PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Arti i çajit –kultura kineze e çajit-2
2015-01-22 11:03:37 CRI Komenti juaj Printoni

Në zonat me prodhimtarinë më të lartë të çajit në Kinë, rritja dhe kultivimi i tij ka stinën e vet. Gjethet e çajit në stinë të ndryshme kanë pamje dhe karakter të ndryshëm. Çaji i mbledhur në pranverë nga fillimi i marsit në festën Qingming, quhet "çaji i parë." Ngjyra e tij është jeshile e hapur dhe shija tepër e pastër. Dy javë pas Qingming, është faza stinore Guyu. Gjatë kësaj faze vjen dhe sezoni i dytë i vjeljes së çajit. Gjethet e çajit të mbledhura pas Qingming (rreth muajit prillit), por pas Guyu quhen "çaji para-shiut," dhe gjethet e mbledhura pas tij quhen "çaji i pas-shiut." Zakonisht çmimi i çajit ndryshon pikërisht nga këto faza, sa më herët të jenë mbledhur gjethet e çajit, aq më i lartë çmimi i tij.

Në rastet më të shumta, çaji i fillimit të pranverës është më i miri për nga cilësia në mesin e çajit që vilet në periudha të tjera të vitit. Çaji nga i njejti vit konsiderohet si i ri, ndërkohë çaji mbi një vit konsiderohet si i vjetër. Çaji jeshil dhe ai oolong janë më cilësorët nëse janë të freskët, ndërkohë çaji i vjetër Pu'er ka një shije më të mirë. Adhuruesit e çajit kanë ç'të zgjedhin në stina të ndryshme. Çaji jeshil është i shkëlqyer në pranverë, ndërkohë çaji krizantemë, prodhuar më së shumti në Hangzhou dhe Zhejiang preferohet më shumë në stinën e vjeshtës. Në fund të vjeshtës dhe në dimër, çajërat oolong, Pu'er dhe Tie Guanyin janë më të këshillueshmit për stinën e ftohtë. Gjatë gjithë vitit, ka shumë varietete çaji. Dashamirësit e çajit me eksperiencë mund të dallojnë sa i ri apo i vjetër është një çaj. Madje, ata janë në gjendje të dallojnë stinën e vjeljes së këtij çaji.

Për të bërë një filxhan çaj cilësor nuk mjaftojnë vetëm cilësia e lartë e gjetheve të çajit, por edhe cilësia e ujit, temperatura, sasia dhe lloji i çajit. Kinezët e lashtë besonin se uji nga majat e larta të malit është më i miri për bërjen e çajit. Sot, një ujë i mirë për bërjen e çajit është ai pa shumë minerale dhe i lehtë. Temperatura e kërkuar për bërjen e çajit varjon sipas llojeve të ndryshme të tij. Për pjesën më të madhe të çajit, temperatura e kërkuar është rreth 100 gradë celcius. Megjithatë, për çajin jeshil dhe çajrat me shkallë të ulët fermentimi nuk duhet t'i kalojnë 90 gradë celcius. Sasia e gjetheve të çajit që përdoret varet dhe nga lloji i tij. Përsa i përket çajnikëve, lloje të ndryshme çaji kërkojnë materiale të ndryshme. Për çajin me lule porçelani është më i përshtatshmi. Çaji jeshil është i lehtë në shije, prandaj preferohet qelqi. Për çajin e zi dhe atë gjysmë të fermentuar preferohen enët prej balte.

Mënyra më e thjeshtë për servirjen e çajit është ta pyesni më parë të ftuarin për preferencat e tij. Kur hidhni çajin në gotë apo kupë, qëndrojini parimit "gota e verës plot, gota e çajit gjysmë". Pra, mos e mbushni plot gotën e çajit.

Kinezët gjithnjë u kanë servirur të ftuarëve çaj. Disa madje preferojnë më shumë çajin se pijet alkoolike si raki orizi apo verë. Mënyra e servirjes së çajit është me të vërtetë shumë e thjeshtë. Përpara se të përgatisni çajin pyeteni mikun se çfarë preferencash ka. Pas servirjes së çajit, të ftuarit trokasin lehtësisht kupën mbi tavolinë për të treguar mirënjohje dhe respekt. Thuhet se ky zakon lindi në kohën e dinastisë Qing dhe nuk është i njohur vetëm në Kinë, por edhe në Azinë juglindore.

Çaji Gongfu është një zakon unik i rajonit të Chaozhou-t në provincën Guangdong. Ka ekzistuar që nga koha e dinastisë Tang. Kjo teknikë është jo vetëm një formë e mirësjelljes, por edhe një mënyrë për të treguar respekt ndaj paraardhësve. Çaji autentik Chaozhou gongfu ende ruan traditën e lashtë. Kur të ftuarit ulen në tryezë, duhet të ulen me radhë që nga më të vjetrit e më pas të rinjtë, ata me status më të lartë e deri në vijim duke nisur nga e djathta e mikpritësit apo zotit të shtëpisë. Pas uljes së të ftuarëve, i zoti i shtëpisë nis me artin e tij magjik, atë të hedhjes së çajit nëpër kupa. Këtu nuk vlerësohet vetëm kompleti antik i çajit, por edhe cilësia e gjetheve, cilësia e ujit etj.

Çajniku i përdorur për çajin gongfu është i vogël. Lloji i çajit të zgjedhur është oolong, i kompletuar në ngjyrë aromë dhe shije. Gjethet e çajit hidhen me kujdes në çajnik pothuajse e mbushin plotësisht atë. Sa më shumë gjethe të ketë në çajnik, aq më i fortë do të jetë çaji. Kur bëni çaj hidhni menjëherë ujë të zier në çajnik. Uji i parë dhe i dyti i çajit nuk është i pijshëm pasi përdoret për lagien e gjetheve të çajit dhe për shplarjen e kupave. Kur pini çaj gongfu ekziston një rregull. Asnjë nuk duhet ta pijë çajin menjëherë. Kur pini çaj duhet ta nisni me nga një gllënkë dhe të përdorni gjuhën për të shijuar së pari çajin.

Çaji Gongfu është shumë i fortë, prandaj në fillim mund të ketë pak shije të hidhur. Por, sa më shumë çaj të pini, aq më shumë do ta pëlqeni shijen e tij dhe do të keni shumë energji. Kur konsumojnë çaj gongfu njerëzit mund të bisedojnë gjëra të ndryshme, dhe ndjejnë një qetësi shpirtëroe dhe mendore. Në fakt, ky është kuptimi i vërtetë i çajit gongfu, dhe gjithashtu demonstron karakteristikën unike kineze të çajit, duke reflektuar një mirësi dhe kulturë të veçantë e të pasur me një sharm që zgjat.

Në Kinë nuk mungojnë çajtoret e shumta. Veçanërisht në zonën Jiangnan, ku çajtoret i gjen në çdo cep të çdo fshati të vogël, qyteze dhe qyteti. Ekzistojnë shumë çajtore që kanë ruajtur traditën e vjetër shekullore, ndërsa të tjerat janë kombinim i kafesë me barin. Disa çajtore të tjera ofrojnë dhe darka. Çajtoret nisën lulëzimin që nga dinastia Song. Në atë kohë, kishte çajtore për çdo nivel shoqëror. Në muret e tyre janë të skalitura piktura dhe punime kaligrafike, dhe brenda ka lule të freskëta, pemë bonsai dhe muzikë me shije në sfond. Në çajtoret e Pekinit kombinohet muzika me artin popullor. Klientët mund të konsumojnë çaj, ndërkohë që kënaqen në një ambjent të mrekullueshëm, që u dhuron qetësi shpirtërore.

Banorët në Sichuan kanë një histori të gjatë të pirjes së çajit dhe çajtoret atje janë tepër të famshme. Në kryeqendrën Chengdu, çajtoret variojnë nga të vogla me 3-5 tavolina deri tek të mëdhatë me qindra karrike. Të vjetrit preferojnë konsumin e çajit, ndërkohë që shijojnë performanca të operës kineze ose diskutojnë me miqtë. Nëpunësit sot preferojnë çajtoret, pasi u jep një mundësi për relaks, shoqërim dhe biseda pune. Ka një thënie në Kinë, "Çaji pastron shpirtin." Gjendja paqësore e mendjes që dhuron çaji është tepër e ndryshme nga shoqëria mondane. Ata që pinë çaj provojnë një ndjenjë qetësie dhe kënaqësie në të njejtën kohë. (AlBaNa)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China