arrijë para vitit 2030 kulmin e lëshimit të dioksidit të karbonit dhe të realizojë asnjanësimin e karbonit deri në vitin 2060”, tha Xi Jinping-u në debatet e përgjithshme të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të zhvilluar në formën e videokonferencës.

Ekspertët e vendeve të ndryshme i vlerësojnë premtimet e Kinës si “realiste” e “të rëndësishme”, duke thënë që ato do të udhëheqin veprimet e përbashkëta kundër ngrohjes globale dhe do t’i nxitin vendet e tjera të bëjnë përparim në këtë drejtim.

Objektiva realiste

Sipas “Refinitiv”, një gjigant global për infrastrukturën dhe të dhënat e tregut financiar, fjalët e presidentit kinez pasqyrojnë dy ndryshime të mëdha në angazhimet e Kinës brenda kornizës së Marrëveshjes së Parisit për ndryshimin e klimës, të nënshkruar në vitin 2015.

E para, në të kaluarën Kina u zotua ta arrinte kulmin e lëshimit “rreth vitit 2030”, ndërsa këtë herë kjo u zëvendësua me “para vitit 2030”. E dyta, për herë të parë u publikua objektivi ambicioz i asnjanësimit të karbonit me një kohë të përcaktuar.

“Për shkak të sasisë së madhe të konsumit të energjisë dhe të lëshimit të Kinës, arritja e këtyre objektivave kërkon përpjekje të shumta”, vuri në dukje Yuan Lin, një analist i lartë në njësinë e studimit të karbonit të “Refinitiv”-it.

“Kjo deklaratë ka domethënie historike, sepse Kina ka vendosur një objektiv përfundimtar për lëshimin e karbonit”, tha Helen Clarkson, kryeekzekutivja e Grupit të Klimës, një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse me qendër në Londër.

Sipas saj, pas zotimit të Kinës për të bërë më shumë punë efektive, duke synuar zhvillimin e gjelbër dhe të vazhdueshëm, “udhëheqësit në mbarë botën janë të etur të mësojnë detajet se si do të jetë ecuria e Kinës në arritjen e këtyre objektivave”.

Ndërsa Jarl Krausing, drejtori i institutit të studimit të politikave për zhvillimin e gjelbër “Concito”, është i mendimit se këta objektiva janë realistë.

“Mbjellja e pemëve do të përbëjë një pjesë të strategjisë së Kinës”, i tha Krausing-u gazetës daneze “Politiken”, duke shtuar se Kina pritet të gjelbërojë një zonë sa katër herë sipërfaqja e Anglisë nëpërmjet planit të saj.

“Në Europë ne synojmë shumë lart dhe bëjmë sa kemi mundësi për t’i arritur objektivat. Por në Kinë ka një traditë që të vendosen objektiva të ulët dhe të tejkalohen ata. Një gjë e tillë më jep siguri se ata e kanë marrë seriozisht”, tha Krausing-u.

Jeffrey Sachs, profesor i ekonomisë në Universitetin e Kolumbias dhe këshilltar i lartë i OKB-së, u shpreh se ai parashikon që Kina mund ta arrijë objektivën para kohe, sepse “është në procesin e krijimit të teknologjive të nivelit botëror për energjinë e gjelbër dhe industritë e teknologjisë së lartë”.

Sipas Gjurmuesit të Veprimit për Klimën, një analizë shkencore që ndjek dhe vlerëson veprimet e qeverive të ndryshme përballë ndryshimit klimatik, nëse vihen në jetë objektivat e Kinës, parashikimet për ngrohjen do të ulen me 0.2 deri në 0.3 gradë celsius në përmasë botërore, ulja më e madhe e vlerësuar ndonjëherë në këtë analizë.

Premtimet e palës kineze gjetën reagim pozitiv nga pala europiane. “Ne e mirëpresim ambicien e Kinës për të pakësuar lëshimin dhe për të arritur asnjanësimin e karbonit para fundit të vitit 2060. Ky është një hap i rëndësishëm i luftës globale kundër ndryshimit klimatik brenda kornizës së ‘Marrëveshjes së Parisit’. Ne do të bashkëpunojmë me të lidhur me këtë objektiv”, shkroi Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian në llogarinë e saj në “Twitter”.

Premtimet inkurajuese

Premtimi i Kinës u bë disa ditë pasi Komisioni Europian përditësoi Marrëveshjen e vet të Gjelbër, që parashikon asnjanësimin e karbonit para fundit të vitit 2050, gjë që do të nxisë më shumë vende të japin ndihmesë për të ngritur objektivat e pakësimit të lëshimit.

“Këto premtime nga Kina dhe Bashkimi Europian do të ushtrojnë trysni mbi lëshuesit e tjerë kryesorë dhe do të favorizojnë negociatat mbi klimën në Konferencën e Palëve në Gllasgou në vitin 2021”, theksoi “Refinitiv”.

“Pa dyshim që përpjekjet e Kinës do të kenë një rol kryesor ndikues në ecurinë e vendeve të tjera në përballjen e ndryshimit klimatik, sidomos me mungesën e drejtimit të ShBA-së”, tha Helen Clarkson.

Lidhur me fjalët e presidentit kinez që vendet e mëdha duhet të mbajnë përgjegjësi më të madhe, William Jones, shefi i zyrës së Uashingtonit të revistës amerikane “Executive Intelligence”, vuri në dukje se “ato janë edhe një deklaratë domethënëse kundrejt ShBA-së, që ka përsëritur shpesh se çfarë do të bëjë për veten, por jo për vendet e tjera”.

Për sa u përket veprimeve të Kinës në përmbushjen e përgjegjësive ndërkombëtare ndaj përballimit të ndryshimit klimatik dhe mbrojtjes së mjedisit, Misioni i Përhershëm i Kinës në OKB deklaroi javën e kaluar se Kina ka arritur objektivat e saj për vitin 2020 dy vjet më herët, çka përbën një kontribut të rëndësishëm për reagimin global ndaj ndryshimit klimatik.

Lëndët e djegshme jofosile përbëjnë gati 15% të vëllimit të përgjithshëm të konsumit energjetik në Kinë. Kina tani zotëron 30% të kapacitetit botëror të prodhimit të energjive të përtëritshme, duke zënë 44 % të rritjes globale në këtë drejtim. Automjetet e saj me energji të reja përbëjnë gjysmën e sasisë së përgjithshme botërore. Ndërkohë, që nga viti 2000, në Kinë gjenden 25 % e zonave të pyllëzuara në përmasë botërore.

Misioni i Përhershëm i Kinës në OKB vuri në dukje se premtimi i presidentit Xi për përditësimin e rritjen e objektivave përkatëse kombëtare dhe zbatimin e politikave e të masave më të forta janë në përputhje me vizionin e Kinës për një botë të pastër, të bukur e plot gjallëri me anën e përpjekjeve të përbashkëta dhe me angazhimet e saj për ndërtimin e një bashkësie të fateve të përbashkëta të njerëzimit.

“Neve na duhet ndërmarrja e veprimeve të vendosura prej çdo vendi për të mbajtur temperaturën nën kontroll, për të përballuar ndryshimin klimatik dhe për ta mbajtur Tokën tonë të banueshme”, shkroi në “Twitter” Frans Timmermans, zv.presidenti ekzekutiv i Komisionit Europian për Marrëveshjen e Gjelbër.