PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Filma kushtuar Luftës së popullit kinez kundër pushtimit japonez
2015-09-17 09:58:06 CRI Komenti juaj Printoni

Filma kushtuar Luftës së popullit kinez kundër pushtimit japonez

Këtë vit u festua 70 vjetori i fitores së Luftës së popullit kinez kundër pushtuesve japonezë dhe i fitores së Luftës së Dytë Botërore. Ka shumë vepra letra, muzikore,baleti, pikture dhe skulpture kushtuar kësaj lufte por ngjarjet e saj kanë frymëzuar edhe shumë filma, prodhime të kineastëve kinezë të shekullit të shkuar dhe të 30 viteve të fundit.

Një ndër filmat e parë ishte ai me titull "Landmine warfare" prodhim i vitit 1962. Filmi tregon historinë e fshatarëve të Zhaojiazhuang në mbrojtje të familjeve dhe të fshatit të tyre kundër pushtuesve japonezë. Personazhet e këtij filmi janë të guximshëm dhe me ndjenja të forta patriotike, që nuk dorëzohen edhe në rrethanat e vështira të luftës. Ky film u bë tepër i njohur dhe i pëlqyer për publikun e kohës.

Në vitin 1965 një tjetër film iu kushtua Luftës për rezistencë të popullit kinez kundër pushtimit japonez. Bëhet fjalë për filmin me titull "Tunnel Warfare", ngjarjet e të cilit zhvillohen në fshatin e vogël Gaojiazhuang, banorët e të cilit luftojnë me vendosmëri kundër pushtuesve japonezë. Madje ata ndërtojnë një tunel për ta përdorur si vendstrehim gjatë luftës por edhe për të nisur nga aty sulmin kundër pushtuesve. Filmi plot aksion dhe akte heroike të fshatarëve të thjeshtë por dhe ushtrisë çlirimtare kundër pushtuesit u mirëprit nga publiku.

I bazuar në romanin me titull "Red Sorghum Clan" të Nobelistit Mo Yan filmi me të njejtin titull tregon historinë e një gruaje që punonte në një fshat të provincës Shandong. Ajo drejtonte një punishte ku prodhohej likeri i njohur si Sorgumi i kuq dhe për të mbrojtur punën e saj disavjeçare ajo së bashku me punëtorët e distilerisë luftojnë kundër pushtuesve japonezë. Filmi me regji të të mirënjohurit Zhang Yimou ka fituar "Ariun e artë" në Festivalin ndërkombëtar të Filmit në Berlin në vitin 1988.

Filmi "Purple sunset" pjesë e trilogjisë "War and Peace trilogy" të regjizorit Feng Xiaogang trajton temën historike të Luftës së Dytë Botërore në përfundim të saj, që përkon me humbjen e ushtrisë pushtuese japoneze në Kinë. Në film ka 3 personazhe kryesorë, një qytetar kinez, një mjek rus dhe një studente japoneze, fatet e të cilëve ndërthuren për shkak të ngjarjeve të luftës. Dielli është simbol i jetës në këtë film artistik, por ngjyra e diellit ndryshon kur një vend përballet me luftën e përgjakshme. Filmi kinez "Purple sunset" ka fituar çmimin për skenarin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Havai në vitin 2001.

"On the Mountain of Tai Hang" është një film kinez i vitit 2005, i cili tregon brigadën e 8-të të ushtrisë të udhëhequr nga gjenerali Zhu De në marshimin e saj përgjatë Lumit të Verdhë, duke hyrë në vijën e frontit të luftës kundër pushtuesve japonezë. Ky film është nderuar me çmimin "Gjeli i artë" për fotografinë më të mirë në vitin 2005.

Me regji të Lu Chuan filmi "Nanjing ! Nanjing!" i njohur dhe me titullin "Qyteti i jetës dhe vdekjes", një prodhim i vitit 2009 trajton masakrën e vitit 1937 të agresorëve japonezë në qytetin kinez Nanjing.

Filmi trajton dramën psikologjike të një ushtari të thjeshtë japonez dhe një ushtari kinez të kësaj lufte. Filmi është nderuar me çmim në Festivalin e Filmit në San Sebastian në vitin 2009.

"Lulet e luftës" i përshtatur sipas romanit me titull "13 lulet e Nanjingut" të Yan Geling, me regji të Zhang Yimou është prodhim i vitit 2011. Filmi trajton sërish masakrën brutale të ushtrisë japoneze në qytetin kinez Nanjing në vitin 1937, ku 12 prostituta përpiqeshin të mbronin 13 nxënëse nga përdhunimet masive të ushtrisë japoneze, duke u sakrifikuar për to. Ky film është i njohur dhe për publikun shqiptar pasi është shfaqur shpesh në ekranet e televizioneve shqiptare, në interpretimin edhe të aktorit hollivudian Christian Bale. "Lulet e luftës" është nominuar si filmi më i mirë në gjuhë të huaj në edicionin e 84-të të çmimeve Oskar.

"Kthim në vitin 1942" është një film me regji të Feng Xiaogang, prodhim i vitit 2012, një nga regjizorët më në zë të dekadave të fundit. Edhe subjekti i këtij filmi trajton luftën e rezistencës së popullit kinez kundër pushtimit japonez në provincën Henan. Filmi trajton mizoritë që sjell lufta në jetën e njerëzve të thjeshtë.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China