PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Muzeu privat i artit Minsheng në Pekin
2015-07-17 10:49:06 CRI Komenti juaj Printoni

Muzeu i ri i privat i artit Minsheng

Kina është mjaft e pasur në struktura muzeale, që mbulojnë fushat e historisë, arkeologjisë, arteve figurative, kulturës, kinemasë por dhe veprimtarive të tjera. Në dhjetëvjeçarin e fundit krahas muzeve kombëtarë, apo atyre në kujdesin e shtetit vihet re një rritje e numrit të muzeve privatë. Kryesisht muzetë e artit tërheqin më shumë vëmendjen e publikut dhe krijimi i tyre në Kinë është bërë kryesisht me mbështetjen e sektorit bankar dhe atij financiar. Shembull për këtë është dhe Muzeu i ri privat i artit Minsheng i hapur këto ditë në Pekin, për të cilin do të flasim në rubrikën tonë "Wenhua".

Pas 3 vjet përgatitjesh në fund të qershorit u hap për publikun Muzeu I Artit Minsheng Beijing, me përurimin e ekspozitës së artit bashkëkohor ku marrin pjesë mbi 100 artistë kinezë.

Ky është konsideruar si një nga muzetë më të mëdhenj private në vend me një sipërfaqe dy here më të madhe se Muzeu Kombëtar i Artit. Muzeu privat u Artit Minsheng shtrihet në një sipërfaqe prej 35 mijë metra katrorë e cila më pare ishte një fabrikë dhe këtu gjejmë një ngjashmëri me zonën e artit 798 të Pekinit.

Në brendësi të Muzeut të Artit Minsheng Beijing ndodhet një dyqan, bare, një librari si dhe depo për veprat e artit. Në eksponatet e muzeut janë paraqitur krijime të mbi 160 artistëve.

Pamja e jashtme e Muzeut ngjan me një kuti argjendi dhe është projektuar nga arkitekti Zhu Pei i cili është i njohur dhe për bashkëpunimet e tij me muzeun Guggenheim të Fondacionit Abu Dhabi.

E titulluar "Forca qytetare" ekspozita inauguruese e Muzeut të Artit Minsheng ndahet në tre sektorë, ndër të cilët një sector me 88 vepra arti të zgjedhura nga 8 mijë vepra konkuruese, në sektorin e dytë paraqiten vepra të 76 artistëve që kanë qenë mjaft aktivë në jetën artistike 30 vjeçare të vendit si dhe seksioni i tretë ku paraqiten projektet nga punët në terren të një grupi artistësh që artin e tyre e kanë fokusuar në zonat rurale të Kinës.

Nëndrejtori i Muzeut Guo Xiaoyuan thotë për mediet se në muze janë përzgjedhur vepra të 30 viteve të fundit, që përkojnë me hapjen e Kinës ndaj botës dhe ndryshimet rrënjësore në vend. Sipas tij artistët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Në njerin nga seksionet e muzeut ndodhen vepra të artistëve të viteve 80-90 të shekullit të kaluar, ndër të cilët vepra e series Pop të Shu Qun.

Dy muajt e fundit rreth 2 milionë kinezë votuan online për veprat e 32 artistëve që do të ekspozoheshin në seksionin e konkurimit dhe më pas ajo më e pëlqyera do të fitonte çmimin prej 500 mijë yuan, ose rreth 80 mijë dollar amerikanë.

Muzeu privat i Artit Minsheng është themeluar nga Grupi Bankar Minsheng, Shanghai Minsheng Art Museum dhe M 21, pra nga ente të rëndësishme financiare të Kinës.

Sipas drejtores së Muzeut, Zhou Xujun muzeu do të fokusohet në veprat e artit bashkëkohor pas shekullit të 20-të. Vizitorët në këtë muze do të gjejnë vepra të artit bashkëkohor modern dhe here pas here do të ekspozohen dhe punime të artistëve ndërkombëtarë.

Gjatë 20 viteve të fundit muzetë private të Kinës janë përballur me mungesa fondesh. Por drejtorja Zhou shprehet optimiste për të ardhmen e këtij muzeu dhe besimin e mbështet te zhvillimi i ekonomisë kineze. Mbështetja e Muzeut të Artit nga bankat ndoshta shërben si një shpresë për jetëgjatësinë e tij.

Muzetë e artit në Kinë kryesisht janë hapur nga kompanitë e pasurive të paluajtëshme apo bankat dhe kjo nismë duhet vlerësuar pasi synon zhvillimin e artit bashkëkohor dhe nxitjen e artistëve për një krijimtari sa më cilësore.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Artit në Kinë Wu Weishan tha në ceremoninë e hapjes së Muzeut të ri se muzetë publikë dhe ata private luan të njejtin rol në zhvillimin kulturor të vendit. Ato mund të plotësojnë njeri-tjetrin në misionin fisnik të artit dhe zhvillimit të tij. Numri i madh i artistëve tashmë me përvojë në vend dhe shtimi i rradhëve të tyre me të rinj kërkon hapësirë për promovimin e veprave të artit të gjinive të ndryshme. Ndaj dhe krijimi i strukturave muzeale anembanë vendit dhe mbi të gjitha ndihmesa e dhënë nga biznesi privat për ngritjen, menaxhimin dhe ecjen përpara të tyre është një risi për tu lavdëruar. Muzeu privat i Artit Minsheng në Pekin do të ofrojë për vizitorët deri në 10 tetor ekspozitat e artit të hapura në 3 seksionet e tij, me rastin e përurimit.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China