PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Vizita e kryeministrit Edi Rama në Kinë
2015-11-30 15:17:14 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vizitoi Kinën nga 24 deri më 26 nëntor, ku mori pjesë në takimin e liderëve të Kinës dhe të 16 vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, në Suzhou. Ai u takua në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping dhe homologun e tij kinez Li Keqiang. Në programin e sotëm, do t'ju flas për vizitën e kreut të qeverisë shqiptare Rama në Kinë si dhe mekanizmin e bashkëpunimit "16+1" midis Kinës dhe vendeve të EQL-së.

Vizita u realizua në kuadrin e 66-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë. Më 25 nëntor, kryeminsitri Rama publikoi në faqen e tij të Facebook-ut: "Në vitin e tyre të 66-të, marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë, janë në një moment mjaft pozitiv dhe po forcohen në drejtime të reja; Nisma 16+1 si edhe ajo Belt and Road, janë dy platforma të tjera që i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të këtyre marëdhënieve, sidomos në aspektin ekonomik. Gjatë punimeve dje në Samitin Ekonomik Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore në Suzhou të Kinës, me fokus forcimin e bashkëpunimit me përfitim reciprok mes 16 vendeve të EQL dhe Kinës, në përpjekjet e përbashkëta për rritjen e qëndrueshme ekonomike."

Kryeminsitri Rama përmendi gjithashtu "Binjakëzimin e qytetit Shantou, përgjatë Rrugës Detare të Mëndafshit në Kinë, me qytetin e Durrësit, i cili pritet jo vetëm të shtrojë më tej rrugën për zhvillimin e portit të Durrësit, por do të çelë një fazë të re në rritjen e investimeve, ku me rëndësi të veçantë është ndërtimi i Zonës Ekonomike me Parkun Industrial të Spitallës.

Në fakt, idetë e kryeministrit shqiptar gjetën përgjigje pozitive gjatë takimit të 26 nëntorit në Pekin me homologun kinez Li Keqiang.

Li Keqiang vlerësoi miqësinë tradicionale kino-shqiptare dhe theksoi se qeveria kineze mbështet investimet kineze në ndërtimin infrastrukturor dhe të parqeve industriale në Shqipëri.

"Shpresojmë që të nisë sa më parë ndërtimi i rrugës së Arbrit, të shtohen bashkëpunimet në fushën e financës, minierave dhe bujqësisë. Dëshirojmë që Shqipëria të krijojë më shumë lehtësi për investimet kineze si dhe për vizitat e turistëve nga Kina" tha kreu kinez i ekzekutivit.

Nga ana e tij, Rama i tha kryeministrit kinez se miqësia Shqipëri-Kinë është e çmuar, duke shtuar se Shqipëria i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. "Shqipëria fton sipërmarrjen kineze në ndërtimin e infrastrukturës në Shqipëri dhe dëshiron zgjerimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe turizëm. Shqipëria është e gatshme të thjeshtojë procedurën e vizave për qytetarët kinezë, duke krijuar më shumë lehtësi në këtë drejtim."

***********

Ndërkohë, edhe mediat shqiptare kanë pasqyruar gjerësisht vizitën e kryeministrit Rama në Kinë.

Në raportin e ATSH-së, duke iu referuar fjalës së kryeministrit, thuhet: "Morëm disa angazhime konkrete nga ana e kryeministrit kinez dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe nga ana tjetër firmosëm një marrëveshje të rëndësishme mirëkuptimi me një prej kompanive më të mëdha kineze, Pacifik Construction, së bashku me qeverinë e Malit të Zi, për të filluar punën për studimin e fizibilitetit dhe financimin e Korridorit të Kaltër, ose siç njihet ndryshe, Korridorit Adriatiko-Jonian, ku do të përfshihet edhe Bosnja dhe Kroacia. Kryeministri i Bosnjës praktikisht dha pëlqimin e tij dhe në dhjetor do të finalizohet edhe përfshirja e Bosnjës në këtë marrëveshje mirëkuptimi."

Po ashtu, tha Rama, "Një pikë tjetër e rëndësishme ka qenë e lidhur me faktin se në projektin strategjik të këtij mekanizmi do të avancohet me rritjen e kapaciteteve portuale në Baltik dhe në Adriatik. Këtu përfshihet edhe interesimi madh i palës kineze, për të rritur kapacitet portuale të Shqipërisë në funksion të projektit madhor strategjik, atij të rrugës së dikurshme të Mëndafshit, që është edhe shtylla kurrizore e gjithë kësaj qasjeje të re, për transformimin dhe modernizimin e infrastrukturës që lidh të 16 vendet", u shpreh kryeministri Rama.

Në gazetën shqipe të Maqedonisë "Koha" botohet komenti i ish-ambasadorit të Shqipërisë në Rumani, Leonidha Mërtiri. Diplomati shqiptar shprehet se: "Në dhjetor të vitit të kaluar Shqipëria dhe Kina nënshkruan dy Memorandume, atë të Mirëkuptimit për mekanizmin e bashkëpunimit në Financim dhe për bashkëpunimin e financimit të Rrugës së Arbrit. Madje, ky i fundit u vlerësua nga qeveria shqiptare si "fryti i parë i një epoke të re", pranë nismës 16+1. Kjo nismë kineze, tepër e njohur tashmë, ngërthen natyrisht interesa gjeopolitike dhe ekonomike të Kinës. Por ky afrim mendoj se nuk mund të përkthehet si karshillëk që i bëhet Bashkimit Europian. Sipas Institutit Europian për Studime Aziatike në Bratislavë, "as Kina dhe as vendet e Europës Qendrore dhe Lindore nuk kanë synim dobësimin e BE-së. Në vend që të kritikojnë partnerët, do të ishte mirë që vendet perëndimore europiane të përpiqen t'i kuptojnë ato".

Zgjerimi i tregjeve për eksportet e saj dhe konsolidimi i tyre, por dhe importi nga ato i mallrave, veçanërisht i prodhimeve bujqësore, aq të nevojshme për tregun kinez, janë, me sa duket, në qendër të strategjisë kineze në fushën ekonomike. Dhe anasjelltas: Vetë këto vende janë të interesuara gjithashtu për gjallërimin e ekonomive të tyre. Kina, nga ana e saj, luan një rol të pazëvendësueshëm në ekonominë globale me tregues impresionues në këtë fushë. Është e njohur tashmë si Kina arriti shumë shpejt të bëhet fuqia e dytë ekonomike në botë, edhe pse rritja vjetore e ekonomisë kineze është ngadalësuar, nga dhjetë në shtatë për qind.

Ditët e fundit, Qendra e transmetimit për Rusinë dhe Europën Lindore e Radios së Jashtme të Kinës (CRI) zhvilloi në website-n e saj një sondazh lidhur me këtë takim.

Sipas sondazhit mbi temat kryesore të këtij samiti, 60.1% e të anketuarve përzgjodhën investimet dhe çështjet ekonomike e tregtare. Përveç kësaj, 46.2% e të anketuarve nënvizuan ndërlidhshmërinë.

Pjesëmarrësit në sondazh shpresojnë që Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore do të forcojnë bashkëpunimin, për të nxitur zhvillimin ekonomik rajonal dhe për të krijuar më shumë vende pune, në favor të përmirësimit të jetës së popujve të këtij rajoni.

Gjatë takimit me Ramën kryeministri kinez Li Keqiang u angazhua për lidhjen e strategjisë së saj të zhvillimit me atë të Shqipërisë. Ai u shpeh për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dypalëshe, në dobi të të dy popujve.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China