PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
45 vjet historia jonë, Zhai Huailu
2014-05-14 17:22:57 CRI Komenti juaj Printoni

Sivjet është 45 vjetori i fillimit të emisioneve të Radios së Jashtme të Kinës në gjuhën shqipe. Në një cikël emisionesh do të njiheni me historitë e punonjësve të radios sonë, që për mbi 40 vjet kanë përcjellë zërin e Kinës në Shqipëri. E ftuara e sotme është një nga themelueset e redaksisë sonë, zonjën Zhai Huailu, punonjësja e parë femër e kësaj redaksie.

Përshëndetje, vizitorë të uebsajtit të CRI – Shqip dhe lexues të revistës "Ejani".

Unë jam Zhai Huailu, një nga themelueset e redaksisë shqipe të Radios së Jashtme të Kinës, punonjësja e parë femër e kësaj redaksie dhe veterane e dalë në pension në fund të vitit 2006.

Gazetarja Zhang Zhuo zhvilloi një bisedë me Zhai. Më poshtë intervista e plotë:

1. Më 6 qershor në vitin 1969, filloi emsioni i gjuhës shqipe i Radios së Jashtme të Kinës. Ju jeni anëtarja e parë që nisi punën në këtë redaksi, a mund të na flisni për këtë?

Më 6 qershor të këtij viti do të mbushen 45 vjet nga fillimi i emisioneve në gjuhën shqipe. Me këtë rast dua të them disa fjalë për redaksinë tonë të gjuhës shqipe.

45 vjet më parë, më 6 qershor të vitit 1969, me ideimin e liderëve të Kinës dhe të Shqipërisë, si simbol i miqësisë ndërmjet dy vendeve, Radioja e Jashtme e Kinës vendosi të krijonte redaksinë e gjuhës shqipe. Që në fillim ishte e përbërë nga shqipfolës të zgjedhur nga sektorë të ndryshëm qeveritarë në bazë të udhëzimit nr. 4 të vitit 1969 të KQ të PK të Kinës.

Kryeministri i nderuar i atëhershëm Çu En Lai e përcaktoi personalisht 6 qershorin si ditën e fillimit të emisioneve në gjuhën shqipe.

Në fillim redaksia kishte 6 anëtarë, që ishin Cai Zumiao, Sun Wanhu, Zheng Zhongxu, Guo Min, Zhang Dakui dhe Zhai Huailui. Z. Cai Zumiao u dërgua nga Ministria e Jashtme e Kinës, ai ka qenë përkthyes i ambasadorit kinez në Tiranë dhe i shumë takimeve të nivelit të lartë midis personaliteteve të të dy vendeve. Megjithëse z. Cai është ndarë prej vitesh nga jeta, ai do të mbahet mend gjithmonë për ndihmesën që ka dhënë për mbarëvajtjen e punës në redaksinë tonë dhe për dashurinë e pasionin që ushqente për gjuhën shqipe. Përveç tij, z. Sun Wanhu nga Komiteti për marrëdhënie ekonomike me botën e jashtme, z. Zheng Chongxu erdhi nga Komiteti për marrëdhënie kulturore me botën e jashtme, z. Guo Ming u dërgua nga Akademia e Shkencave Shoqërore e Kinës, ndërsa z. Zhang Dakui dhe unë u përzgjodhëm nga Ministria e parë e Industrisë së Makinerive. Isha shumë e kënaqur që Radio e Jashtme e Kinës më zgjodhi për organizimin e emisionit të gjuhës shqipe, sepse unë e dua shumë shqipen dhe kisha dëshirë të madhe të punoja gjithë jetën me gjuhën shqipe.

Një arsye tjetër ishte se familja ime ishte transferuar nga Shangai në Pekin. Po të punoja në këtë radio, do të isha shumë afër prinderëve dhe njerëzve të familjes. Prandaj erdha menjëherë pas marrjes së lajmërimit mbi transferimin e punës në radio.

Unë, si anëtarja që u regjistrova së pari në redaksinë e shqipes, bëra përgatitje paraprake së bashku me kolegët e redaksisë së rumanishtes. Ne rregulluam zyrën e punës duke transportuar disa herë me një karocë të madhe, tavolinat e punës, rafte librash, 6 makina shkrimi e të tjera pajisje, sepse atëherë nuk kishim ende kompjuter. Ne sollëm nga shtëpia edhe fjalorë të gjuhës shqipe, fjalor anglisht-shqip, fjalor rusisht-shqip dhe libra të tjera që duheshin për punën.

2. Specialistët shqiptarë kanë dhënë një kontribut të madh në emisionin tonë. Si e kujtoni punën me ta?

Para 45 vjetëve, në vitin 1969, në ditët e para të fillimit të emisioneve të gjuhës shqipe, përveç ne gjashtë themeluesve shqipfolës kinezë, në redaksinë tonë punonin edhe dy specialistë shqiptarë, Kristaq dhe Vasilika Teneqexhiu. Ata kanë dhënë kontribut të madh nga ana gjuhësore e stilistike për emisionet tona, sidomos në ditët e para, kur ne anëtarët e redaksisë ishim që të gjithë të rinj dhe nuk kishim përvojë të të folurit në radio dhe përgatitjen e emisioneve.

Kështu, për shembull, për emisionin e ditës së parë, ne përgatitëm gati 5 orë. Dhe në vijim punuam pa u lodhur ditë e natë për përkthimet dhe incizimin e lajmeve, shënimeve, korrespondencave e reportazheve, derisa u mësuam gradualisht me këtë punë.

Pas specialistëve Kristaq dhe Vasilika Teneqexhiu, kanë ardhur te ne edhe shumë specialistë të tjerë të gjuhës shqipe nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët na kanë dhënë ndihmë të madhe, duke kaluar së bashku me ne ditë të bukura me gëzime dhe ditë të vështira e të shqetësuara. Tani anëtarët e brezit të vjetër kanë dalë që të gjithë në pension, por një brez i ri plot gjallëri dhe entuziazëm ka marrë në dorë stafetën dhe vazhdon përpjekjet për ta ndërtuar sa më të bukur këtë urë të miqësisë dhe të njohjes së ndërsjellë midis popullit kinez dhe popullit shqiptar.

Tek kjo redaksi po punojnë pa u lodhur edhe disa specialistë e punonjës shqiptarë që kanë ardhur për t'i ndihmuar të rinjtë e redaksisë të përmirësojnë sa më shumë nivelin e tyre të gjuhës shqipe. Të gjithë anëtarët e redaksisë u janë shumë mirënjohës këtyre specialistëve shqiptarë për ndihmën e dhënë.

3. Gjatë 45 vjetëve, redaksia jonë ka shënuar shumë përparime. Këto rezultate janë të lidhura ngushtë me dëgjuesit. Çfarë mund të na thoni lidhur me dëgjuesit e emisionit tonë?

Gjatë 45 vjetëve, Radio e Jashtme Kinës ka ecur shumë përpara dhe redaksia jonë e shqipes gjithashtu ka marrë një zhvillim të madh. Nga emisionet e përditshme prej 30 minutash me valë të shkurtra u kalua në emisionet e përditshme prej 60 minutash dhe emisionet e përditshme 90-minutëshe në valë të mesme. Kemi hapur në fund të vitit 2003 edhe uebsajtin "albanian.cri.cn", që është një multimedia ku integrohen shkrimi, fotografia, zëri dhe figura në një të tërë. Kështu përdoruesit shqiptarë të internetit në të gjitha vendet e botës ku ndodhen mund të vizitojnë në çdo kohë faqet tona elektronike, duke e njohur më mirë Kinën dhe botën. Nga viti 2004 deri ne vitin 2011, redaksia botoi në çdo tre muaj edhe revistën "Dritare" me artikuj dhe fotografi të zgjedhura. Duke filluar nga viti 2012, redaksia botoi direkt ne Tiranë revistën " Ejani" dhe në vitin 2013, emisionet e radios transmetohen direkt në Tiranë 18 orë në FM.

Me këtë rast dua t'i falënderoj të gjithë miqtë e dëgjuesit që na kanë inkurajuar gjithmonë me letrat dhe mesazhet e tyre entuziaste, duke na dhënë mendime dhe propozime shumë të vyera për përmirësimin e emisioneve tona.

Në vitin 2001, me rastin e 80 vjetorit të themelimit të PK të Kinës, kemi marrë një letër nga një partizan veteran shqiptar me 20 poezi të shkruar prej tij, kur ndër të tjera ai shkruante:

"Nga t'i drejtoj sytë në botë? Do t'i drejtoj sytë sheshit Tiananmen." Me gjithë se numri i letrave nga dëgjuesit tanë nuk ishte aq i madh, shume letra kanë rëndësi të madhe.

Kryetari i Partisë Socialiste Punëtore në letrën e tij ka shkruar se programi i partisë së tij është përpiluar në bazë të emisioneve të shqipes të Radios së Jashtme të Kinës. Në një intervistë me gazetaren tonë, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Shqiptare Gramoz Ruçi tha se "nëse ne do të marrim nga përvoja e Kinës, ne do te shpejtojmë hapat tona. Vendi im Shqipëria nuk ka mundësi të marrë përvojë nga Gjermania, Zvicra apo Franca, por marrja e përvojës nga Kina është një rrugë më e shkurtër."

Një falënderim të veçantë kam për klubin e dëgjuesve të Radios së Jashtme të Kinës "Miqësia" dhe për drejtuesin e tij, z. Daut Kryemadhi, të cilët janë një frymëzim i madh për punën tonë.

Në këtë përvjetor nuk mund të lë pa përmendur të ndjerin z. Vasil Naçi, dëgjuesin që gjatë më se 35 vjetëve ndoqi përditë me dëshirë e pasion emisionet tona dhe që na kanë dhënë shumë mendime e propozime me vlerë për t'i përmirësuar edhe më shumë këto emisione. Z. Vasil ka qenë edhe fitues i çmimit të posaçëm të konkursit të njohurive "55 vjet Kinë e Re" dhe pati rastin të bënte një vizitë së bashku me bashkëshorten e tij në Kinë. Nuk do të harroj kurrë vitin 2005, gjatë qëndrimit tim në Tiranë duke shoqëruar një grup gazetarësh të Televizionit Qendror të Kinës për të intervistuar artistë veteranë shqiptarë. z. Vasil Naçi më priti në shtëpinë e tij dhe më shoqëroi gjithë ditën për shëtitje në Tiranë. Me këtë rast i shpreh ngushëllime familjes e të afërmeve të tij. Kujtimi i z. Vasil Naçi do të jetë gjithmonë i paharruar për të gjithë ne të redaksisë së shqipes të RJK-së.

4. Keni një dashuri të fortë për Shqipërinë dhe lidhje të ngushtë me shqiptarët. A mund të më flisni për këtë lidhje tuajën ?

Gjate këtyre 45 vjetëve, kam patur kontakte të shumta me miq shqiptarë të fushave të ndryshme. Në shekullin e kaluar, kam shoqëruar Ansamblin Kombëtar Popullor të Shqipërisë, grupin turistik shqiptar, delegacionin ushtarak të kryesuar nga ministri i mbrojtjes etj. Në këtë shekull, kam pritur delegacionin parlamentar shqiptar, delegacionin e prokurorisë së përgjithshme shqiptare etj. Bashke me grupin e CCTV-së, kam intervistuar mbi 30 artistë veteranë të filmave të vjetër shqiptarë. Me këtë rast, do të falënderoj shumë ambasadorin e Shqipërisë në Kinë Kujtim Xhani, ishte ai që rregulloi ardhjen e posaçëme në Kinë të regjisorit të njohur shqiptar Piro Milkani për t'i dhënë një intervistë CCTV-së, do t'i falenderoj posacërisht edhe dhe të ndjerin regjisor Viktor Gjika, që ma ka dhënë ndihmë shumë të madhe në organizimin e këtyre intervistave dhe në përgatitjen e një programi televiziv të CCTV-së "Magjia e filmave artistikë".

Gjate punës time në radio, kam sjellë edhe shumë miq shqiptarë për vizitë, nder ta ishte kryetari i shoqatës së emigranteve shqiptarë në SHBA, Filip Lala, këngëtaren shqiptare Elsa Lila, artistë veteranë shqiptarë të mirëpritur në Kinë. Madje kanë ardhur përkatësisht nga Greqia dhe Franca Eglatina Kume dhe Elida Cangonji, shkrimtarja shqiptare Natasha Lako, profesorja e Universitetit të Tiranës Vera Lazo, etj.

Pasi dola në pension në fund të vitit 2006, nuk i ndërpreva lidhjet me redaksinë tonë, duke vazhduar disa vjet punën në këtë redaksi. Edhe pse jam në pension, jeta ime është shumë e pasur dhe një pjesë e saj janë edhe lidhjet që kam mbajtur gjithmonë me Shqipërinë. Përveç pritjes së biznesmenëve shqiptarë që kanë ardhur në Kinë, duke i ndihmuar ata jo vetëm në përkthim, por edhe në gjetjen në Kinë të mallrave dhe makinerive që u duhen, kam shoqëruar edhe biznesmenë kinezë gjatë vizitave të tyre në Shqipëri. Në gusht të vitit 2011, mora pjese në seminarin ndërkombëtar për gjuhën, letersinë e kulturën shqiptare dhe mbajta aty kumtesën me titull: "Filmat e vjetër shqiptarë dhe jehona e tyre në Kinë" që tërhoqi vëmendjen e medieve kosovare dhe që u prit shumë mirë nga pjesëmarrësit në seminar. Aty pata rastin të njihem me drejtuesin e seminarit, zotin Bardh Rugova dhe me profesorën e Universitetit të Prishtinës si dhe me shqipfolës nga vende të ndryshme të botës.

U takova edhe me mikun e vjetër kosovar Shaban Arifaj që na ka dhënë ndihmë të madhe në specializimin e të folurit në radio dhe në redaktimin e përkthimeve. Së bashku me dy seminaristë të tjerë kinezë, ishim ftuar edhe si mysafirë në shtëpinë e tij dhe të vajzës së tij. Megjithëse ky takim ishte bërë pas 24 vjetësh pas largimit tonë nga Kosova, por ne, nuk do të harrojmë kurrë kontributin e tij për kualifikimin e gjuhës shqipe të katër anëtarëve të redaksisë.

Në tetor të vitit 2011 dhe në maj të vitit 2013, unë shoqërova dy grupe turistësh kineze për një javë në Shqipëri dhe Kosovë.

Më 1 tetor të vitit 2011, pas arritjes në Shqipëri, grupi u prit nga zv.ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, znj. Suzana Turku, në selinë e kësaj ministrie. Znj. Turku e nisi pritjen me këngën kineze "Lindja është e kuqe" e me të u bashkuan gjithë të tjerët, duke krijuar një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore pikërisht kur Kina kremtonte me madhështi festën kombëtare. Pas këngës së njohur kineze sërish të gjithë kënduan së bashku edhe këngën nga filmi shqiptar "Ngadhënjim mbi vdekjen". Prandaj turistet thane:"Kemi ardhur për miqësi e nostalgji".

Natyra shumë e bukur, kuriozitetet arkeologjike dhe mikpritja shumë e ngrohtë e shqiptarëve u kanë lënë përshtypje shumë të thella turistëve kinezë. Turistët kinezë thanë se në Shqipëri, na patëm çdo ditë surpriza të këndshme. Pra, në këtë shekull, kam qenë 6 herë në Shqipëri dhe tre herë në Kosovë, ku pashë me sytë e mi ecurinë e madhe dhe ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur aty.

Shqipëria, si një vend shumë i bukur bregdetar dhe malor, ka jo vetëm burime shumë të pasura nëntokësore, ujore, dhe malore, por edhe turistike. Si një margaritar në brigjet e Adriatikut e të Jonit, ajo po tërheq gjithnjë e më shumë turistë e investues të huaj dhe jam e bindur që, në disa vitet e ardhshëm, Shqipëria do të ketë një ndryshim dhe një rritje edhe më të madhe dhe më të shpejtë.

5. Cili është urimi juaj për emisionin e gjuhës shqipe në 45 vjetorin e tij ?

Krahas kalimit të shpejtë të kohës, brezi ynë i vjetër që të gjithë u thinjën dhe u larguam nga puna e emisioneve të radios, por ne preokupohemi në çdo kohë me zhvillimin e tyre të shpejtë. Brezi i ri që vazhdoi stafetën tonë është një kolektiv i shquar plot perspektivë. Ata po realizojnë ëndrrat tona shumëvjeçare duke u sjellë dëgjuesve emisione në FM me muzikë shumë të bukur, si dhe duke u sjellë lexuesve një revistë me projektime të modës. Gjithashtu duke u hapur horizonte të reja vizitorëve të shqipes me uebsajtin e multimedias: albanian.cri.cn .

Puna e redaksisë sonë të shqipes si një urë e miqësisë dhe njohjes reciproke midis Kinës dhe Shqipërisë, dy vende me një perspektivë të madhe zhvillimi e bashkëpunimi ndërmjet tyre, ka një rëndësi shumë të madhe.

Në fund uroj që miqësia tradicionale dhe e fortë midis popullit kinez dhe popullit shqiptar të shtohet dita-ditës dhe të shkojë drejt një të ardhmeje edhe më të bukur e që redaksia jonë e shqipes të ecë përpara drejt horizonteve të reja, për t'i shërbyer edhe më mirë kësaj miqësie.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China