PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Biznesi elektronik nxit zhvillimin e ekonomisë rurale
2015-08-07 14:51:00 CRI Komenti juaj Printoni

Në epokën e internetit, biznesi elektronik ka shënuar zhvillim të shpejtë në të gjitha drejtimet në Kinë. Në fshat, shumë fermerë kanë filluar t'i përdorin shërbimet e internetit për të krijuar dyqane në uebsajtin Taobao, duke luajtur një rol të madh në shtimin e punësimit dhe të ardhurave në fshat. Fshati Sunzhuang në provincën Shandong të Kinës lindore është një shembull i tillë. Në këtë fshat ku prodhohen e shiten kryesisht veshje fëmijësh, gazetari ka parë gjallërinë e ekonomisë fshatare të sjellë nga biznesi elektronik.

28-vjeçari Sun Lei është një fshatar nga Sunzhuangu. Para 10 vjetëve, ai me disa të afërm shkuan në Brazil për të shitur veshje kineze. Pas përpjekjeve shumëvjeçare, ai u pajis me leje qëndrimi në Brazili dhe të ardhurat vjetore të tij arritën në 200 mijë juanë. Megjithatë, vitin e kaluar, Sun Lei vendosi të kthehet në vendlindje për të hapur një dyqan veshjesh në uebsajtin Taobao.

Sekretari i degës së Partisë të fshatit Sunzhuang, Sun Xueping, thotë se para vitit 2013, të ardhurat e fshatarëve vinin kryesisht nga punësimi jashtë vendlindjes dhe mbjellja e drithërave, por në vitin 2014, kjo gjendje ndryshoi dhe biznesi elektronik filloi të zhvillohet shpejt në fshat. Deri tani, ndër 460 familjet e fshatit Sunzhuang, 310 prej tyre kanë hapur dyqan në platformën Taobao, janë krijuar në fshat 16 kompani veshjesh dhe vëllimi vjetor i shitjes i dy kompanive prej tyre ka kaluar 5 milionë juanët. Si rezultat, tani 1100 fshatarë merren me sektorin e Taobao-s dhe 46 familje dikur të varfra në fshat janë shkëputur nga varfëria. Siç bëhet e ditur nga Sun Xuepingu, të ardhurat vjetore të fshatarit Sun Lei tani i kalojnë 1 milion juanët.

Ekspertët thonë se dyqanet në platformën Taobao në fshat kanë karakteristika të ndryshme nga ato të qytetit, ato janë të vogla, të hapura për një kohë të gjatë dhe investimi në to është i vogël. Kjo tregon se hapja e një biznesi elektronik ka kërkesa të ulëta dhe u përshtatet ndërmarrjeve të vogla apo individëve, veçanërisht fshatarëve me të ardhura të pakta, të cilët kanë aftësi të dobët të përballimit të rreziqeve.

Eksperti i lartë i kompanisë Alibaba, Chen Liang, vuri në dukje se në vitin 2014 u shtuan shumë bizneset elektronike të fshatarëve. Sipas statistikave, atë vit sasia e fshatrave Taobao me vëllimin vjetor tregtar prej mbi 10 milionë juanësh kaloi 200. Këtë vit, vazhdon të ruhet prirja e zhvillimit të fuqishëm të biznesit elektronik fshatar. Chen Liang tha:

"Në provincën Zhejiang, në tremujorin e parë të këtij viti, sasia e fshatrave me vëllimin e shitjes prej mbi 2.5 milionë juanësh arriti në 247. Ndërkohë parashikohet që këtë vit, numri i fshatrave që hapin dyqane virtuale në platformën Taobao në Kinë të arrijë 700, madje edhe më shumë."

Zhvillimi i shpejtë i biznesit elektronik në fshat nuk ndahet nga përkrahja e qeverisë kineze, organet përkatëse kanë marrë masat e duhura për të nxitur zhvillimin e këtij sektori. Ditët e fundit, zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Shen Danyang u shpreh:

"Nxitja e biznesit elektronik në fshat është pjesë e rëndësishme e projektit "Internet + Qarkullim" të zbatuar nga Ministria e Tregtisë. Këtë vit, masa kryesore në këtë fushë është shtimi i fondeve. Deri tani, qeveria qendrore u ka dhënë 200 distrikteve në 26 provinca, veçanërisht në Kinën qendrore e perëndimore 3.7 miliardë juanë fonde mbështetëse për biznesin elektronik në fshat. Biznesi elektronik është bërë platforma e re e punësimit të fshatarëve të rinj dhe kanali i ri i shtimit të të ardhurave të tyre, duke përmirësuar dukshëm nivelin e jetesës së fshatarëve."

Specialistët vënë në dukje se megjithëse biznesi elektronik zhvillohet shumë shpejt në fshat, ekzistojnë ende disa probleme si niveli i ulët teknologjik i produkteve, mungesa e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale, mungesa e talenteve, prapambetja e pajisjeve etj. Ndihmës-profesori i shitjes në treg i Institutit Tregtar Changjiang Li Yang u shpreh se duhet të zgjidhet së pari problemi i marrjes së informacioneve, sepse problemet e talenteve dhe të fondeve janë të vështira të zgjidhen brenda një kohe të shkurtër. Ai tha:

"Duhet t'u japim atyre më shumë informacione për t'i ndihmuar të njohin kërkesat në treg, kjo është e mundshme në kohën e tanishme."

Zhvillimi i fshatrave Taobao ka luajtur një rol të madh për shtimin e punësimit dhe të të ardhurave të fshatarëve, tani ky sektor i ri gjendet në periudhën e zhvillimit të shpejtë dhe përballon ende detyra të rënda të rregullimit dhe të parandalimit të rreziqeve. (Fani)

 

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China