PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Sanatadita e vjeshtës", i 16-ti ndër termat e 24 fazave stinore sipas kalendarit bujqësor
2011-11-09 15:03:52 cri komenti juaj Printoni

"Sanatadita e vjeshtës", një term që simbolizon ndryshimin e stinëve, bie zakonisht më 23 ose 24 shtator sipas kalendarit ndërkombëtar, dhe vjet rastisi më 23 shtator. Sipas kalendarit tradicional kinez, "Sanatadita e vjeshtës" ndodhet mu midis "Fillimit të vjeshtës" dhe "Fillimit të dimrit", domethënë pikërisht në mes të 90 ditëve të vjeshtës. Prandaj, "Sanatadita e vjeshtës", që quhet në gjuhën kineze "qiu fen", ka kuptimin "ndarja e vjeshtës". Që nga "Sanatadita e vjeshtës", dita fillon të shkurtohet, kurse nata të zgjatet. Në "Sanataditën e pranverës", për të cilën kemi folur në një program të mëparshëm, dielli ndriçon pingul ekuatorin e Tokës dhe dita është e barabartë me natën. Po kështu, edhe në "Sanataditën e vjeshtës", dielli bie pingul mbi ekuator dhe dita është e barabartë me natën.

Meqë Kina ndodhet në hemisferën veriore, pas "Sanataditës së vjeshtës", rrezatimi pingul i diellit lëviz drejt jugut, prandaj në shumicën e krahinave kineze rrezet pingule diellore pakësohen dhe temperatura ulet gjithnjë e më shumë. Në disa zona të Kinës Verilindore rënia e brymës pas "Sanataditës së vjeshtës" nuk është gjë e çuditshme. Kurse për shumicën e viseve kineze kjo kohë është e përshtatshme për turizëm, sepse, sapo përfundon stina e shirave, fillon të fryjë flladi i vjeshtës dhe dielli ndriçon i ngrohtë.

Në Kinën e lashtë organizoheshin një sërë veprimtarish festive në fazën "Sanatadita e vjeshtës", për të uruar korrje të bollshme. Ndër këto veprimtari, ceremonia e lutjes hënës është më e rëndësishmja. Sipas shënimeve historike, qysh në kohën e dinastisë Zhou (vitet 1046 —256 para erës sonë), mbretërit kinezë i luteshin diellit në "Sanataditën e pranverës", tokës në "Solsticin e verës", hënës në "Sanataditën e vjeshtës" dhe qiellit në "Solsticin e dimrit". Vendet për lutje quheshin Tempulli i Diellit, Tempulli i Tokës, Tempulli i Hënës dhe Tempulli i Qiellit, të cilët ndodheshin përkatësisht në lindje, jug, perëndim dhe veri të kryeqytetit të atëhershëm. Tani edhe në Pekin, ruhen 4 tempuj të tillë, që janë bërë 4 parqe me emrat "Zhitan", "Yuetan", "Tiantan" dhe "Ditan", që do të thonë përkatësisht "Tempulli i diellit", "Tempulli i hënës", "Tempulli i qiellit" dhe "Tempulli i tokës". Aktiviteti i lutjes hënës është shndërruar në "Festën e hënës", e cila bie në ditën e 15-të të muajit të 8-të sipas kalendarit bujqësor kinez, që është dita e parë me hënë të plotë pas fillimit të "Sanataditës së vjeshtës".

"Festa e hënës" është festa e dytë e rëndësishme tradicionale kineze, pas Vitit të Ri kinez, që quhet "Festa e pranverës". "Festa e hënës" vlerësohet edhe si "festa e çmalljes me të afërmit". Në këtë ditë, të gjithë anëtarët e familjes mblidhen në shtëpi për t'u çmallur me njëri-tjetrin dhe për të uruar mbarësi e lumturi. Veprimtaritë kryesore në këtë ditë feste janë shijimi i bukurisë së hënës së plotë dhe i "kekut të hënës", një lloj ëmbëlsire e rrumbullakët si hëna e plotë. Kjo ëmbëlsirë gatuhet me një mjeshtëri të veçantë. Brenda futen fruta të grira dhe nga jashtë mbështillet me miell. Me rastin e "Festës së hënës", të gjithë anëtarët e familjes të mbledhur së bashku shijojnë jo vetëm "kekun e hënës" dhe fruta të ndryshme të freskëta, por edhe bukurinë e hënës së ndritur dhe të luleve të vjeshtës. Në këtë çast, ndjenjat familjare dhe panorama e bukur përzihen së bashku. Në kohën e sotme, "Festa e hënës" është përfshirë në listën e trashëgimive jomateriale kombëtare të Kinës. Ajo është festë tradicionale jo vetëm për shtetasit kinezë, por edhe për njerëzit me prejardhje kineze në gjithë botën. Kanë ndryshuar koha dhe mjedisi, por nuk ka ndryshuar zakoni i kinezëve për të shfaqur mallin dhe për të shprehur urimet në ditën e "Festës së hënës". (Shy Guan)

Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China