PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Hapësira të reja për vizitorët në Qytetin e Ndaluar
2015-11-05 15:01:56 CRI Komenti juaj Printoni

Hapësira të reja për vizitorët në Qytetin e Ndaluar

Pas 90 vjetësh më 10 tetor u hap pjesa perëndimore e Pallatit Perandorak në Pekin, e njohur si Qyteti i Ndaluar, e cila dikur përdorej si hapësirë banimi për perandoreshat kineze, ndër vite. Pjesa perëndimore e pallatit përfshin pallatin e rinovuar Cining, i njohur dhe me emrin Shoukang, ku ka jetuar perandoresha Dowager Cixi.

Me rastin e përurimit të kësaj hapësire të rëndësishme me vlera të çmuara historike për Kinën, u hap dhe një sallë ekspozimi me 1200 objekte.

 

Pallati Shoukang ka një sipërfaqe prej 600 metra katrorë dhe i është bashkuar kompleksit perandorak gjatë sundimit të perandorit Qianlong, në vitet 1735-1796.

Ky pallat kryesisht banohej nga nënat perandoresha dhe njihej si "Huangtaihou". Pallati u ndërtua si hapësirë banimi për nënën e perandorit Qianlong , perandoresha Dowager Xiaoshengxian dhe më pas u përdor nga perandorët e tjerë për nënat e tyre. Pallati ka historinë e vet dhe në arkiva mësohet se si është konceptuar ndërtimi i tij, i lidhur në tërësi me kompleksin perandorak, i përbërë nga dy ndërtesa të tjera si Pallati Shou an dhe Pallati Cining.

 

Pallati Shoukang ose Shoukanggong është një ndërtesë tipike e Kinës së lashtë dhe njihet me emërtesa simbolike si Pallati i Jetëgjatësisë dhe Shëndetit të mirë.

Ndërtimet e Pallatit Shoukang nisën në vitin e 13-të të sundimit të mbretërisë Yongzheng në kohën e dinastisë së fundit kineze Qing dhe përfunduan në vitin 1736. Më pas gjatë sundimit të perandorit Jiaqing përsëri në kohën e dinastisë Qing, në vitin 1820 u krye një restaurim i Pallatit. Në arkivat e kohës thuhet se gjatë kohës kur në pallat jetonte perandoresha Dowager, e cila kaloi këtu vitet e fundit të jetës, i biri perandori Qianglong e vizitonte atë çdo 2-3 ditë. Edhe pas ndarjes nga jeta të nënës së tij, perandori e vizitonte pallatin e saj, ku shpesh lutej, në nderim të së jëmës. Madje në brendësi të Pallatit perandori urdhëroi vendosjen e një kulle të artë në të cilën ishin vendosur flokë të Budës dhe të nënës perandoreshë. Kulla e artë ishte dekoruar me stoli të çmuara dhe korale dhe këtu kryheshin lutje.

Në Pallatin Shoukang ka jetuar për një periudhë të shkurtër dhe perandoresha Dowager Cixi, nëna e perandorit Tongzhi. E fundit që ka banuar në pallat ishte e shoqja e perandorit Tongzhi, perandoresha Dowager Yu. Në 21 nëntor të vitit 1924 perandoresha e moshuar Dowager Yu u largua nga ky pallat dhe nga Qyteti i Ndaluar dhe pas kësaj askush nuk banoi më në të.

 

Restaurimi i Qytetit të ndaluar

Me hapjen për vizitorët të pjesës perëndimore të Muzeut të Pallatit, i njohur si Qyteti i Ndaluar shtohen hapësirat e vizitueshme për publikun e shumtë. Por për stafin e pallatit shtohet dhe puna e përgjegjësia e ruajtjes dhe restaurimit të vlerave të çmuara të tij.

Ekspozita tregon riparimin e thesareve të ndryshme kulturore, duke përfshirë piktura antike dhe vepra të kaligrafisë, qeramika, orë etj. Shumë artikuj të restauruar paraqiten dhe me videot përkatëse ku tregohen për vizitorët pikat kryesore të procesit të riparimit.

Shi Ningchang është drejtor i departamentit të ruajtjes së relikteve të muzeut. Sipas tij "Kjo është ekspozita e parë për restaurimin e relikteve kulturore, dhe ne kemi zgjedhur më shumë se 40 nga objektet më përfaqësuese, në një përpjekje për të prezantuar këto aftësi restaurimit për vizitorët."

I vendosur në Qytetin e Ndaluar, pallati perandorak gjatë dinastive Ming dhe Qing, muzeu ka më shumë se 1.8 milionë relikte, por shumë prej tyre janë të dëmtuara ose të thyera, që përbëjnë dhe objektin e punës së mbi 100 restauruesve. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China