PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Shënime për ujërat"
2010-03-10 14:50:12 cri komenti juaj Printoni
Ju flet Radio e Jashtme e Kinës. Të dashur miq dëgjues, në rubrikën "Kultura tradicionale kineze" do të flasim për veprën klasike gjeografike "Shënime për ujërat".

"Shënime për ujërat", që u krijua para 1500 vjetëve, gjatë periudhës së Dinastive Jugore dhe Veriore në historinë kineze, ka qenë jo vetëm vepra e parë gjeoegrafike komplekse për rrjetin ujor në Kinë, por edhe një vepër e njohur klasike e letërsisë kineze, ku shënohen peizazhi i bukur i maleve e lumenjve, panoramat natyrore dhe doket e zakonet e viseve të ndryshme kineze të asaj periudhe historike.

Autori i kësaj vepre, Li Dao Juan, e pëlqente shumë udhëtimin nëpër vise të ndryshme, duke ushqyer dashuri të madhe për malet dhe lumenjtë e atdheut. Pasi trashëgoi postin aristokratik nga i ati, atij iu dha mundësia që, duke shfrytëzuar postin e vet zyrtar, të udhëtonte nëpër zonat e rrjedhave të Lumit të Verdhë dhe të lumit Huaihe, duke lënë gjurmë në tokat e provincave të sotme Hëbei, Hënan, Shansi, Shensi, Mongoli e Brendshme, Shandong, Jiangsu, Anhui etj. Kudo që shkonte, ai vrojtonte me kujdes gjendjen e shtretërve të lumenjve dhe vizitonte objektet historike, duke grumbulluar të dhëna të dorës së parë për shkrimin e veprës së tij të madhe.

Meqenëse uji ka qenë gjithmonë faktori më aktiv në natyrë dhe lumenjtë kanë pasur rëndësi të madhe për ekonominë e vendit e për jetën e popullit, kinezët e periudhave të ndryshme i kanë kushtuar gjithmonë vëmendje shëndetësimit të ujërave, duke krijuar veprën gjeografike "Libri mbi ujërat". Veprën e tij "Shënime për ujërat" Li Dao Juan e shkroi pikërisht mbi bazën e kësaj vepre, duke e plotësuar dhe duke e përsosur më tej.

Në veprën "Shënime për ujërat", që është një vepër me 300 mijë hieroglife dhe që ndahet në 40 kapituj, jepen shënime për 1389 lumenj dhe përrenj. Në të flitet për çështje të 2000 vjetëve, që nga lashtësia e herët e deri në shekullin e 6-të të erës sonë.

Kjo vepër prek aspekte të shumta të gjeografisë natyrore dhe të gjeografisë njerëzore. Shënimet në të janë shumë të hollësishme, madje shënohet qartë gjithçka që ka të bëjë me një lumë të caktuar, siç janë vendburimi dhe grykëderdhja e tij, rryma e tij kryesore, degët e tij, gjerësia e thellësia e shtratit të tij, sasia e ujit, ndryshimet e nivelit të ujit të tij në të katër stinët, përmbajtja e rërës në ujërat e tij, koha e ngrirjes së ujit, si dhe ujëvarat e rrymat e furishme në të dhe liqenet ku kalon. Në këtë vepër regjistrohen edhe formacione të ndryshme gjeologjike, për shembull, shënohen emrat e afro 2000 maleve e kodrave, si dhe më shumë se 70 shpella të formacioneve gëlqerore që quhen në gjeografi "formacione karstike". Sipas shënimeve në këtë libër, nëpër brigjet e këtyre lumenjve rriteshin më shumë se 140 lloje bimësh dhe rronin mbi 100 lloje kafshësh të egra. Në këtë libër shënohen me hollësi edhe fatkeqësitë e ndryshme natyrore, si përmbytjet, thatësira, fatkeqësitë e erës, fatkeqësitë e karkalecave, tërmetet etj.

Në përshkrimet e mjedisit gjeografik që bën Li Dao Juan në veprën e tij, tregohet edhe shpirti humanitar dhe shkrirja e ndjenjave njerëzore me natyrën, gjë që mishëron ngjyrimet artistike të gjeografisë dhe cilësitë letrare të shënimeve të udhëtimit turistik. Në këtë vepër jo vetëm ndjenjat vetjake të autorit, por edhe kultura e historia e kombit kinez shprehen në mënyrë të gjallë me anë të përshkrimit të mjedisit natyror të maleve dhe lumenjve.

Vepra "Shënime për ujërat" është në fakt bilanci i kërkimeve gjeografike në Kinë para shekullit të 6-të të erës sonë. Megjithëse disa të dhëna të çmueshme të cilave u është referuar Li Dao Juan në veprën e tij, kanë humbur prej kohësh, kjo vepër ende ka vlerë për historiografinë, arkeologjinë, toponiminë, historinë e ekonomisë ujore, etnografinë, shkencën mbi fenë dhe artin. Kjo vepër është mahnitëse jo vetëm për përmbajtjen e vet të pasur, por për më tepër është bërë një përmbledhje e prozave të atëhershme për malet dhe lumenjtë, që autori i përshkruan me mjete të larmishme letraro-artistike. Në këtë vepër janë përmbledhur edhe mjaft përralla mitologjike që janë interesante edhe për lexuesit e sotëm.

Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China