PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Panairi Ndërkombëtar i Arteve i Pekinit
2015-12-23 13:55:44 CRI Komenti juaj Printoni

Panairi Ndërkombëtar i Arteve i Pekinit e ka nisur udhën e tij në vitin 1998 dhe tashmë ka një traditë të konsoliduar ndër vite krahasuar me panaire të tjerë që organizohen në kryeqytetin kinez, pasi ai shpalos jo vetëm artin popullor kinez por e ndërthur atë me artin e huaj. Këtë vit Panairi organizohet nga Komiteti i Edukimit, Shkencës, Kulturës, Shëndetësisë dhe Sporteve i KQ të PKK-së si dhe nga Akademia Kombëtare e Pikturës e Kinës. Panairi Ndërkombëtar i Arteve ka hyrë tashmë në edicionin e tij të 18-të dhe do të zhvillohet në kryeqytetin kinez nga 27 deri më 31 dhjetor në Qendrën e Ekspozitave.

Panairi i sivjetëm do të ndahet në 4 seksione, ku përfshihet piktura tradicionale kineze dhe kaligrafia, arti i "Një brez, Një rrugë", skulptura dhe punime artistike të fëmijëve.

Përsa i përket seksionit të pare mësohet se do të ekspozohen punime të rralla si Zhen Song Yong Mao, një album me piktura i realizuar nga 186 artistë të famshëm kinezë si Qi Baishi, Huang Binhong dhe Qi Gong në periudhën 1912-1949.

Të ftuar për realizimin e këtij albumi në vitin 1944 në Shangai nha biznesmeni i njohur i kohës Zhao Houfu, me rastin e ditëlindjes së nënës së tij, këta artistë krijuan vepra arti që vlerësohen edhe sot për stilin dhe nivelin e lartë artistic. Organizatorët e Panairit kanë bërë të ditur se arti i huaj në edicionin e sivjetëm do të përfaqësohet nga artistë të ardhur nga Rusia dhe Nepali si dhe nga veprat e tyre.

Piktorët rusë kanë ushtruar një ndikim të madh në veprat e autorëve kinezë të viteve 50-të. Pas një periudhe shkëputjeje, vitet e fundit vihet re sërish një rritje e shkëmbimeve në fushën e arteve midis dy vendeve. Këtë vit vizitorët e Panairit Ndërkombëtar të Arteve të Pekinit do të kenë rast të shohin vepra në pikturë të autorëve më të njohur rusë nga vitet 50-të të shekullit të kaluar deri në ditët tona.

Nepali shquhet për veprat e artit dedikuar Budës, të realizuara në pikturë, mëndafsh, që janë shumë pranë shijeve artistike të publikut të gjerë. Ky lloj arti i njohur me emrin Thangka nuk është i kushtueshëm dhe preferohet shumë nga njerëzit me shije moderne, duke zënë një vend të rëndësishëm në tregun kinez të artit. E konsideruar si një vazhdimësi e Thangkës tibetiane, Thangka nepaleze është mjaft e njohur në Kinë për kombinimin e ngjyrave dhe ruajtjen e traditës fetare në veprat e artit. Panairi Ndërkombëtar i Arteve i Pekinit është një mundësi e mirë për koleksionistët e Thangkës për të njohur nga afër Thangkan e Nepalit.

Industria e filmit në Kinë, rritje gjatë 2015

Filmi thriller "The Martian" është i fundit realizim kinematografik amerikan që ka korrur sukses në Kinë. Edhe filma të tjerë hollivudianë si "Mission Impossible 3" kanë patur jehonë në tregun kinez të filmit dhe kanë shumë fansa anembanë vendit aziatik. Nëse do ta konkretizonim me shifra këtë duhet të theksojmë se një rekord prej 40 miliard yuanësh ose 6.3 miliard dollarë amerikanë ka shënuar shitja e biletave në kinematë kineze gjatë vitit 2015, duke zënë vendin e dytë në botë. Mbetet vetëm çeshtje kohe që Kina të zerë vendin e parë në botë për shitjen vjetore të biletave në kinematë e saj, duke tejkaluar shifrën prej 10 miliard dollarësh që realizon ShBA.

Tregu kinez i filmit ka shënuar një rritje prej 30 % që nga viti 2003, kur autoritetet dyfishuan numrin e shfaqjeve të filmave të huaj në kinematë e vendit. Sipas burimeve zyrtare të ardhurat nga filmat e huaj në kinematë e Kinës nga fillimi i shfaqjes së tyre në këtë vend, që ishin 1 miliard yuan pritet që në vitin 2020 të arrijnë në 100 milionë yuan. Tashmë në Kinë shfaqin filma 31 mijë ekrane në mbi 6200 salla kinemaje, ndërsa para 12 vjetësh ky numër ishte përkatësisht 2000 me 1000. Filmat kinezë kanë realizuar 60% të arkëtimeve të biletave këtë vit, duke u përballur me konkurrencën e fortë të filmave hollivudianë "Mission Impossible" dhe "James Bond" në versionin e ri "Spectre". Në shtator të këtij viti filmi i animuar kinez "Monster Hunt" arkëtoi 2.429 miliard yuan, duke lënë pas "Fast and Furious 7". Të tjerë filma të sukseshëm kinezë janë filmi i animuar 3D "Monkey King-Hero is back" dhe filmi thriller aksion "Chronicles of the Ghosty Tribe", i duartrokitur për efektet e tij vizive.

Këto suksese kanë shtuar besimin në industrinë kineze të filmit, ndonëse këtë vit pjesa më e madhe e filmave vendës janë realizuar nga regjizorë të rinj dhe jo shumë të njohur.

Filmi komedi "Jian Bing Man",ai romantik "Tiny Times" kanë shënuar gjithashtu arkëtime të mira në disa miliarda yuan. Sipas sekretarit të Shoqatës Kineze të Filmit Rao Shuguang, "filma të ikonave të kinemasë kineze si Chen Kaige apo John Woo, pavarësisht se me një cilësi të lartë artistike, nuk përputhen me shijet e të rinjve". Sipas një vëzhgimi të bërë këtë vit mësojmë se biletat e kinemave janë blerë më së shumti nga një publik i lindur pas viteve 90-të të shekullit të kaluar. Lidhur me këtë profesori i Universitetit të Pekinit, Zhang Yiwu thotë se " tregu i ri i filmit në Kinë sundohet nga të rinjtë dhe për shijet e tyre, ndaj veprat e regjizorëve më të vjetër nuk impresionojnë shumë këtë publik".

Të rinjtë shkojnë kryesisht në kinema për tu argëtuar me filma që trajtojnë komedi, romancë, thotë Rao, duke shtuar se simpatinë e këtij publiku e fitojnë regjizorë që u përgjigjen shijeve të tyre.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China