PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë, tregtia elektronike krijon hapësira të reja
2016-01-19 16:37:20 CRI Komenti juaj Printoni

Në mbledhjen e saj të zhvilluar pak ditë më parë, qeveria kineze mori vendim që të përhapet më tej sistemi i administrimit dhe politikat përkatëse të përdorura në zonën eksperimentale të tregtisë elektronike ndërkufitare në qytetin Hangzhou të Kinës Lindore. Një gjë e tillë, sipas ekspertëve, do të krijojë përparësi të reja dhe do të zgjerojë hapësirën e zhvillimit për tregtinë e jashtme të Kinës.

Modelet e reja tregtare, si tregtia elektronike ndërkufitare, janë bërë elemente kryesore të tregtisë së jashtme të Kinës. Qysh nga viti 2015, rritja e eksporteve në tregtinë elektronike ndërkufitare të Kinës ka arritur mbi 30 % dhe e ashtuquajtura "tregti e blerjeve në treg" ka shënuar rritje mbi 70 %, duke nxitur eksportet e shumë ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla. Kjo është bërë një faktor i re i rritjes së tregtisë dhe ka dhënë ndihmesë pozitive për stabilizimin e gjendjes së punësimit.

Lu Hongqiang, presidenti i një kompanie të tregtisë elektronike në provincën Zhejiang, është i mendimit që, nëpërmjet tregtisë elektronike ndërkufitare, kompanitë jo vetëm mund të marrin pjesë në mënyrë të plotë në konkurrencën globale, por edhe mund të gjejnë një platformë me kosto të arsyeshme gjatë procesit të tregtimit.

"Vëllimi i blerjeve në Kinë përbën një pjesë të madhe të vëllimit të përgjithshëm botëror, por në çmimin e mallrave, ne nuk kemi siguruar përfitimet e duhura që sjell një vëllim blerjesh kaq i madh. Kështu, pasi të përmbledhim të gjitha blerjet, do të kemi më shumë mundësi për të diskutuar mbi çmimin e mallrave në tregun ndërkombëtar dhe kostoja jonë mund të jetë më e ulët," thotë Lu Hongqiang, presidenti i një kompanie që merret me tregtinë elektronike në Zhengjiang të Kinës Lindore.

Sipas të dhënave statistikore nga Ministria e Tregtisë e Kinës, në Kinë ka mbi 5000 kompani që ofrojnë platforma për tregtinë elektronike ndërkufitare dhe numri i kompanive që bëjnë biznes në këto platforma i ka kaluar 200 mijët. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë elektronike ndërkufitare në Kinë kapi shifrën më shumë se 2 trilionë juanë, duke shënuar rritje me 42.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e eksportit zinte 84.8% dhe e importit 15.2%. Tregtia elektronike ndërkufitare është e përqëndruar te celularët, pjesët e këmbimit, veshjet dhe pajisjet elektronike.

Lidhur me rolin e zonës eksperimentale të tregtisë elektronike ndërkufitare në Hangzhou, asistenti i ministrit të Tregtisë të Kinës Zhang Ji bëri të ditur që kjo zonë ka arritur rezultate të dukshme.

"Deri në fund të dhjetorit të vitit 2015, vëllimi i tregtisë elektronike ndërkufitare në Hangzhou u rrit në 3.04 miliardë dollarë amerikanë, nga më pak se 20 milionë dollarë në vitin 2014. Deri në atë kohë ishin ndërtuar 12 parqe të tregtisë elektronike ndërkufitare, ku ishin tërhequr 330 kompani, duke nxitur zhvillimin e sektorëve të shërbimeve, si logjistika, financat, pagesat e zhdoganimi dhe duke ofruar mbështetje të fuqishme për ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe kompanitë e sapokrijuara," thotë Zhang Ji, asistenti i ministrit të Tregtisë të Kinës.

Ministria e Tregtisë parashikon që, në vitin 2016, vëllimi i tregtisë elektronike ndërkufitare në Kinë do të arrijë në 6.5 trilionë juanë dhe në vitet e ardhshme tregtia elektronike ndërkufitare do të zërë 20% të import-eksportit të Kinës, me një rritje vjetore mbi 30%.

Në mbledhjen e Këshillit të Shtetit u vendos që në më shumë krahina të vendit të përhapet një përvojë e tillë si sistemi i administrimit dhe politikat përkatëse të përdorura në zonën eksperimentale të tregtisë elektronike ndërkufitare në Hangzhou. Në pjesën lindore, qendrore dhe perëndimore të vendit, do të përzgjidhen disa qytete që kanë një bazë të mirë dhe vëllim të madh import-eksporti e biznesi elektronik, për të krijuar disa zona të reja eksperimentale për tregtinë elektronike ndërkufitare.

Ekspertët janë të mendimit se, në kushtet e tanishme, kur tregtia e jashtme e Kinës përballet me një trysni të madhe, tregtia elektronike ndërkufitare është në të mirë të shtimit të hapësirave për zhvillimin e tregtisë së jashtme dhe mund të ndryshojë statusin e Kinës, që ndodhet ende në një nivel të ulët në zinxhirin ndërkombëtar të prodhimit. Kështu, cilësia e tregtisë së jashtme do të përmirësohet dhe, ndërkohë, edhe zhvillimi i Kinës do të hyjë në një nivel më të lartë.

Zv.drejtori i Institutit të Studimit të Financave e Letrave me Vlerë të Universitetit Renmin të Kinës, Zhao Xijun, vë në dukje se tregtia elektronike ndërkufitare është një platformë e re për zgjerimin e tregut jashtë vendit dhe luan një rol të rëndësishëm për rritjen e përqindjes në tregun ndërkombëtar, shtimin e epërsive të reja konkurruese në tregtinë e jashtme e për ndryshimin e modelit të zhvillimit të Kinës.

"Pas futjes së ekonomisë së vendit në gjendjen të re normale, fuqitë nxitëse të rritjes ekonomike po ndryshojnë vetë. Ndër to, tregtia elektronike ndërkufitare është një forcë e rëndësishme, pasi ajo shfrytëzon teknologjinë e internetit në tregtinë tradicionale, duke ulur koston e veprimeve tradicionale dhe duke luajtur rol nxitës për ekonominë e vendit. Krahas kësaj, kjo do të nxitë edhe gjendjen e punësimit dhe ka rëndësi pozitive për nisjen e bizneseve dhe risitë," thotë Zhao Xijun, zv.drejtori i Institutit të Studimit të Financave e Letrave me Vlerë të Universitetit Renmin.

Tregtia elektronike ndërkufitare vlerësohet si një nga mënyrat për stimulimin e tregtisë së jashtme. Tani në Kinë ka 10 qytete pilot, si Shangai, Chongqing, Zhengzhou, Guangzhou, Shenzhen dhe Tianjin, dhe krahas tyre, ka edhe një zonë eksperimentale komplekse për tregtinë elektronike ndërkufitare në qytetin Hangzhou.

Analistët janë të mendimit se nxitja fuqishëm nga Kina e zhvillimit të tregtisë elektronike ndërkufitare jo vetëm do të jetë në të mirë të kompanive dhe konsumatorëve vendës, por do të favorizojë edhe tregun e jashtëm. Ndërkaq, zv.drejtori i Institutit të Studimit të Financave e Letrave me Vlerë të Universitetit Renmin të Kinës Zhao Xijun vëren se, megjithëse sipërmarrësit janë entuziastë dhe kërkesa në treg është e madhe, zhvillimi i tregtisë elektronike ndërkufitare ende përballet me disa probleme.

"Gjërat ndryshojnë me ndryshimin e gjendjes së këtij sektori, si mënyrat e zhdoganimit, mënyrat e pagesës dhe mënyrat e kontrollit. Kështu, nga kjo anë, për të rregulluar më tej tregtinë elektronike ndërkufitare dhe për të garantuar një zhvillim më të shëndetshëm, duhet të bëhen reforma në sektorët përkatës. Kjo do të plotësojë kërkesat e përdoruesve të platformave të tregtisë elektronike ndërkufitare," thotë Zhao Xijun-i, zv.drejtori i Institutit të Studimit të Financave e Letrave me Vlerë të Universitetit Renmin të Kinës. (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China