PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Bashkëpunimi kino-italian në fushën e filmit
2014-09-15 11:23:44 CRI Komenti juaj Printoni

Festivali i Filmit i Venecies ëshë një ngjarje madhore e kinematografisë ndërkombëtare. Në Festivalin e 71-të të Filmit të Venecies të sapombyllur, u zhvillua për herë të parë forumi për filmat kinezë.


Foto nga CFP

Forumi u organizua bashkërisht nga agjencia kineze e lajmeve "Hsinhua" dhe Shoqata Kombëtare e Industrive Kinematografike e Italisë. Në forum u diskutua për dy tema: "Dallimet kulturore midis filmave kinezë e filmave perëndimorë" dhe "Strategjia e zhvillimit të tregut kinematografik të Kinës në sfondin e globalizimit". Pjesëmarrësit diskutuan kryesisht për bashkëpunimin midis Kinës e Italisë në fushën e prodhimit të filmave, duke shprehur shpresën për më shumë filma të tillë në të ardhmen. Kryetari i Shoqatës së Regjisorëve e Skenaristëve të Italisë Mauricio Shara (Maurizio Sciarra) e përshkroi këtë forum me fjalët "Udhëtimi i kthimit i Marko Polos". Ai u shpreh:

"Venecia është vendlindja e Marko Polos dhe takimi ynë këtu ka si qëllim përkujtimin e udhëtimit të tij në Lindje. Marko Polo solli në vendlindje shumë gjëra nga Lindja dhe sot kanë ardhur këtu shumë kineastë kinezë. Dy kulturat janë takuar përsëri, duke vazhduar kështu dialogu i nisur shumë vjet më parë midis nesh."

Kina dhe Italia kanë nënshkruar më parë marrëveshje për bashkëprodhim filmash. Anëtarja e Shoqatës së Regjisorëve e Skenaristëve të Italisë Conchita Ayroldi u shpreh:

"U kushtojmë shumë rëndësi marrëdhënieve me kolegët kinezë. Para disa muajsh nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për prodhimin e filmave. Kjo shënon nisjen e bashkëpunimit tonë."

Producenti i filmit kinez "Koha e artë", që u shfaq në ceremoninë e mbylljes së Festivalit të Filmit të Venecies, Qin Hong, u shpreh se Italia, me kulturën e saj të lashtë, ishte pioniere e Rilindjes dhe është sot një partnere e mirë bashkëpunimi. Ai theksoi:

"Kina dhe Italia janë dy vende me kulturë të lashtë dhe bashkëpunimi ynë mund të sjellë vepra të shkëlqyeshme. Njëkohësisht, Kina është një treg i madh filmi. Për shembull, të ardhurat e filmit 'Transformers 4' në Kinë arritën në 2 miliardë juanë, kurse të ardhurat e shumë filmave kinezë mund t'i kalojnë 1 miliard juanët. Me të ardhura të tilla të larta, kompanitë kinematografike mund të japin më shumë fonde për xhirimin e filmave me cilësi të lartë, duke u sjellë të dy palëve përfitime. Krahas kësaj, filmi është një produkt kulturor dhe bashkëpunimi kino-italian në këtë fushë do të nxitë shkëmbimet kulturore midis dy vendeve."

Regjisori italian Xhuliano Montaldo (Giuliano Montaldo) xhiroi para 32 vjetëve filmin "Marko Polo" në bashkëpunim me Kinën. Duke folur për shkakun e uljes në vitet e fundit të filmave italo-kinezë, ai tha:

"Filmi im 'Marko Polo' u shit në 74 vende, por pas tij nuk ka pasur më bashkëprodhime të atij niveli. Mendoj se mungesa e fondeve për xhirimet është shkaku kryesor."


Foto nga Leslie / 东方IC

Regjisori kinez i filmit "Amnezi", që mori pjesë në këtë edicion të Festivalit të Filmit të Venecies, Wang Xiaoshuai, i admiron shumë filmat italianë dhe është i mendimit se tani tregu kinez i filmit është shumë i zhvilluar, duke krijuar kushtet e duhura për prodhimin e filmave në bashkëpunim me vendet e tjera. Ai vë në dukje:

"Kina gjendet në një periudhë ndryshimi të shpejtë dhe zhvillimi ekonomik, reforma shoqërore etj., kanë ofruar tema të ndryshme tërheqëse për xhirimin e filmave në bashkëpunim."

Për të përkrahur bashkëprodhimet me vende të ndryshme, qeveria italiane ka hartuar politika të veçanta. Anëtarja e Shoqatës së Regjisorëve e Skenaristëve të Italisë Conchita Ayroldi u shpreh:

"Ne kemi politikën e uljes së taksave për filmat e xhiruar me bashkëpunim, prandaj çdo film kinez që xhirohet në Itali mund përfitojë nga kjo politikë."


Foto nga CFP

Megjithëse palët e ndryshme kanë interes për bashkëpunim në krijimin e filmit, përfaqësuesja për Kinën e Aleancës Kinematografike të Francës (Unifrance) Izabel Glasho (Isabelle Glachant) vuri në dukje se xhirimi i filmave italo-kinezë do të përballet me një problem:

"Ky problem është ndryshimi i audiencës. Në Kinë shikuesit e filmave janë kryesisht të rinjtë nën 30 vjeç, kurse në Europë të rriturit mbi 40 vjeç shikojnë filma në kinema, ndërsa të rinjtë shkojnë rrallë aty. Prandaj problemi është që të zgjidhen tema që tërheqin të dy llojet e shikuesve."

Megjithatë, Kryetari i Shoqatës së Regjisorëve e Skenaristëve të Italisë Mauricio Shara (Maurizio Sciarra) është i mendimit se mund të gjenden shumë tema të përbashkëta për t'i bërë film. Ai është optimist për të ardhmen e filmave të prodhuar në bashkëpunim nga kineastët italianë dhe homologët e tyre kinezë: "Jam i bindur se do të kemi sukses." (Fani/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China