PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Teatri i hijeve, një trashëgimi kulturore e Kinës
2016-03-17 15:13:53 CRI Komenti juaj Printoni

Cikli Tradita kineze

Kali në mitologjinë kineze

Kali është një nga simbolet e mitologjisë kineze. Sipas kalendarit kinez nga 31 janari deri në 18 shkurt është periudha e Kalit të drunjtë.

Në studimet e kulturës kineze kali shfaqet si një nga figurat e rëndësishme mitologjike. Edhe horoskopi kinez i përbërë nga 12 kafshë , të shtatin ka kalin, i caktuar në këtë pozicion për shkathtësinë e tij.

Legjenda e kalit në mitet kineze

Një vajzë kineze babai i të cilës prej vitesh ishte në luftë, i kërkoi kalit të shtëpisë që nëse i sillte të atin, do të martohej me të. Ndodhi çudia si në të gjitha legjendat. Kali solli babain e vajzës në shtëpi, por ky i fundit i tmerruar nga betimi i vajzës për tu martuar me kalin, e vrau kafshën e gjorë. Lëkurën e kalit e varën në oborrin e shtëpisë për ta tharë, por një ditë kur vajza ndodhej në oborr fryu erë. Lëkura e kalit nga era ra mbi vajzën, e mbështolli atë pas vetes dhe fluturuan bashkë. Ndërsa prindërit kërkonin vajzën ata e gjetën një ditë të shndërruar në një krimb mëndafshi në një man. Këtu e ka origjinën perëndesha me kokë kali që njihet si perëndesha e serikulturës, prodhimit të mëndafshit.

Shpesh figura e kalit në mitologjinë kineze nuk ngjan biologjikisht me vetë këtë krijesë.Shpesh ai paraqitet me fuqi magjike apo qiellore. Mjaft i njohur në këtë mitologji është "Longma", kali-dragua. Besohet se Longma kishte kaluar Lumin e Verdhë. Madje sipas mitologjisë murgu budist Xuanzang, i cili njihet për sjelljen e shkrimeve të lashta budiste nga India në Kinë e kreu këtë mision me ndihmën e një " bailongma" që është një kalë-dragua i bardhë. Kjo legjendë lidhet dhe me emrin Baimasi, ose Tempulli i Kalit të Bardhë, të cilët janë tempuj të famshëm budistë që gjenden kudo në Kinë. Në shkrimet budiste kali takohet shpesh por i përzier me dragoin, duke krijuar një krijesë mitologjike të njohur si kali-dragua i bardhë. Madje ky personazh gjendet dhe në romanin e njohur të përshtatur për film artistik "Journey to the West".

Një tjetër figurë e njohur mitologjike është dhe "kali i parajsës" i quajtur Tianma, i lidhur shpesh me dukuri astrologjike, si konstelacione.

Figura e kuajve qiellorë lidhet me dinastinë Han, perandorin Han Wudi dhe poetin e shquar të dinastisë Tang Li Bo. Qilini është një tjetër krijesë e mitologjisë kineze i cili ishte një lloj njëbrirëshi.

Tradita kineze- Teatri i hijeve

Në një shoqëri me zhvillim të shpejtë si Kina, disa nga artet folklorike përpiqen të mbijetojnë, duke u përballur me sfida të shumta. Nje prej tyre është dhe "Loja e Hijeve" e njohur në kinezisht si "Pi Ying Xi". Ka ende artistë në Kinë që e ushtrojnë këtë art të lashtë madje dhe e promovojnë për fëmijët, me synim ruajtjen e kas trashëgimie të çmuar të kulturës së lashtë kineze.

Origjina

Loja e hijeve e njohur edhe si kukullat hije apo teatri i hijeve është një formë e lashtë e të rrëfyerit dhe argëtimit, e cila realizohet me disa kukulla në relief të sheshtë që me ndihmën e dritës krijojnë hije në një sipërfaqe pëlhure. Ashtu si dhe teatri i marionetave apo i kukullave ato lëvizen nga aktorët që u japin zë dhe një rol të veçantë artistik. Gjatë teatrit të kukullave mund të përdoren efekte të ndryshme. Një artist i talentuar i kësaj loje të hijeve mund të krijojë figura që ecin, vallëzojnë, luftojnë apo qeshin.

Loja e hijeve është një nga kulturat e lashta e përhapur në mbi 20 vende dhe ka një histori të lashtë në Azinë Juglindore, kryesisht në Indonezi, Malajzi, Tajlandë dhe Kamboxhia. Por ky art folklorik ka qenë mjaft i zhvilluar në lashtësi edhe në Kinë, Indi dhe Nepal. Kujtojmë se teatri i hijeve ka qenë i përhapur edhe në Turqi, Greqi dhe Francë. Kjo performancë ka si publik të vegjëlit por edhe të rriturit.

 

Teatri i hijeve në Kinë

E ka origjinën që në dinastinë Han (206 B.C.–220 A.D.). Sipas legjendës një nga konkubinat e Perandorit Wu vdiq nga një sëmundje, ndaj perandori i dëshpëruar urdhëroi oficerët ta kthenin vajzën në jetë. Oficerët krijuan një hije të konkubinës duke përdorur lëkurë gomari dhe 11 pjesë të tjera dhe e veshën kukullën me rroba shumëngjyrëshe. Me ndihmën e një llampe me vaj ata krijuan në mur hijen e saj, që lëvizte dhe fliste. Pra e risollën në jetë.

Teatri i hijeve ishte mjaft popullor në Kinë gjatë dinastisë Song dhe shfaqjet e tij kryheshin gjatë festave të ndryshme. Ndërsa në dinastinë Ming në Pekin numëroheshin 40 trupa teatri hijesh. Historitë që tregoheshin nëpërmjet lëvizjeve teatrore të hijeve ishin kryesisht me temë fetare. Kukullat prej lëkure që lëvizen nëpërmjet shkopinjve edhe sot tregojnë legjenda apo përralla të ndryshme. Një paraqitje virtuoze ky teatër i lashtë kinez e ka bërë në filmin "To Live" të regjizorit të njohur Zhang Yimou në vitin 1994.

(Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China