PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Fillon puna për ndërtimin e gazsjellësit Rusi-Kinë
2014-09-09 10:50:59 CRI Komenti juaj Printoni

Më 1 shtator, në qytetin siberian Yakutsk, u përurua fillimi i punimeve për ndërtimin e pjesës ruse të linjës lindore të gazsjellësit kino-rus. Kjo shënon fillimin zyrtar të fazës së zbatimit të kësaj vepre që do të ndërtohet në bashkëpunim nga Kina e Rusia dhe që ka tërhequr vëmendjen më të madhe sivjet. Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm presidenti i Rusisë Vladimir Putin, zv.kryeministri i Kinës Zhang Gaoli dhe zyrtari kryeekzekutiv i kompanisë ruse "Gazprom", Alexey Miller. Në programin e sotëm do të fokusohemi te bashkëpunimi strategjik në fushën e energjetikës midis Kinës dhe Rusisë.


Foto nga CFP

Në ceremoninë e nisjes së punëve të ndërtimit të gazsjellësit, presidenti Putin dha urdhrin për fillimin e saldimit të dy tubave, gjë që shënon fillimin zyrtar të ndërtimit të pjesës në Rusi të linjës lindore të gazsjellësit ruso-kinez. Ndërkohë, qindra kilometra larg vendit të zhvillimit të ceremonisë, në fushën gazmbajtëse Chayanda, puna e eksplorimit gjeologjik është në zhvillim e sipër dhe parashikohet se deri në vitin 2015 do të instalohen pajisjet përkatëse, ndërsa shfrytëzimi industrial do të fillojë para fundit të vitit 2018. Chayanda, me një rezervë gazi që llogaritet në 1.5 trilionë metra kubë, është një nga fushat kryesore të furnizimit me gaz të Kinës nga Rusia, dhe njëkohësisht, do të jetë e para fushë që do të sigurojë gaz për linjën lindore të gazsjellësit.

Linja lindore e gazsjellësit kino-rus, në territorin e Rusisë, ka emrin tingëllues "Forca e Siberisë", gjë që pasqyron ambicien e madhe të Moskës për zbatimin e strategjisë së zhvillimit të vrullshëm energjetik në Siberi dhe në Lindjen e Largët. Pas arritjes së marrëveshjes me Kinën për bashkëpunimin në fushën e gazit natyror, "Forca e Siberisë" nisi të vihet në zbatim. Në ceremoninë e përurimit të punimeve, presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha se ky projekt gazsjellësi, me përmasën më të madhe në botë, do të favorizojë Lindjen e Rusisë.


Foto nga CFP

"Me këtë projekt, Rusia jo vetëm eksporton gaz natyror, por do të çojë përpara edhe sektorin përkatës në Lindje, Lindjen e Largët dhe rajonin e saj të Siberisë Lindore."

Bisedimet midis Kinës dhe Rusisë për ndërtimin e këtij gazsjellësi kanë zgjatur për 10 vjet dhe në majin e sivjetshëm, gjatë takimit në Shangai, liderët e të dy vendeve nënshkruan më në fund kontratën me vlerë prej 400 miliardë dollarësh, çka përbën një arritje historike në bashkëpunimin kino-rus në fushën e gazit natyror. Në ceremoninë e fillimit të punës së ndërtimit të pjesës ruse të gazsjellit të linjës lindore, zv.kryeministri kinez Zhang Gaoli tha se ky gazsjellës është një objekt i rëndësishëm i bashkëpunimit strategjik midis Kinës e Rusisë dhe shënon arritjen e rezultateve frytdhënëse në fazën e re ku kanë hyrë marrëdhëniet dypalëshe.


Foto nga CFP

"Ndërtimi dhe funksionimi i këtij gazsjellësi do t'i ofrojë zhvillimit ekonomik të Kinës energjinë e pastër, me furnizim të besueshëm dhe të sigurt, ndërkohë, do t'i japë edhe Rusisë një treg të qëndrueshëm e afatgjatë. Ky projekt ka rëndësi të madhe për rimëkëmbjen e bazës së vjetër industriale të Kinës Verilindore dhe për zhvillimin e Lindjes së Largët të Rusisë."

Andrey Vinogradov, drejtori i Qendrës së Studimeve Politike për Lindjen e Largët pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, tha se kontrata e nënshkruar midis palës kineze dhe asaj ruse mbi furnizimin me gaz natyror, me një shumë të madhe dhe për një periudhë afatgjatë, pasqyron, nga ana politike, bazën e fortë të besimit reciprok midis dy vendeve. Ndërkohë, prania e presidentit Putin në ceremoninë e nisjes së ndërtimit të pjesës ruse të linjës lindore të gazsjellësit tregon vëmendjen e madhe që i kushton udhëheqja ruse kësaj vepre.

"Nga këndvështrimi ekonomik, për Rusinë, ai (gazsjellësi) realizon diversifikimin e strukturës së eksportit të gazit natyror, që do të thotë eksport i gazit si në Perëndim, ashtu edhe në Lindje. Zhvillimi i shpejtë ekonomik i Kinës ka nevojë për furnizim të qëndrueshëm me gaz. Prandaj mendoj se ky projekt pa dyshim është me përfitime të ndërsjella."

Nga ana tjetër, mendohet se arritja e një rezultati konkret lidhur me gazin nga ana e Kinës dhe Rusisë pas bisedimeve shumëvjeçare, ka të bëjë me vështirësitë aktuale të Rusisë. Sanksionet e vendeve perëndimore, si dhe kërcënimet nga partnerët evropianë për shkëputjen nga varësia prej gazit rus, e kanë detyruar Moskën t'i kthejë sytë nga Azia. Vladimir Kondratiev, bashkëpunëtor i Institutit të Studimeve mbi Ekonominë Botërore dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, është i mendimit se, me shtimin e sanksioneve nga BE-ja, Rusia është e ndërgjegjshme që duhet të forcojë partneritetin me vendet aziatike, duke përfshirë Kinën, nëpërmjet një sërë objektesh konkrete.


Foto nga CFP

"Megjithëse sanksionet e vendeve perëndimore nuk përfshijnë gazin natyror, nuk e përjashtojmë një mundësi të tillë. Në këto kushte, jam optimist për perspektivën e bashkëpunimit të Rusisë me Kinën dhe vende të tjera aziatike. Pozita gjeografike e Rusisë, ndërmjet Evropës dhe Azisë, kërkon që ajo të ketë partnerë aziatikë, veçanërisht Kinën."

Pjesa ruse e linjës lindore të gazsjellësit kino-rus, me një gjatësi prej 4 mijë kilometrash, nis nga Irkutsku, kalon nëpër Republikën e Sakhas dhe qyteti Khabarovsk dhe përfundon në portin e Vladivostokut. Ky segment lidh dy fusha të mëdha gazmbajtëse, Kovykta dhe Chayanda. Sipas planit, ndërtimi i pjesës kineze të gazsjellësit do të nisë në gjysmën e parë të vitit 2015 dhe të dyja palët pritet ta përfundojnë të tërë gazsjellësin në vitin 2018. Specialistët janë të mendimit se edhe në të ardhmen Kina dhe Rusia kanë përsëri hapësirë të madhe bashkëpunimi në fushën e gazit natyror dhe ky objekt është vetëm pikënisja e këtij bashkëpunimi. Sipas mediave ruse, zyrtari kryeekzekutiv i kompanisë ruse "Gazprom", Alexey Miller, bëri të ditur ditët e fundit se janë në zhvillim e sipër bisedimet mbi gazsjallësin e linjës perëndimore. (Wang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China