PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kujtojmë për të mos harruar, Chen Bigang
2015-01-27 15:13:08 CRI Komenti juaj Printoni

Në programin e sotëm kemi ftuar profesorin e fakultetit të pianos pranë Konservatorit Qendror të Muzikës Chen Bigang. Ai ka dhënë leksione pianoje në periudhën 1963-1966 në Akademinë e Arteve të Bukura të Shqipërisë. Qysh nga ajo kohë ai i ruan lidhjet me Shqipërinë dhe shqiptarët. Tani shumë ish-studentë të tij janë artistë të njohur në Shqipëri, madje edhe në botë. Për të shprehur mirënjohjen ndaj pedagogut kinez, ata e ftuan profesorin Chen Bigang të vizitonte sërish Shqipërinë në vitin 2008.

Ndjekim intervistën që gazetarja e Radios Ejani, Zhang Zhuo realizoi me profesorin Chen Bigang.

Gazetarja: Përshendetje, profesorChen ! Si ishte jeta juaj para vajtjes në Shqipëri për të dhënë leksione pianoje?

Chen Bigang: Pas diplomimit nisa të jap mësime pianoje në shkollën e mesme pranë Konservatorit Qendror të Muzikës. Isha zv-drejtor i degës së pianos në këtë shkollë. Një ditë, drejtori i shkollës më thirri në zyrën e tij dhe më njoftoi lajmin e mirë. U gozova shumë. Nuk kishim shumë kohë në dispozicion dhe pas dy javësh u largova nga Kina.

Gazetarja: Ku dhatë mësim në Shqipëri? Çfarë kujtoni nga Shqipëria e asaj kohe ?

Chen Bigang: Në Akademinë e Arteve të Bukura të Shqipërisë atëkohë isha pedagogu i vetëm për piano dhe kisha mbi 10 studentë që mësonin në degën e pianos. Ata ishin të zgjuar, të hapur dhe plot pasion,por ndonëse të talentuar ishin pak dembelë. Kur nisa leksionet e pianos me ta dy herë në javë , duhet të shoqëroja në piano secilin prej tyre dhe isha shumë i zënë. Përveç punës në Akademinë e Arteve të Tiranës, jepja mësim dhe në liceun artistik si dhe kontribuoja në Teatrin e Operas. Prandaj isha çdo ditë i zënë me punën time.

Gazetarja: Si e kalonit kohën e lirë ?

Chen Bigang: Nuk kisha shumë kohë të lirë për vete. Kishte raste kur vizitoja ambasadën,ose takohesha me specialistët kinezë në Tiranë, apo trajnerë të sporteve dhe luanim shah. Pak a shumë këto ishin argëtimet e mia në Tiranën e asaj kohe.

Gazetarja: Sapo më thatë se kishin 10 studentë në degën e pianos. Ju atëkohë nuk dinit shqip. Si arrinit të komunikonit me ta ? Si i kujtoni studentët shqiptarë?

Chen Bigang: Kur jep leksione pianoje nuk ke nevojë të dish gjuhën për të komunikuar me të tjerët. Unë luaja në piano dhe ata më dëgjonin e pastaj unë i ndiqja ata kur luanin në piano. Ky leksion nuk ishte teorik, ndaj unë nuk komunikoja përmes gjuhës me studentët shqiptarë. Përsa i përket përshtypjeve të mia, kam mendimin se të gjithë studentët janë njësoj, si shqiptarë apo kinezë. Mendoj se jam sjellë miqësisht me ta dhe ata janë sjellë po aq miqësisht me mua.

Gazetarja: Cila është ngjarja që ju ka bërë më shumë përshtypje ?

Chen Bigang: Studentët shqiptarë përpiqeshin të studjonin dhe talenti i tyre muzikor ishte më i spikatur se i studentëve kinezë. Por në fillim të punës time me ta vura re se ishin pak dembelë, ndoshta dhe për shkak të ushtrimit në piano 2 herë në javë. Por unë u tregova i gatshëm të punoja sa më shumë me ta dhe në fund përparimet ishin të dukshme. Mora vesh nga ambasada se drejtuesit e Akademisë së Arteve ishin mjaft të kënaqur me punën time dhe kjo ishte mjaft pozitive për mua.

Gazetarja: Ku dallohen apo bashkohen studentët tuaj shqiptarë nga ata kinezë ?

Chen Bigang: Kinezët janë shumë të zellshëm , por shqiptarët kanë më shumë talent. Shqiptarë janë më të hapur dhe madje edhe në piano luajnë sipas dëshirës, improvizojnë. Kurse kinezët janë teknikisht shumë të mirë por ushtrohen, pa kultivuar shumë talentin. Mendoj se janë të ndryshëm. Pavarësisht se studentët kinezë dëshirojnë ashtu si shqiptarët të arrijnë sukses, por studentët shqiptarë ishin më të lirë.

Gazetarja: Dëshirojmë të ndani me ne disa nga kujtimet tuaja nga Shqipëria .

Chen Bigang: Çdo ditë nga konvikti ku banoja deri në shkollën ku jepja mësim përshkoja në këmbë një nga rrugët e bukura të Tiranës, ku nuk kishte shumë njerëz. Mendoj se Tirana është një qytet me stil italian, pasi në të vërtetë ka patur ndikim nga Italia. Shumë artistë shqiptarë kanë shkuar këto vite në Itali. Rruga që bëja çdo ditë për të shkuar në shkollë zgjaste 15 minuta në këmbë dhe në të dy anët e saj rriteshin pemë mimoze, me aromë shumë të mirë. Pedagogët shqiptarë nuk vinin shumë herët në shkollë, por unë në 8.30 isha aty për tu përgatitur për leksionin me studentët. Në mesditë largohesha por këtë rrugë e përshkoja gjatë gjithë kohës në këmbë.

Gazetarja: Në një periudhë më shumë se 3 vjeçare të punës suaj në Shqipëri, sa u rrit niveli i studentëve tuaj ?

Chen Bigang: Mendoj se është rritur pasi të gjithë studentët ishin të talentuar dhe kishin përshtypje të mirë për mua. Besoj të kem realizuar misionin tim pasi kam punuar me përkushtim.

Gazetarja: Si e pritën studentët shqiptarë largimin tuaj nga Shqipëria ?

Chen Bigang: Kur po më përcillnin në aeroport sytë e tyre u mbushën me lot. Por pas qëndrimit të parë në Shqipëri i kam takuar studentët edhe dy herë të tjera. Takimi i fundit me ta u realizua në vitin 2008 ku mbeta i befasuar dhe shumë i emocionuar.

Gazetarja: Jeni takuar me studentët edhe gjatë reformës së kulturës?

Chen Bigang: Gjatë reformës së kulturës, një grup i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore nga Shqipëria vizitoi Pekinin dhe ndër ta ishin dhe disa ish-studentë të mi. Nuk e di si arritën të më gjenin dhe bëmë së bashku një shëtitje në sheshin Tiananmen. Ndërsa kur erdhës sërish në Pekin vizitova me ta Tempullin e Qiellit. Ishim shumë të gëzuar që u takuam.

Gazetarja: Në vitin 2008 ju e vizituat përsëri Shqipërinë. Cilat janë mbresat tuaja nga kjo vizitë?

Chen Bigang: Pedagogët e tanishëm të Akademisë së Arteve të Bukura në Shqipëri janë disa nga ish-studentët e mi. I pari që provoi të lidhej me mua ishte Zhani Ciko, i cili kishte vizituar Pekinin gjatë reformës së kulturës. Ai më kishte kërkuar nëpërmjet një kinezi që punonte në Tiranë. Pastaj ish-ambasadori i Shqipërisë në Tiranë, zoti Maxhun Peka më kërkoi dhe u ftova të vizitoja ambasadën shqiptare në Pekin. Ambasadori më dha një letër të Zhani Cikos me anë të të cilës më ftonte në Shqipëri. Pas një viti kjo vizitë u realizua. U ndjeva shumë i lumtur nga kjo ftesë dhe mendoj se shqiptarët janë shumë miqësorë. Vizita që bëra në Shqipëri i ftuar nga ish studentët e mi më shfaqi miqësinë e madhe të tyre.

Gazetarja: Megjthëse takimin tuaj të parë me Shqipërinë e keni patur para 50 vjetëve, a mbani ende lidhje me Shqipërinë ?

Chen Bigang: Nuk kam shumë lidhje, por shkëmbejmë urime me rastin e festave të vitit të ri. Ndër studentët e mi shqiptarë do të veçoja artistin e njohur Zhani Ciko dhe pianisten e pedagogen e njohur të pianos Anita Tartari që aktualisht jeton në SHBA.

Gazetarja: Përveç intervistës sime, cilat lidhje ua kujtojnë Shqipërinë ?

Chen Bigang: Ma kujton lidhja me ish studentët, kur më urojnë me rastin e vitit të ri, gjë që më sjell përshtypje mjaft emocionuese. (Çang Çuo)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China